Rudina Muharremi Beja
Gjithçka nisi asaj të hëne kur u prezantua si gjithmonë në sportelin e bankës për të tërhequr ca të holla. Për shkak të pushimeve verore personeli ishte i ri e nuk njihte asnjërin prej tyre.
Përveçse një përshëndetje pak më miqësore, s’do të ndryshonte gjë tjetër…
Hmmm…!!!
Përkundrazi, ajo ditë që fillimisht dukej e zbrazët dhe me ritualin e zakonshëm e ndryshoi përgjithmonë.
Kërkoi me formalitetin e duhur shërbimin e zotërisë përtej xhamit të sportelit, një burrë rreth të dyzetave me një këmishë që qëndronte si mbi një manekin e një kollare të gjatë, i cili ngriti sytë e zi pus, deri pak çaste më parë të mbërthyera mbi monitorin e kompjuterit.
-Urdhëroni zonjë, si mund t’ju ndihmoj?
– Dëshiroj të bëj një tërheqje të vogël nga llogaria ime, iu përgjigj ajo dhe për formalitet tregoi mbiemër e emër siç bënte gjithmonë.
Ai vijoi të presë, ndërkohë që ajo s’kuptonte motivin pasi përherë kishte vepruar kështu
Zotëria e pyeti:
– Si mund ta di që jeni ajo që thoni?
Mund të më jepni një dokument identifikimi?
Ajo humbi për pak në mendime.
“Vërtet, a jemi ato që themi?!
Apo kjo sëmundja e padukshme e tjetërsimit na bën të shfaqemi përherë ndryshe”
Zotëria nga krahu tjetër priste dokumentin, ndërsa ajo nxorri nga çanta një pasqyrë të vockël nga ku verifikonte trajtat e pamjes së saj.