Rudina Muharremi Beja

Po shkoj me hënën muzgut të vonë që merr frymë thellë,
andej nga zbehen ëndrrat,
andej nga plaken fjalët,
kujtimet ku thinjen në heshtje…
Po shkoj si dallëndyshe me trishtimin mbi pendë
në sy shkëlqimin e humbur të vjeshtave
gërmadhave që memoriet mbartin të gjalla
e dimri mbulon me borë kaherë.
Po shkoj nënkateve të shpirtit,
larg reflektimeve me rreze të rrema,
larg nga fantazmat që ngrejnë kështjella,
Të rrëmoj mes rrëmujës time
e të vesh sërish një buzëqeshje…