Poema e Lamartinit “Mili ose vendi i lindjes”-Përktheu: Gëzim Baruti


Fragment nga poema e Lamartinit “Mili ose vendi i lindjes”

Përktheu: Gëzim Baruti

Kujtime fëmijërie

Këto shqopa, këto ara, këto livadhe dhe hardhi

Kanë një hije mallëngjimi, kujtime plot dashuri.

Time motra atje lodronin, pas tyre dhe era ngiste

Duke luajtur me to flokët bjonde u shpupuriste;

Lart, drejt majës së bregores kur rrugën merrnin barinjtë,

Një zjarr ndizja plot me shkarpa e me drurë të dëllinjtë

Dhe syt`e mi të përhumbur zjarrit thellë e anembanë,

Herë-herë bënin përpjetë që të shihnin flakadanë.

Atje, kundruall tërbimit të një ere shumë të ftohtë,

Shelgu plot zgavra na ndihte, brënda tij të rrinim ngrohtë,

Dhe fishkëllimë dëgjoja nga ai trung gjethetharë,

Tinguj që m` sëmbonin zëmrën, si violinë më të qarë.

Ja edhe plepi i gjatë që, anuar mbi greminë,

Në kohëzën e foleve na koloviste mbi shpinë;

Rrëkeja n`ato lëndina, në të cilat uji flinte,

Lundrat tona prej kallami brënda vetes i përpinte,

Gjithë lisnaja edhe shkëmbi, mulliri që kurrë s`heshtte,

Edhe muri karshi diellit ku rrija, n`ato ditë vjeshte,

Mbi një gur ngjeshur thell`tokës nga gjyshërit aq mirë,

Ndiqja ditën që shpirt jepte nën shikimin tim të dëlirë

Aty janë, si at`here; aty ku ishin kanë mbetur;

Gjurmët tona përmbi rërë akoma nuk janë tretur,

Gjë prej gjëje nuk mungon veç një zëmre që s`gëzohet,

Por, sa keq! Se koha ikën dhe pastaj çdo gjë harrohet.

Jeta është hallakatur porsi kallinjtë në lëmë,

Larg prej vatrës atërore ne fëmijët me gjithë mëmë,

Shëmbëllen shtëpiz`e dashur si një çerdhe e shkretuar

Braktisur nga dallëndyshet dimrit të gjatë për t`i shpëtuar.

Tashmë bari që harliset sipër plloçave antike

Shuan rreth e rrotull muresh shtigjet hyrëse pak nga pak,

Dhe shermasheku i rritur që tundet si shënjë zie,

E mbulon portën përgjysmë edhe shkallët përmbi prag.

Përktheu: Gëzim Baruti