Poetesha shqiptare Irma Kurti botohet në Indi


Poetesha shqiptare Irma Kurti botohet në Indi

Pas botimit të përmbledhjes poetike “Humbur mes ngjyrash” në gjuhën shqipe si dhe në atë italiane me titullin “Persi tra i colori” gjatë vitit 2022, libri i poeteshës shqiptare Irma Kurti përkthehet edhe në gjuhën angleze e botohet në Indi. Vepra permban 60 lirika dashurie. Imazhi i kopertinës është i fotografit Biagio Fortini.
Në parathënien e librit autorja shkruan: “Një pjesë e këtyre poezive janë shkruar në kohën e izolimit, gjatë pandemisë, atëherë kur ndiheshim të burgosur brenda mureve të shtëpisë që, kushedi pse, nuk na dukej streha më e sigurt, por një hapësirë e pamjaftueshme për të marrë frymë e për t’u ndjerë të çlirët. Shumë vargje, pra, janë shkruar në kohën kur në Itali dhe pikërisht në qytetin tim, Bergamo, që u bë epiqendra e epidemisë, ndiheshim vërtet të humbur mes ngjyrave, të cilat ndryshonin aq shpesh, në varësi të situatës, duke na bërë të ndiheshim konfuzë; atëherë kur një zile telefoni a një bisedë e thjeshtë dukej sikur të dhuronin botën. Do të doja që përmbledhja poetike Humbur mes ngjyrash t’u dhuronte njerëzve buzëqeshje në këtë kohë të vështirë, duke na bërë që ta përjetojmë sërish atë pështjellim ndjenjash dhe emocionesh që di të na e japë vetëm dashuria me dritëhijet e saj.”
Irma Kurti është një nga poeteshat shqiptare më të përkthyera dhe më të botuara në shtete të ndryshme të botës. Librat e saj, përveçse në Shqipëri, janë botuar edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Francë, Itali, Rumani, Turqi, Kosovë, Filipine, Kamerun, Indi, Kili dhe Serbi.