
Gëzim Llojdia
1.
Në numerologji, ditët shprehin kuptim pavarësisht se poetët çuditërisht nuk besojnë te shpirti, ndonëse poezia në vetvete është thënë se: është bija e parë e bukurisë hyjnore dhe poezia e tyre është çliruar kryesisht prej atij shpirti mjegullnajë .
Për ta mbyllur kohën e pas jetës, një poet shkon të dremisë në livadhin e tij ëndërror dhe të përhershëm, pra shkon e bëhet firë e ndërkaq trupi,për tu ngurosur në fundin e fundmë,por jo të dëshiruar. Për tu mbyllur në errësirën pus,mes të ftohtit të pamat,në banesën e përjetshme 1.5 x 1.5m. Për tu tretur në drejtimin e humbur,për të rënë në gjumin e madh të qefinit. Për të rënë atje ku fjalët, gjuha, poezia,melodia e gjithçka është e patregueshme. Librat e shenjtë e kanë shkruar qysh në agimet e njerëzisë. Vijmë gjithsesi nga balta. Shkojmë gjithsesi sërish atje.
Është i çuditshëm fakti, që poetët e këtij lëmshi bëjnë punën e murgut, mirëpo nuk janë murgjëri në kuptimin e vërtetë të fjalës. Rrallë e tek kanë qenë të atillë,por shumica ndonëse kanë qenë bredharakë ndër legjione fetare,në perëndim të jetës i gjen ateistë,
Ende shkenca nuk e shqyrtuar këtë fakt. Të shkruash për shpirtin të përkëdhelësh fjalët që burojnë nga shpirti,të qëndisësh vargje,fjalë,me një bukuri harmonike , madje të vrasësh edhe më fjalë,por çuditërisht edhe pasi ndërtojnë kështjella të mëdha e të bukura fjalësh, ata nuk i besojnë shpirtit,ndonëse çfarë lind prej atij krijimi është prej shpirtit. Edhe po ty pyesësh ata thonë nuk ekziston fare shpirti përderisa, nuk është materie. Edhe nëse ata nuk e thonë këtë. E vështirë nuk ëhstë ta gjesh në vargjet e tyre. Këtë më thoshte, një lexim i shkoqitur nga vëllimi:”Kënga e zogut blu” ,botuar pas vdekjes të një ndër poetëve më të mirë të jugut dhe Vlorës, Petrit Qejvani.
2.
Që prej një disa vjetesh poeti,kritiku dhe njeriu i mirë Petrit Qejvani nuk rronë më. Ai iku nëpër mjegull. Si mërgojnë shpirtrat e poetëve përtej botës tonë. Në dimensione të kohës është përsëritja qindra vjeçare e poetëve,që humbasin në pikëllimin mëngjesor,por që rizgjohën e ndërkaq rilindin nga ndriçimi yllësor.Më sipër e thashë,me ca fjalë. Llafi nget për shtegtimin e shpirtit.
Kishte kohë që sëmundja e rëndë tek fytyra e zbehtë e poetit,kritikut,publicistit Petrit Qejvani ,ruante kërcënimin e një dihatje të vështirë. Stomaku nuk ndjente më sëmbimet e zemrës. Por ajo nuk ndjente më, as klithmën e dal nga fundi i shpirtit. Firomën e fundit, që kërcënonte dhe e kurthonte me terrin e zi,përgjithmonë e dha me 13 gusht 2014,në mbrëmje,ne Spitalin e Vlorës.I but shpirti i tij.I lehtë si ajri,shtegtoi në prerin qiellor. Kështu rangut të poetëve të këtij qyteti jugor,do tu mungojë një zë i bukur.
3.
2.Vasil Qesari-gazetarë TV Francë.
Petrit Qejvani, ishte njeri me vlera te veçanta humaniste, me kulture enciklopedike, me talent dhe krijimtari mjaft cilësore artistike, me sensibilitet te madh shpirtëror si edhe me virtyte te çmuara, njerëzore e intelektuale. Ai, le një boshllëk te madh mes nesh, miqve dhe shokëve te tij, një dhembje te thelle e pikëllim te veçante jo vetëm për familjen, vëllezërit e motrat, por edhe për te gjithë ata qe e njohën nga afër dhe i qëndruan pranë,ne çdo kohe,situate e periudhe te jetës,te mire apo te vështirë .Jeta, personaliteti, puna dhe krijimtaria e Petrit Qejvanit, veprimtaria pasiononte ne shume fusha si edhe kontributi i tij arsimor e artistik, gjithçka qe ai përfaqësonte si njeri, pedagog dhe artist, do te mbeten te paharruara ne zemrat tonë.
lmi Cani Një skicë e vogël,një portret perfekt për Kallaratin. Një përshkrim lakonik. Respekt për figurën e tij
Lame Fandi kritik arti: Ishte befasi e dhimbshme humbja e Petritit, këtij shoku te dashur, me te cilin kemi qene çdo dite, për një vit te tere, ne te njëjtat banka studimesh pasuniversitare.
Violeta Brahimaj Humbje e parakohshme për njeriun e shkrimeve, mësuesin e pasionuar, drejtuesin e drejte dhe vizionar.
Fatmir Toci :shuhet një zë nga Vlora dhe nga lumi… pedagogu i apasionuar, publicisti i shquar vlonjat. Një lajm i hidhur për humbjen e një miku si Petrit Qejvani, profesorit dhe publicistit te spikatur, një zë autentik intelektuali vlonjat.
Sejmen Gjokoli;Jam në Kosove por po më trondit lajmi që po lexoj. I rende plumb ky lajm, si Bogonica mbi Kallarat, apo si Çipini përballë….Na iku parakohe një shok i mire, një edukator shembullor, një krijues dhe analist i shkëlqyer,një poet i mrekullueshëm, një pasionant i fjalës dhe artit, një polemist i klasit të parë, një intelektual që s’dinte të bënte kompromis me mediokritetin, majtist evropian i thekur, një mjeshtër i njohur i fjalës së shkruar dhe folur, një bashkëpunëtor i shkëlqyer në veprimtaritë kulturore e artistike të 100 Vjetorit të Pavarësisë, një NJERI me germa te mëdha….Lamtumire shoku dhe miku im i mire !
3.
Kallarati (skicë-esse) Nga Petrit Qejvani
Petrit QejvaniNë mes të Labërisë së thellë, në të dy anët e Lumit të Vlorës, sapo ai ka marrë startin, në këmbët e malit të Bogonicës, shtrihet Kallarati. Nga të rrallët fshatra të dyzuar, njëri përballë tjetrit, si ne legjendë: një i gjallë, tjetri i vdekur (i djegur), por me rrënojat thuaj 100-vjeçare ende në këmbë, mbresëlënëse.
Është një fshat i vogël, ” i paktë” siç thotë kënga popullore, por i vetmjaftueshëm në qenien tij, me njerëz të qetë e dinjitozë, që zënë vendin, që u takon në jetë dhe në shoqëri, modestë dhe të pagabueshëm në vlerësimin e vetes dhe të tjerëve. Që nuk e matin veten me hijen e mëngjesit, që nuk mburren e bëjnë zhurmë, kur bëjnë gjëra të çmuara, por bëjnë gjithçka bëjnë njerëzit e zakonshëm të kësaj bote.
Që zënë pozicionet e tyre kur kërcënohet liria dhe kur duhet thënë fjala. Ata nuk bënë asnjëherë teatër në jetën e tyre, për t’u dukur para të tjerëve, fqinjëve apo botës, sepse janë të natyrshëm. Një fshat mes malesh, me shpatulla mbështetur te mali i tij i bukur dhe bujar, Bogonica, një mal interesant, me dy maja gati simetrike dhe me një livadh të gjelbër në mes, si për të qetësuar rreptësinë e majave në krah të njëra-tjetrës. Duket sikur është projektuar njëherë nga njeriu, pastaj është realizuar, në trajtën e një ë-je gjigande, si tek “ëëolksvageni”. Është një fshat, që nuk shfaqet menjëherë, por pjesë-pjesë për shkak të relievit të thyer dhe të kodrave, që fshihen njera pas tjetrës, me pemë rreth oborreve dhe me një prehër tokë para çdo shtëpie për shkak të terrenit të sertë prej guri e shtufi. Por i bukur, ndoshta më i bukuri i fshatrave përreth , i zbritur buzë rrugës automobilistike, me një lumë të kthjellët, që gjarpëron midis rrapeve, që e bën më poetik dhe romantik. Një fshat i vogël, por i veçantë, me mullirin e dikurshëm, me shkollën, me qendrën shëndetësore, me klubin e vogël ndanë xhadesë, me dyqanin në Qafën e Ubavit, me njerëz, që e kanë ditur me kohe se bota nuk fillon e mbaron me sinoret e fshatit, ndonëse pa emigracion të shënuar. Ndërsa pas vitit 1990 si gjithë të tjerët. Dhe nuk e rrahën ndonjëherë gjoksin se kishin bërë çudira…
Ka qenë fshat i madh dikur, thonë. Bile një këngë popullore flet për 42 dyqane!.Pak si shumë!..Gojëdhëna thotë se dikur një murtajë shoi fshatin dhe, mes lemerisë, ata që shpëtuan iknin ku të mundnin. Një pjesë e tij mbeti, për pamundësi largimi apo nga malli për vatrën,(ku i dihet?!) duke u zhvendosur pak më tej, aty ku sot është Fshati i djegur, një arkeologji e rrallë mbi tokë, një “Trojë e vogël” labe, shqiptare, djegur në fillim të shekullit XX (1914) nga po ata që dogjën Trojën e madhe. Këtë ndjesi më jep, sa herë e vizitoj, sidomos pasdite, në perëndim të diellit, kur nga rrezet e tij muret e rrënuar dhe pluhuri i shkatërrimit marrin një ngjyrë kafe të kuqërremtë. Ka dhe një pllakë në lapidarin simbolik atje. Sot fshati po braktiset sërish, por jo prej ndonjë fatkeqësie natyrore a pushtimi, por thjesht me dëshirë për një jetë më të mirë drejt qyteteve. Ndoshta kjo braktisje do të kthehet në një rilindje, në një pamje e funksion tjetër. Do të vijë koha, kur do të ndërtohen shtëpi të reja për efekt pushimi, sidomos në verë. Nuk është një ide fantastike. Besoj do të ndodhë kështu, bile jo larg, sapo ish fshatarët të “ngopen” me qytetin, gjë që e kanë bërë të tjerët para nesh. Sepse natyra në Kallarat është e bukur: mali, lumi, pylli i Morrezës me rrepe te lashtë, ajri i pastër, qielli i thellë…Duhet vetëm rruga e mirë për të shkurtuar kohën, pasi nga Vlora 50km nuk janë ndonjë distancë e madhe. Ndoshta një ditë, një rrugë e mirë do të shkojë dhe atje…