Poeti që nuk vdes kurrë-Llesh Gjoka


– Kushtuar poetit Ndoc Gjetja

Po të kërkoj o Poet, ditën që ke lindur

Si një urim zemre për Ty, si një blatë e bekuar

Se vdekja jote ka kohë që ka humbur në qiell

Vetë perëndia e ka mohuar.

Po të kërkoj o Poet, këtu me disa poetë të tjerë

Para portretit tënd mjekërrthinjur me respekt u ndalëm

Tē morëm përqafim në krahë vargjesh frymëzimi

U betuam edhe njëherë për Dhjatën.

Me qytetin u zgjuam, me vargjet e tua në gojë

I shpërndamë kudo si polen temjani

Që lulet të çelin si metafora dashurie

Qytetit buzë Drinit, në çdo dritare.

Po të kërkoj o Poet siç kërkon bujku farën

Arë e poezisë kurrë të mos mbetet djerrë

Se Ti je idhull frymëzimi, Ti na e sjell vlagën

Plug i artë në zemër përherë.

Po të kërkoj o Poet, Biri i Njeriut

Qyteti ta dha emrin apo Ti ia fale atij

Por e di se do të kalojnë shumë e shumë vjet

Do të jetosh si gur themeli me poezi.