Poetja Barie Çupi: një Bukowske shqiptare…!Nga Nexhbedin Basha


Disa mendime rrethi librit me poezi “Fjalë të palexueshme”, të poetes Barie Çupi.

Nga Nexhbedin Basha

poet e gazetar

Libri “Fjalë të paxueshme”, të poetes Barie Çupi, një titull intrigant të jep sinjal që ta lexosh patjetër, për të kuptuar më së miri çfar ka dashur të thotë autorja me këto fjalë. Që në rreshtat e para kupton se jeta e autores gjendet mes vargjeve në poezi, ku trajton problemet sociale, familjen, shoqërinë, vendlindjen emigracionin jetën e përditshme bardh e zi. Një jetë me gëzime e hidhërimi, me dhimbje e mall, ku nëpërmjet fjalëve me kuptim alegorik e mendim filozofik autorja u jep jetë poezive të saj dhe i bën të lexueshme, ku siç shprehet ajo, “edhe akujt e lotëve fikin gjithë zjarret”, ç’ka tregon se poezia e saj është reale, nuk pajtohet me “Zylat” e shoqërisë, me padrejtësinë dhe e bën të zëshëm vargun, gricës dhe zjarmues të shpërthej si flakadan.

Dhe këto i jep bukur më vargjet:

“O ti qenie e butë që i ke vjedhur dritën hënës,

Në ç’fjalë të pa lexueshme…

Me sy ç’kërkon a ç’don të thuash?!

… dhe më pas vijon…

Nuk dimë ç’të gatuajmë me këtë njerëzi,

Ca mendjesh dehur si sharlatanë,

Ca qortueshëm lumturohen e të bëjnë sehir,

Ca i tërheq prej vetes, e t’shtyjnë matanë…”

Autorja nuk fsheh dot realitetin, kur thotë “nuk fshehim dot diellin” dhe pastaj “Brengat e Bukowskit”, poet e shkrimtar Amerikan i cili shprehet : ” “Vlerësoje veten, kurrë mos ju përkul njeriut, askush nuk është më i mirë se ti, pasi Zoti na krijoi të gjithëve të njëjtë! …Edhe vargjet e poetes Çupi, shkojnë në të njëjtën gjatësi vale dhe jetojnë me të njëjtin shqetësim. Ndaj mund them “Poetja Barie Çupi, është një Bukowske shqiptare”, e cila mban shumë brenga brenda shpirtit dhe me të cilat ndeshet çdo ditë. Ajo si një lehtësim shpirtëror përdor vargun “të gjithëve…guri i varit do na presë”. Një diçka e natyrshme, një rrugë ku do kalojnë, të bardhë e të zi të pasur e të varfër, të mirë e të kqinjë… Ajo krahason mjaft bukur “uiskin”, me “kafen pa sheqer”, duke gjykuar se në fund të fundit secili në mënyrën e vet e shijon jetën me të mirat dhe të këqijat, me varfëri e pasuri.

Poetja Çupi, një poete e vargut të lirë, tepër e vështirë në të kuptuar dhe si “rebele” fjala i ngjiz në poezi. Në poezitë e saj paraqet me vërtetësi realitetin njashtu siç është dhe për këtë tregohet një luftëtare e pa mposhtur. Ajo përdor metaforat krahasimet epitetet si, “cicërimat e zogjve” dhe “qiejt e tymosur”, që si hyjni përplasën me “ulërimat”, ku zëri i të cilave ndjehet kudo, në zyrë, në rrugë, në biznes, në mal, në fushë në shpi etj. Ky është dhe shqetësimi poetes, e cila apelon të mos heshtim, por të ngremë zërin deri në kupë të qiellit dhe kjo vlen sidomos për gratë e dhunuara, të nëpërkëmbura nga patriarkalizmi burrnor shqiptar, për femrat e trafikuara, etj, etj. Ky mesazh jepet nga autorja që në faqen e parë nëpërmjet thënies; “…Më ka ngrirë imazhi yt në retinë, fillimi është atje, streha e fundit do të gjëmojë në qiell…”. Kjo nënkupton se jeta nuk është një kopësht me lule dhe ndaj të mos lejojmë të na vrasin ëndrat të tjerët, por të luftojmë, të luftojmë deri sa të fitojmë lirinë e munguar. Në këtë kuptim i qartë është mesazhi pasi të gjithë jemi në një anije dhe kemi një jetë në këtë botë dhe një streh “kemi në qiell”, ndaj në poezinë “Drit’hijet e zemrës” që i shfaq dhe në kopertinën e veprës pohon autorja: “as dora e piktorit s’mund t’i pikturoj”, se ato janë fshehur nën lëkurë dhe në “kupolën e shpirtit”.

Ky shqetësim i autores gjendet në çdo varg të poezive të saj. Për këtë po përmend disa si, “Amanet të kam dhe unë”, “Melodi hënore”, “Malli që rri zgjuar” “Nanë…fshije lotin nanë” etj. Të jetuarit vazhdimisht me drit’hijet, brengat autorj mësohet me dhimbjen dhe qetësohet kur shprehet heqja dorë nga “shkulmi i frikës” , që herë duket “si mur i shembur”, dhe herë “si avuj lotësh”, e “dengje hallesh”. E të gjitha këto, thotë poetja përballohen me fuqinë e arsyes, duke i konsideruar rretë e murme, si lule pranverore. Këto autorja i shpreh edhe kur dialogon me nënën, ku dhe gjen forcën për të ecur përpara. Këtë e shpreh qartë në vargjet; “disa kanë shpirt të errët/ mun në gji t’i ngulin thonjtë”. E këtu flet për dhunën ndaj femrës, e cila kurrë nuk e humb shpresën dhe lufton me vehten që ëndrat të mos ja shuajnë, mesazhe këto që nuk i përkasin vetëm poetes por gjithë shoqërisë, për të mos u pajtuar me përgjumjen. E pastaj nëpërmjet vargjeve tregon se nënat e gratë kanë kaluar peripeci të mëdha në jetë, që i shpreh me figurat letrare, si “përrenj gërryeshëm”, “dimra të egër”, e prap nuk janë mposhtur. Ata janë heroina dhe loti i tyre i freskët ka mbetur, ashtu si ka mbetur fjala e ëmbël, këshillat dhe përkëdheljet e flokëve.

E tek lexon poezinë për nënën kupton se çdo varg ka figura artistike, epitete, krahasime, hiperbola, metafora. Edhe “Loti i nanës”, është një metaforë tek vërtitet poetja Çupi, që vuajtjet i konsideron “gërvishtje lëkure” dhe jo “vragë”. Ajo del nga dallgët dhe gjen rrugën e jetës, ku e shpreh me vargjet “zgjim drite që n’kërthi”. Në këtë rrugëtim ka ndjerë ngrohtësinë edhe mbështetjen e nënës, fëmijëve dhe uratën e babait. E ka të fshehur atë nën lëkurë dhe i ruan si amanet për jetën, ku thotë aq bukur në vargun “në do të jetosh, mos e derdh gjithë gotën”.

Poetja shkruan për dashurinë me shumë finesë dhe herë, herë ndjehet e zgjënjyer, ku shprehet; “të desha aq shumë/ gjer në cfilitje nga mëkatet e tua”, ku dhe me butësinë time “më ke vjedhur kohën”. Kur ndalet tek ky fenomen apelon për gratë dhe vajzat të mos lënë, “që rretë t’u zënë diellin”. Çdo dashuri kërkon diell. Por, kur diellin e zënë retë, atëherë ka një rrugë si të jetosh jetën me fëmijët, sikurse e mbyll poezinë me fjalët “hajdeni uluni fëmijë më tryezë”.

Poetja në poezitë e saj ka muzikalitet, fuqi të vargut dhe këtë e zbukurojnë gjetjet artistike, që nuk mungojnë pothuajse në çdo varg të poezive, ku fabula e bën poezinë të lexueshme dhe lexuesi aty merr dhe mesazhin e titullit të librit, “Fjalë të pa lexueshme”. Në poezitë e saj ka një fitbek mes poetes dhe lexuesit. Kjo frymë është e shtrirë si tek poezia “Abstraksion”, “Të martë e mira”, “Do vritemi e pastaj do duheni”, “Malli që rri zgjuar”, “Kur hënës i ngjasova”, ..etj, etj. Fjala në poezitë e saj ka peshë, thellësi mendimi e filozofi. Më to shpreh dashuri, mall, zemërim, rebelim. Ajo cek gjithçka në galektike dhe merr prej tyre aromën e dashurisë edhe nga yjet, edhe nga hëna, edhe malet, fushat, nga deti, nga gjethet, gurët, nga zanat, nga vendlindja, nga retë…etj, dhe në fund thotë: “sa dielli hodhi shtat/më thau të gjithë lotin”. Beson se “Dielli”, që e hiperbolizon me ngrohtësinë, ku thotë: ” Dielli të than lotin” dhe “rrënkimet e akullt m’u bën zjarr e flakë”, “qerpikëve të pishës, pash t’ju rridhnin lot”. Apo tek poezia “Dashuri idhnake”, flet për zhgënjim që me aq finesë e jep nëpërmjet vargut, “Si turrën me shkarpa, dogja mall e ëndërrime”.

Tek lexon poezitë e poetes Berie Çupi, kupton se në vargje nuk ka lulka, as qoka, po ka ylber me shumë ngjyra dhe këtë e lidh me lulet trandafilat, që djajtë ja “mërzitën jetën”, “ja këputën trandafilat”, por besimi në zot kurrë, njashtu sikurse e përmend disa herë poeti e shkrimtari Bukowski në veprat e tij. E ky besim në Zot e trimëron poeten dhe e bën atë më optimiste për jetën, duke parë me sy krotik gjithçka që e rrethon dhe ndaj dhe rrëmon në lëmin e poezisë, njashtu si minatori në kërkim të kromit në galeri. Dhe të gjitha këto ja le peng lotit, që s’ka çmim.

Autorja ka poezi që flasin, që përcjellin mesazh për jetën, që burojnë në përditshmërinë e saj. Edhe te poezia e titulluar “Eh çlavire kohë”, poetja Çupi, merakoset për gjithçka. Edhe titulli ka një metaforë, që hiperbolizon realitetin ku ndodhemi dhe përdor fjalën “lavire”, që ka penguar diellin të ngroh hënën të ndriçoj, të mbaj dimër e të bie shi e borë. E ky fitbek mban gjallë ndjenjat e poetës që lë gjurmë në çdo varg të poezive të saj, si “vetmia”, “melodia e shpirtit”, “rrugët pa hije”, “rrokupujë”, :zhurma e kohës”, “rrëfreni i një jete”, “makineria e kohës”, “erë e vendlindjes”, “tallaze jete”, “në luginën e madhe” etj.

Poezitë e zj.Çupi, janë jo vetëm imazh estetik arti, por dhe një mënyrë e re komunikimi me lexuesin që përcjell një mesazh të caktuar, jo vetëm për të rinjtë, por për të gjitha moshat. Ky dizajn filozofik që ka realizuar poetja është një risi, që ajo e sjell në kujtesë të njerëzve në librin me poezi, që është një mjet i cili miqëson poeten me lexuesin.

Poetja e mbyll librin me poemën “Në luginën e madhe”, ku ndërtoi jetën mes zallishtesh, bletësh e gjallesash, në prehrin e maleve, në dushqe e shelgje. I dhëmb jeta dhe thotë “o jetë dil prej bistaku të njomë e bëhu lis i drejtë”, “dil o jetë në fushë mejdani e rrëmbe fjalët”…”dil si do të dalësh e merru me zjarrin që po djeg një katund”…E në fund e mbyll aq bukur me vargjet “veç hijen time pas, e ndjek kushdo që mund…”, çka tregon se hija na ndjek pas në çdo hap të jetës. Po kur të vdesim… E tek lexon poezitë e autores Çupi, mëson se jeta ka dallgë, ka kaçurrela, batica e zbatica me të cilat ndeshen jo vetëm poetët.