Poetja Irma Kurti botohet në gjuhën spanjolle në Kili


 Poetja Irma Kurti botohet në gjuhën spanjolle në Kili

Librat e poetes shqiptare janë botuar në 11 vende të botës

Poetja dhe shkrimtarja Irma Kurti boton në Kili përmbledhjen e saj me poezi në gjuhën spanjolle dhe angleze titulluar: “Tu imagen entre mis dedos”. Libri mban logon e “Independetly poetry” me botues Luis Cruz-Villalobos dhe përmbledh poezi të shkëputuara nga vëllimet e saj të mëparshme. Përkthyes i poezive nga anglishtja në spanjisht është Javier Prieto.
Një nga revistat e njohura në gjuhën spanjolle që titullohet “Cine Y Literatura” (Kinemaja dhe letërsia) që merret me shkrime kritike për letërsinë në Amerikën e Jugut ka botuar një recension në gjuhën spanjolle lidhur me këtë libër të ri me firmën e poetes dhe kritikes Vesna Andrejevic. Shkëpusim një fragment prej tij: “Shpirti poetik i Irma Kurtit është plot me dritë, si kur qan ashtu dhe kur buzëqesh, një shpirt poetik i madh dhe i bukur si një det që buzëqesh me dallgët e tij, duke ngjyrosur me mijëra nuanca panoramën e emocioneve dhe reflektimeve të saj, për të na mahnitur pastaj me bukurinë e vet. Bëhet fjalë për përmbledhjen e saj të re poetike, me titull: “Tu imagen entre mis dedos”, poezi të shkruara fillimisht në gjuhën italiane, por këtë herë të përkthyera në spanjisht dhe anglisht.Në mënyrë spontane lind pyetja: “A është e mundur të shkruash dhe të poetizosh në një gjuhë tjetër nga ajo më e afërta, më e natyrshmja, më e sigurta, pra gjuha amtare? Irma Kurti, poete dhe shkrimtare italo-shqiptare, e vërteton këtë më së miri me vëllimin e saj të ri poetik. Dhe pastaj shkon një hap më tej, sepse me poezitë e saj të bukura dhe të sinqerta që shkojnë drejtpërdrejt në zemër të lexuesit, ajo i përgjigjet edhe pyetjes nëse është e mundur të krijosh e të shkruash poezi në një gjuhë të ndryshme nga gjuha amtare. Një argument delikat siç është edhe vetë përpjekja poetike, por e suksesshme në rastin e Kurtit. Poezia e saj është e pastër, e thjeshtë dhe e bukur në sinqeritetin e saj, aq bindëse, saqë prek menjëherë telat e zemrës me një lloj ‘naiviteti’, pikërisht atë që zotërojnë vetëm fëmijët dhe poetët.”
Irma Kurti është poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe përkthyese. Ka filluar të shkruajë e të botojë poezi që në moshë të vogël.
Librat e saj, përveçse në Shqipëri, janë botuar gjithashtu edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Francë, Itali, Rumani, Turqi, Kosovë, Filipine, Kamerun dhe Indi.
Ka botuar 26 libra në gjuhën shqipe, 20 në italisht, 11 në anglisht dhe 2 në frëngjisht. Ka përkthyer 13 libra të autorëve të ndryshëm, si dhe të gjitha veprat e saj në italisht dhe anglisht.