Poetja Irma Kurti boton librin e 21-të në gjuhën italiane


Poetja Irma Kurti boton librin e 21-të në gjuhën italiane

“La tua voce nel vento” është një homazh për balerinën Rivja Fiora që humbi jetën në moshën më të bukur në Itali

Poetja dhe shkrimtarja shqiptare Irma Kurti boton librin e 21-të në gjuhën italiane titulluar “La tua voce nel vento”. Zëri yt tretet në erë është botuar edhe në gjuhën shqipe në vitin 2020 nën logon e shtëpisë botuese “ADA” në Tiranë. Parathënia është shkruar nga poetja dhe kritikja letrare Vesna Andrejevic.
Në shënimet e autores shkruhet: “Ky libër përmban 75 poezi të përqendruara në temat më të dashura për mua siç janë: dashuria në kuptimin universal, nostalgjia për vendin e origjinës, udhëtimi i brendshëm për të zbuluar shqetësimet, brengat dhe gëzimet e shpirtit, sepse rruga për të njohur veten, ndjesitë që gjenden në skutat më të largëta të qenies sonë nuk mbaron kurrë. Por ky libër ka një veçanësi: ai nuk i kushtohet prindërve të mi, siç ndodh në të gjithë librat e botuar tashmë, por balerinës Rivja Fiora, ëndrrat e së cilës u shuan në moshën më të bukur, pikërisht kur jeta po i buzëqeshte dhe po i hapte dyert e suksesit. Pavarësisht tematikave të ndryshme të trajtuara, ai është një homazh për talentin, mirësinë dhe bujarinë e kësaj balerine, dëshmitarë të të cilëve janë të gjithë njerëzit që kanë patur fatin ta njohin nga afër…”
Rivja Fiora lindi më 5 korrik 1999 në Rovereto të Italisë. Ajo ishte katër vjeç kur filloi të hidhte hapat e parë në vallëzim dhe që nga ai moment nuk reshti së vallëzuari, edhe në momentet kur nuk ndihej mirë, kur ishte e lodhur apo kur përballej me vështirësi të ndryshme. Rivja ishte një vajzë e thjeshtë, e sjellshme dhe e ndjeshme, e gatshme për të ndihmuar të tjerët. Ajo ishte gjithmonë e qeshur dhe përcillte pozitivitet tek të gjithë njerëzit përreth saj. Humbi jetën në rrethana tragjike më 9 shtator 2018 dhe rrugëtimi i saj ishte i shkurtër. Ajo nuk mundi ta jetojë plotësisht ëndrrën e saj, nuk mundi të shihte realizimin e të gjitha objektivave më ambicioze. Pavarësisht nga kjo, Rivja arriti të lërë një kujtim të bukur, të fitojë zemrat e nxënësve të saj, vajzave që u mësoi vallëzimin, duke u përpjekur t’u përcjellë atyre talentin, pasionin dhe përkushtimin e saj.”
“La tua voce nel vento” mban logon e shtëpisë botuese Youcanprint në Itali dhe lexuesit mund ta gjejnë në libraritë më të rëndësishme online.