Poetja Irma Kurti vlerësohet në Festivalin e Letërsisë “Zheng Nian Cup” në Kinë


Në Festivalin e Letërsisë “Zheng Nian Cup” në Kinë

Poetja shqiptare Irma Kurti nderohet me çmimin e tretë në “Zheng Nian Cup Literature Festival” në Kinë. Poezia titullohet: “Love, you don’t know” (I dashur, ti nuk mund ta dish). Vargjet u kushtohen ndjesive, emocioneve dhe përjetimeve të një emigranti, jetës në një vend të huaj, ditëve që shpesh shndërrohen në sfida në një realitet plot me njerëz indiferentë, që nuk denjojnë të të hedhin një vështrim. Kjo poezi është vlerësuar gjithashtu me çmimin e parë në Konkursin Letrar Ndërkombëtar “Poseidonia Paestum” në Salerno të Italisë në vitin 2015 si dhe në konkursin ndërkombëtar Italo-Rumen “Picàturi de suflet, 2020”.
Festivali, në të cilën morë pjesë poetë dhe artistë nga vende të ndryshme të botës u organizua nën kujdesin e Ekspozitës së Artit dhe Letërsisë Kineze, Shoqatës së Kaligrafisë dhe Pikturës Moderne të Kinës, Gazetës së Kulturës Moderne, Gazetës së Shkrimtarëve, Akademisë Ndërkombëtare të Kaligrafisë dhe Pikturës në Pekin si dhe Departamentit të Redaksisë së Kulturës dhe Arsimit Bashkëkohor në Kinë.
Irma Kurti është poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe përkthyese. Ka botuar 26 libra në gjuhën shqipe, 22 në italisht, 15 në anglisht dhe 2 në frëngjisht. Ka përkthyer 16 libra të autorëve të ndryshëm, si dhe të gjitha veprat e saj në italisht dhe anglisht. Poezitë e saj kanë fituar çmime letrare në Itali, Zvicër, SHBA, Filipine, Shqipëri, Liban dhe Kinë.