Nikollë Loka

Njihe poetin dhe shkruaj për poezinë. Poezia është karta tjetër e identitetit për poetin, janë gjurmët e shpirtit të tij që nuk shlyhen kurrë. Ramush Nikçin mund ta njohësh edhe pa e takuar kurrë, pasi t’I lexosh poezinë, që shpreh thekse të veçanta identitare. Nikçi është poet i imazhit dhe i penelatës. Ai fotografon dhe pikturon me fjalë. Nëse nuk ua ndezin imagjinatën fotografët dhe piktorët, shkoni te poeti dhe nuk do të zhgënjeheni. Poezia e tij ka lindur në mes të maleve, gjithnjë në ngjitje, rrugëve të ngushta në mes të krepave të Bjeshkëve të Namuna, për të mbetur atje si pjesë e lartësive të epërme të shpirtit. Poezia është e atyre bjeshkëve që e ngjyrosin shtatë herë fjalën e ti mund ta lexosh në kuptime të ndryshme. E
E përbashkëta e këtyre poezive është të folurit me art, figuracioni i gjetur poetik, mesazhi që përcillet dhe thellësia e ndjenjës. Te Ramush Nikçi gjejmë poezinë e kthimit te vetvetja, për të gjetur malet, bukurinë, kujtimet, dashurinë, gjurmët në kohë. Mjeshtëria e ligjërimit poetik zhvendos imazhe ikjesh, braktisjesh, zhbërjesh, por dhe kthimesh, mirëseardhjesh dhe rizgjimesh. Është një poezi e shkruar bukur, ku poeti e thur dhe e shthur fjalën, për t’i dhënë shumë kuptime sipas situatave dhe rrethanave, për ti dhënë peshën e kohës, dritë dhe hije dhe lartësi e thellësi sipas rrethanave.
Si gjithnjë me gjuhë të zgjedhur, me një gërshetim të bukur të dialektit të vet kelmendas me letraren, poeti Nikçi sjell freski në mendime, ndjenja dhe përfytyrime. Poeti flet në kryesisht vetën e parë, duke i bërë përjetimet më të gjalla në monologje me veten, por shpesh herë flet me dikë tjetër që e ka pranë, me mjedisin poetic që e shoqëron dhe me muzën, që herë merr pamjen e bjeshkës dhe herë të vajzës. Vargjet e tij ngjajnë si një vërshim pranveror në një ditë me diell, plot me mefora të gjetura, apo që vijnë natyrshëm si: fusha plot florin; albume alpesh, me dëshira lumë; shqipet fluturimthi vizatojnë ylbere. Metaforat e Nikçit janë origjinale dhe i bëjnë poezitë e tij interesante, të dallueshme dhe të identifikuar me trevën nga vjen poeti, si albume alpesh; fuqi ujëvare; rrugëtim guximi; hijerinè; me hapërim të gjatë; me tru jargavec; ta trupojè vetminè; nga ngjyrat palaqe; pèrloshèn mrrolushkat nè ballin mollèzak, opingar farèzi, çekan dimèrak, stinè ecajake, farishtat ezmere, flakuar nga vala, skifter krahlehtè, njè shekull durimi, me shikimin pjeshkè, efshohèt gojèligu, bisedè me bisht.
Në poezinë e gjatë “Dro na kanë yjet zili”, fjalët dhe shprehjet në dialekt i shkojnë shumë frymëzimit rinor dhe tërheqjes që vjen prej dashurisë. Ndjenjat e mëdha, poeti preferon t’i shprehë në dialekt, gjuhë që e ndjen më thellë, që e kupton më mirë dhe që e ka kod komunikimi. Bishè e egèr dhamtè e butè/ syrin pishè leshrat e gjata.// Djalè lum dada mos u tut/ta pres frikèn sikur shpata!/ Cubarak me mendje skrutè,/ dro habitèm, na zè nata!//Vetëm pejsazhet alpine, njerëzit e maleve të hijshme mund të krijojnë metafora të tilla, që e shenjtërojnë femrën. Poezia vazhdon: Njè drenushè ka plojë si hije/ hiç pa zhurmè, hapèron ngadalè.// Dredhon rrugèn asaj brije,/ lèkund qafèn hiç pa fjalè,/ tèrfèllon me gjuhè dashnie/ me vesh t’gjatè me sy t’pèrdalè
Ka dhe krijime fjalësh, si fortojmë, që vjen nga ndajfolja fort dhe dalluan nga forcojmë në nuance të shprehjes, ndërsa te poezia “Drini është i imi” kemi një sërë fjalësh të reja apo fjalë të rralla që ndonëse janë përdorur në këngët popullore të trevës, ende nuk kishin hyrë në poezi si: gurgjak, zylyfe, gjahton, cubarak, mendje skrutë, bistek, hapëron, trefullon, kaçubishtë, sheu,palohet, çokanis, trohas, brinarèt, verbak, luhajè.thupnajè, breshèrim, kaçurotè, lepurisht, pulak, zuzat etj.,etj.
Poeti formon fjalë të përbëra që i japin nuance të reja kuptimore vragut si: vetullzi, sylesh, fjalëkeqi, kackaci, hilemadh, sybelbarak, kangëzi, gushbardhë, gushkuq, dymotake, zemërgjysmake, faqezjarr, orëmirë, gojartë, belhollë, bishtcubel, kamëlehtë, besëcullak, gojëthi, byzëkuq, syhanë, faqezjarre,llullëndezur, faqefryrè, cullèstomak.mundbjerrë, gjakhidhen, surratleshtak, odoxhak, orëmira, tigèrshikim, farèsosur, buzèlidhur, gojèkuçedra, shèrimplota, faqelarè, orèfjetur, rrugèprerè, Coparakè – mjerakèt, fatmjerè, besèkeq, rropatjegèr, faqezjarret etj.etj.
Në këtë vëllim poetik, lirikat e dashurisë vijnë si një ftesë, një gjendje e epërme emocionale dhe premtim, një përpjekje për të tejkaluar druajtjen, hezitimin, mbase dhe frikën, si në poezinë “Dro na kanë yjet zili”, ku poeti shprehet: Bishè e egèr dhamtè e butè,/ syrin pishè leshrat e gjata./ Djalè lum dada mos u tutè,/ ta pres frikèn sikur shpata!/ Cubarak me mendje skrutè,/ dro habitèm, na zè nata!/. Lirikat dashurore të Nikçit e vendosin femrën në një sfond idilik bjeshke, si në një sfilatë, ku edhe vajza shihet si pjesë e një telajo pikture dhe mjedisi rreth saj si një kurorë bukurie që i qëndron mbi krye. Fjala poetike e Nikçit ka përthyrjet e veta, dimensionin e krahasimit dhe të hierarkisë, qoftë edhe kur bëhet fjalë për bukurinë, si në këto vargje të poezisë “Java belbacake”. Me plot zell mèngjezi nisèt nè detyrè,/ buzèqeshet natyra,vrullshèm gufon jeta./Qielli kaltèrohèt dhe deti ndèrron ngjyrè,/fshehèn dallèndyshet nè fole tè veta./
Strukèn ,nuk lèvizin, shikojnè plot inat!/ Ç’èshtè kjo belkèputur e stinès lezetit?/ Shpirtbutè, pikaloshe,me hapèrim tè gjatè,/ do zoti merr krahè, tretèt pèrtej detit! Pa moralizim, por me një teknikë poetike të admirueshme poeti na jep degradimin shpirtëror, që erdhi në bashkëshoqërim me modernitetin, lakminë, etjen për pasuri, egoizmin etj., ku edhe ndjenjat njerëzore kthehen në mall tregu, sin ë poezinë “Terri na buzëqesh:. Fatlumi kish dalè me njè gocè tè tretè,/ nuk e qante kokèn pèr shotat fatmjera./ Sikur thotë me vete: E bajshit me shnet!/ Kur ikin kanjushat, buzèqeshèt pranvera.// Karvani ka ik, se kush n’punè tè veta,/ tash nè njè hulli dhè në tri,katèr a pesè!/ Plakut n’farmaci i buzèqesh kuleta,/ pèrfundim fatal nga moshè e pabesè.//. E njëjta situatë vjen edhe në poezitë “Gojëliga”. Në poezinë “Bardhulinës”, poeti është në kërkim të dashurisë së humbur. Edhe në këtë vëllim poetic, Nikçi përcjell mesazhin se dashuria është sakrificë. Po japim disa vargje të poezisë “Larg lisit orëgjak”: Nisèm lojè gushtake ndèr degèt gjembore,/ larg nga syri i egèr, nga gropa gojètharè,/ me diellin nè roje, me pyllin pèrdore,/ mbollèm lulemjalti pèr stinèn e parè./ U ndamè si dy molla me shije shtatori,/ ma dhuroi lulishtèn, por bjeshkèn ma mori.// Ditèt fluturonin si shpendèt shtegtarè/ vasha me buri kur shkonte te gurra,/ e ndiqte si hije njè gojè e palarè,/ herè me hap kuçedre, here sy turra-turra./ Unè si zog pa flatra me sqep trembalak,/ me vrull çobanisht, por guxim gjysmak.// I njëti mesazh përcillet edhe në poezinë “Mrizi I përlotur”.
Nesër thotë poeti në titullin e një poezia që përshkruan përditshmërinë e shtatë ditëve të javës. Ndërsa flet në të tashmen, ai e fton lexuesin të mendojë të nesërmen, mbase dhe të jetojë me të, brenda një realiteti që e mbërthen e nuk e lë të dalë jashtë tij.
Poezi e Nikçit është e maleve, honeve, shtigjeve të atdheut, ëndrrave dhe ëndrrimeve, nostalgjive, kujtimeve të humbura që vijnë e zhbëhen, duke krijuar pamje sureale të ardhjes, ikjes, zhbërjes dhe të rikrijimit. Në poezinë “Rrugëtim nëpër mjegull” pasqyrohet me nota trishtimi ikja e vajzës. Ikën djemtë me ikjen e parë, pastaj ikin dhe vajzat. Djemtë kanë ikur gjithmonë, por janë kthyer se vajzat ishin këtu. Tash djemtë nuk kthehen më dhe vajzat nuk mund të presin, por ikin dhe ato, në një ikje që përcjell vuajtjen dhe dëshprimin e fundit. Poeti e përsërit fjalën “vij”, disa herë, për ta zbutur disi pezmin e madh që shkaktohet pas ikjeve. Por është një ardhje e kështëzuar, vij nëse…, nëse, etj.etj. që do të thotë se mund të mos vij. Këtë Nikçi nuk e thotë, por e lë të nënkuptuar: Unè po ik, do t’kthehèm kur tè vèrshojè Limi,/ me vale pèrmbi gurè lundroj bashkè me yje./ Nè oxhaqe kullash, vij kur t’shllungojè tymi,/ kur gushèkuqet lirshèm t’lozin nèpèr pyje.//.Vij kurt’vijnè djemnia aty pranè liqenit,/ e ta lëvrojnè plazhin me parmendè antike./ Vij kur t’vijë skifteri prap nè ballè tè venit,/ kur nè tel lahute knohèn kangè kreshnike.//.
Në poezinë “Mjaltë balte” poeti rimerr temën e mërgimit, duke na e dhënë me të gjithë plagët që e shoqërojnë, ku ndihesh i braktisur, i fyer dhe jeton midis shpresës dhe zhgënjimit. Jo,- i them,durim, ai èshtè gurè anècak,/ qè nuk shihèt ditèn nga sy shèrbestarè./ Sa mire na meson jeta pa mèshirè aspak,/ tè marrim kritika nga njè bung kokèçarè,/ qè èshtè pronar kthine, kamèkryq nè oxhak,/ me lavjerrès smirak nga rrashtè e pèrtharè.//. Te poezia “As ditë as natë, kemi endjen e përjetshme në kërkim të strehës së humbur, ndoshta rrjedhojë e tragjizmit të shkeputjes nga rrënjët, që ta humbin farën e nuk di ku duhet të rrish.
Te poezia “Një jetë guri” Nikçi i këndon amanetit të babait për djalin që e la të palindur ende, por që hakmerret për të atin ndaj armikut. Ndërsa te poezia tjetër “Amaneti i plakut”, e fton të jetë i fortë. Poeti shprehet: I tha kèto fjalè, mbylli njèrin sy,/ tjetrin e la hapur t’ia ndalè lotin djalit!/As vaj, as lot gurrash, asnjè minut zi,/ mbaje pastèr plisin, ngrirè nè lulè tè ballit!//
Nikçi e trajton sipas mënyrës së vet temën sociale, marrëdhëniet ndërnjerëzore, lidhjet me pronën etj, si në poezitë: “Klimë dymotake”, “Arën e marr vetë”, “Më le zi”, “Kali bishtcubel” ku me një stil të veçantë, përmes një figuracioni poetik original trajtohet papërgjegjshmëria njerëzore si shkak i vuajtjeve dhe keqkuptimeve.
Poeti në këtë vëllim ka vetëm një poezi kushtimi për Naim Frashërin, bilbilin e gjuhës sonë. Edhe pse për Naimin janë shkruar mijëra poezi, ai ia del të jetë original e ta pasurojë fondin e krijimtarisë kushtuar Poetit tonë Kombëtar me vargje që kanë ndjeshmëri të veçantë: Frashèri shèndetmirè rrethuar me male”,/ fushat mbollèn lule me freski agimi./ Bilbilat bènè dasèm, fèllènzat hynè nè valle,/ lum Pèrmeti ynè, sot lindi Naimi!//
Ramush Nikçi me këtë vëllim të ri poetik ia ka dalë të realizojë ngjitje në krijimtarinë e tij artistike, duke mbetur edhe këtë herë interesant e novator në fjalë, stil, përjetime dhe mënyrë shprehje. Ai po vjen gjithnjë e më tepër si mjeshtër i fjalës së shkruar që thotë shumë. Poezia e Nikçit flet në një mënyrë të veçantë; shquhet për ngjyresën e ndjenjave, mendimeve dhe përjetimeve që përcjell te lexuesi.