Në më pafsh ti prapë në ëndërr,
Mos më puth me buzë të arta,
Më nuk mban e gjora zemër,
Ndizem zjarr me një dorë shkarpa.
Në më pafsh ti sot në ëndërr,
Mos ma mbaj shpirtin zbuluar,
Unë i ziu s’jam për dhëndër,
Ai vakt më ka kaluar…
Erë e ftohtë që vjen nga mali,
Të flladitë hiret e shtuar,
Lermë të hipi prapë te kali,
Që ende se kam shaluar.
Lërmë të dua epiriotshe,
Më mjeko dhe ndonjë plagë,
Trëndafilin e buzës joshëse,
Vëre sipër si mëllagë.
Në më pafsh në ëndërr dua,
Njësoj si vajza e valëve,
Lotin në rrjedhtë mbi mua,
Do t’a fshi me buzë shalëve.
Të heq makiazhin e syrit,
Të të deh aromë burri,
Dalngadalë në lumë të gjirit,
Buza buzën po e vuri.
Në më pafsh në ëndërr ti,
Mua burrin një dorë kashtë,
Do vi unë, prapë do vi,
Që t’a shohim ëndrrën bashkë!
***
Për dashuri do t’a ndez ëndrrën,
Një natë pa hënë, një ditë pa diell,
Me gjethe qielli mbështillma zëmrën,
Ti vetëm eja, fati të sjell…
Mjafton në rrugë një përshëndetje,
Lëvizje buze alla frënga,
Dhe kur se kam zemrën me vehte,
Guximi i marrë më heq nga mënga!
Mjafton “emoji” të më vijë,
Apo një gonxhe shpirt këputur,
Farë e gëzimit të më mbijë,
Në gjak vërshimi yt është futur.
Mjafton një gonxhe buzë pa lyer,
Të ma vendosësh në një anë,
Me flakërimë më ke ngjyer,
I kuq jam bërë si flakadan…
Mjafton të shoh dritën e syrit,
E syrit tënd që ha vargmalesh,
Vështrimi në më prektë gjirit,
Në fund të botës nuk do ndalesh…
Mjafton të jesh aty…për mua,
Të shkoj në mëndje ndonjëherë,
Që të ma zgjosh shpirtin si zgjua,
E të bësh të ndihem erë…
***
Buzët si qershi pikin hënë e plotë,
I ke parasysh magjitë e Epirit,
Të frikshme si nata, si nata e ftohtë,
Shkrepse e zhuritur të ndizet poshtë gjirit…
Buza jote zjarr ndezur pëshpëritje ,
Thashetheme degësh thyer në pasthirrma,
Si këngë të vjetra… ligem mall në pritje,
Zjarrin që kam brenda bëj ç’të duash, nxirrma!
Zjarr t’i vë botës mëndja më shkon shpesh,
T’a shtrydh si limon të gjithin në shesh,
Mos e bëj gabimin të mos më besosh,
Unë jam i marrë fus diellin në kosh!
Se ti më ke çmëndur, gjoksi i harbuar,
Kënga e mesnatës, dalldi e bekuar,
Vrulli i paçmuar i endjes pa fund,
Përroit i’a vodha se dua t’a mund!
Buzët si qershi pikin plot dy kokrra,
Shpirtin sikur elbin m’a bluajnë në mokrra,
Zjarrin kam në trup nuk më lë të fle,
Eja të m’a nxjerrësh… mos e merr me nge!
Eja të m’a nxjerrësh merr me vehte nazet,
Mos i ke harruar në kohë të kaluar,
Si thes më kanë mbushur përfir tallazet,
Nuk na del një natë për t’i numëruar!
***
Ti nuk linde jetime,
Në orë, në datë, muaj, vit…
Mes gjetheve të dafinës,
Të prisje stuhitë!
Ti nuk linde jetime,
Nga një ëndërr pa emër,
Nga një makth i ngelur me barrë!
Ti je frut i një dashurie të pa pjekur,
Në një pemë të thyer,
Nga rrufe të krisura.
Je…pikëçuditsja ime në formë trëndafili,
Ke brënda më shumë dashuri,
Se mbajnë brinjët e holla,
Më shumë mirësi,
Që të mbulon trupin e vogël si paralajmërim agimi…
Më shumë dhimbje,
Që të rrjedh nga hartat e plagëve.
Ti je mëngjesi i braktisur
Pas një nate plot zemëratë,
Je ylli që bie në askund,
Për të stisur botën nga e para…
Ti vetëm të do,
Vetëm të fal,
Vetëm të jep,
Vetëm…vetëm…!
Ti je shtrëngimi që ndjej
kur më kalon shpirti në vrimë të gjilpërës!
Je gjysma ime
në botën e çudirave!
***
Në “plas Kafo” kafeja ime,
Ka kohë që arrati të marrë,
U jap pëllumbave një grusht thërrime,
Nga shpirti im shqiptar!,,!
Dhe zhytem mbytem përmallim,
Për tokën e të parëve,
Ku është tani pëllumbi im,
Vargani i sorkadheve?
A është më mani vjetër,
Është pakur prej vetmisë?
Degëve të gjata është një ketër,
Nga ana e çatisë.
A është më pylli me rrepe,
Anës lumit pa ujë,
Ëndrrat që lashë në sepete,
Mos mi kanë bërë rrëmujë.
Lulet e bardha në ballkon,
A çelin më pa mua?
E shkreta zemër fluturon,
Më merr me vete thua?!…
