Poezi-Nexhbedin Basha


nga Nexhbedin Basha

PSE QAN VARGU?!…

Pse qan vargu jo s’e di,

A mos vallë është pikë loti?!

Si një det i pafund, në strofë rri,

Kur s’e lëmon mungon i zoti.

Si poet e ndjej dhimbjen,

Jetoj me të si në faj,

Marr me vete gjithë urinë,

Ndjehem i plagosur në çdo varg.

Shiu bie vargu ngec,

Si poet jetoj me vargun,

Në të jam përfshirë për dreq…

Veç një zot ma di hallin…

Muzikë e xhaz dëgjoj për ditë,

Në kufje ulërima ka…

Muza e poetit jo nuk shter,

Me telat e violinës ajo më ngjan.

Gjumë fle në plevicë,

Çdo ditë dëgjoj muzikë me harqe,

Vargu vërtet, vërtet më ngec,

As dielli e hëna nuk bëjnë fajde.

Përse qan vargu vallë pse qan?!

Muzika e tij ndihet që larg,

Porsi fëmijët e porsalindur,

Lot, gëzimi e dhimbje në çdo varg.

Nëntor 2023

Si një pemë poezia…

Si një pemë është poezia,

Vargu qan kur s’e lëmon,

Kur ka diell, shi e rimë,

Peshë ka fjala dhe gjëmon.

Se një filiz po s’u vadit,

Nuk lëshon rrënjë e shtat,

Në këto kohëra me turbulenca,

Dashuria ngrohtë e mban…

Pema pa oksigjen, si lule e vyshkur,

Ajo thahet po s’u vadit,

Me dritë e humus duhet ushqyer,

Që kurora e saj të ndris.

Poezia është si pema,

Si timonier zemra e komandon,

Jeta është si dallgë deti,

Ne çdo varg jeta bleron…

Nëntor 2023

METEORËT E KOMBËTARES…

Në qeillin pa re flas me hënën,

Meditoj nën hije të ullishteve si dikur,

Në turnin e natës loz me yjet,

I shoh në qiell lidhur si një urë.

Në metropol s’ka gjum sonte,

Në “Air Albania” loz kombëtarja me çekët,

Të gjithë mërmërijnë në heshtje.

Akuarelin kuq e zi unë hedh në letër…

Para syve kryqëzohen bëmat,

Qyteti magjik ka festë,

Tirana u përflak nga fishekzjarret,

Doli tymi i bardhë u bashkua me retë.

Eh, ndërkaq ndiqja uraganin gazmor,

Flamuri kombëtar, valvitej në lozha,

Gazetar e kameraman në stadium intervistojnë meteorë ,

Kudo aheng, saze e lodra.

Në sy të tifozëve shkëlqen kostumi kuq e zi e plisi i bardhë,

Kudo jehon kënga “O sa mirë me ken shqiptar”

Marathonomaku shpërndan lajmin e fitores,

Kombëtarja ka hisen e vet në europian.

Të heshtur ishin të mundurit,

Të fituarit ngrinin kupa pa mbarim,

Kombëtarja na bëri befas te lumtur

Shqipet e ndiejnë veten në Olimp…

Tetor 2023

TABLETI DHE ELEKTRONIKA

NJË RISI…

-Për Censusin e 2023-shit, i 12-ti pas, vitit 1923-

Tableti im është i adaptuar,

I kyçur me kod sekret,

Si kronikan i trajnuar hedh fjalë mençurie,

Çiltërsisht e jo me siklet.

Me zemër në dorë shkruaj në module,

Si mysafir trokas derë më derë,

Ai që nuk e di se çështë censusi,

Rri në banësë si “i mjerë”… ,

Jemi shënjuesit e

censusit të 2023-shit,

Elektronika e tableti një risi

Këto fjalë do mbeten në vargjet e poetit,

Se hëna do ndriçojë çdo shtëpi.

E kur dielli do ndriçoj truallin shqiptar,

Thellësinë e gjësë, do kuptojë njerëzia,

Kjo ngjarrje do shkruhet në ditar,

Si ogur i mirë do kujtohet ndër vite.

Shtator 2023

DET, O DET, KUSH JE TI?!…

Det, o det kush je ti?!

Brenda teje mijra fjalë,

Si një perëndeshë syshkruar,

Je idil e je përrallë.

Valët ikin thithin ajrin,

Erë e lehtë si sharmi jodit,

Si fllad më përkëdhel ballin,

Qetësia shëron lotin.

Je si qiell pa mbarim,

Kur jam pranë teje ngopem me ajër,

Mëngjeset pres me padurim,

Si fëmijë ndjej mallë.

Buzë mbrëmjeve mysafir me ty,

Para syve një lëmsh i zjarrtë,

Perendimi i diellit në det një magji,

Deti është Ilaç…

Uji i detit lan lodhjen,

Ulurima e valëve një mister,

Deti si një perëndeshë bukurie,

Dashuria nuk është pendim…

Deti si një dashuri pa zinxhir,

Si diamant shkëlqen në lartësi,

Në vargjet e poetit shpirt rebeluar,

Si telat e një lahute në lashtësi,

Në vargun tim deti ka peshë,

Sa Dielli, Toka dhe Ajri,

Muzika e dallgëve më vjen, si xhaz,

Gjysmëhëna bën rrikoshetë me valët.

Rri në breg, erën e kripur ndjej,

Që si fllad vjen nga deti,

Aroma e jodit më përkëdhel,

Deti dhe valët fshehin sekretin.

Korrik 2018

ME KALORS E KALORSIAKE…

Skënderbeu kalorës me nam,

Dritë solli n’truallin e Arbrit,

Në gen është ilirjan,

I lindur në Sinën e dibranit.

U kalit n’beteja si stralli,

Lidhi besë me princër shqiptarë,

Luftoi me shpatë n’truallin dardian

Me kalorës e kalorsiakë…

Si legjendë hyri n’histori,

Rrënjët i ka thellë në Dibër,

Në Vajkal osmanllinjtë shfarosi,

“Kepi i Skënderbeut gjurmë kali” në Qafë Murrë.

Heroi ynë Kombëtar, legjendë e Kombit,

Donika kalorsiane e besës,

Krah për krah si dardan luftuan,

Për Mëmëdhe e Flamur s’u tutën se vdesin.

Mëmëdheu e thirri n’troje,

Lirinë me i sjell kombit shqiptar,

Që nga varri thërret Skënderbeu,

Amanetë dhe vatanë….

Korrik 2023

URI DHE MISTERE…

Në vargje fshihen mistere,

Uri edhe për jetën,

S’dua ajër e frymë vetëm për vete,

Për poetin vargjet s’do shteren.

Në sportelin e marketit buzëqesh,

Me nënqeshje marr çmimet me vete,

Jeta po na shkon për lesh,

Në heshtje magjepsem zgërdheshëm.

Si skllav nderoj kujtimet,

Por skllavëria mua s’më mund,

Poezia paketë kundër urisë,

Jeta është si një pus.

Gurët e mi janë mbledhja poetike,

Balta dhe tymi më mbyt,

Poezia mikja ime titanike,

Nga fjala s’lëviz, dua të ngjiz.

Në rrugë më përshëndesin migjenianët,

Që shtrijnë duart njomështake,

Uria është plagë e mbartur në vite,

Varfëria strukur në vatër.

Poetet hedhin bishta cigaresh në hone,

Vargje pa fund thurrin për jetën,

Uria ka hyrë thellë në pore,

Poezia ime le te ngjiz në deje.

Qershor 2023

FËMIJËT JANË BOTA…

Fëmijët janë engjëj mbrojtjës,

Ata kanë aromë, si lulet në pranverë,

Në këmbë mbajnë gjithë botën,

Janë dielli dhe hëna për ne gjithë herë…

Pa ta s’do kish jetë dhe oksigjen,

Se na mbushin me ajër mushkëritë,

Janë udhërrëfyesit tanë në jetë,

Për ne janë, janë mbrekullitë…

Fëmijët mbajnë botën në këmbë,

Pa ta s’do kish jetë e oksigjen,

Që kur ngjizën në barkun e nënës,

Edhe sytë e prindërve shkëlqejnë.

Në ëndrrat e tyre lexohet shpresa,

Me sytë e tyre shohin galaktikën,

Zëri i tyre muzikë me rimë,

Në muzgun e jetës ata sjellin dritën…

Qershor 2023

NËNË PUTHMË, SA SYTË TË MË LOTOJNË

Në paqe të notojmë…

Sa bukur tingëllon ky togëfjalësh,

Nënë puthmë, sa sytë të më lotojnë,

Dhe më lumturo pa masë.

Më ledhato e fërko kurrizin,

Si përkëdhelja e flokëve nga duart e tua,

Të ndizem i tëri nga afshi i dashurisë

së zjarrtë.

Kurrë mos u zemro me mua…

Nga qielli më qorto me zemër në dorë,

Që në ajër të flutroj,

Si dikur fëmijë kur lozja në borë,

Puthmë, puthmë, e më beko.

Si një zgalem të ndjehem dua,

Më këshillo të bëhem më i paqtë si misionar,

Si të mësohem edhe me urinë,

Amanetin tënd në vend e kam çuar o Nanë.

Dua që lumturia e paqa të rrinë në harmoni,

Si djepi me këngën tënde të ninullës,

Jetoj çdo çast me këngët që më këndoje Ti,

Tani më vështron e shtrenjta ime

në përjetësi…

Shtator 2019

VAJZA NË BALLKONIN

E DAJTIT…

Në sytë e tu dashuria,

Si dy xixëllonja shkëlqejnë,

Dritë, errësirë dhe bubullima,

Nën qerpik lotin fsheh.

Ti në ballkon je poezia,

Me veshjen e stinës dekolte,

Si vajzat në dritare menduar,

Mbi ballin tënd bukuri dhe re.

Ballkoni i Dajtit ka kolorit,

Si sytë e tu plot dritë,

E shoh në sy shkëlqimin,

Me syzet e zemrës çdo ditë.

Shtator 2023

KOHA QENKA BURGU I SHPIRTIT…

Koha qenka burgu i shpirtit.

Vargu i poetit porsi dielli,

Të dyja lidhur si gjerdan ari,

Si shkëndi muza e poetit.

E lashë penën në sirtar,

Si alpinistët u ngjita maleve,

Koha qenka burgu i shpirtit,

Thes i mbushur plot me halle.

Sodis kodra, sodis fusha,

Nëpër kreshta jehon fjala,

Si valet e detit me shumë dallgë,

Herë në fund e herë në maja…

Koha qenka burgu i shpirtit,

Si thesar ruan sekretet,

Në ditarin e poetit,

Si arkiv rruhet kujtesa.

Tetor 2021