Albert Habazaj
Elegji Për Mimozën Në 14 Shkurt
Në zemër të qytetit me dy dete
Një mimozë çel çdo 14 shkurt,
Erën e mirë s’e mban për vete
Të dashuruarve mbi supe ua shkund…
Aroma të këndshme lëshon, të ëmbla
E blerta gjethehollë për çiftet aty,
Si gurrë e dehur mrekulluar në ëndrra
Me buzëqeshje floriri ua bën me sy.
Por … sot, në mesditë u trishtova keq
Kur pashë një kope me frymorë vulgarë,
Tri mesogra me burrat a kushedi ç’dreq,
Iu turrën, ia shqyen degat si barbarë.
Zemëruar, u bërtita me sa zë pata në kokë
Ma shëmtuan të bukurën, oh, sa më dhëmbi!
Ma prishën ditën, më të romantiken në botë.
M’u duk se nën vete më zuri një anë shkëmbi…
PSE HESHT POETI I VLORËS ?!
Hiqmet Meçaj hesht burrërisht dhembshur
Shkruesit e vargjeve shtohen pa rritur si shkurret
Poetët e paktë, si bredha të bukur, të lartë,
Lukunia e shkurreve qelqit digjital turret
S’ka më doganë të merret me shkrimin e artë.
Poeti ynë hesht burrërisht dhembshur
Për qytetin eshtragërryer në furtunë,
Për shtetin tonë liridashës çapaçul i shkulur
Për djalin e tij me universitet, poet e pa punë.
E… shpirti i tij pashfaqshëm çarë më dysh
Brenga mban sa mban barku i këtij dheu,
Ka të drejtë me pashë të na thotë: “Hiqmuni sysh!”.
Tek qartësonte imazhin tonë mjerisht të zbehur.
Ç’ qytetarë të përndritëruar jemi të qytetit,
mirë firmë e vulë, por nuk kemi as zë fare,
detashment me frymë drite për vendin e poetit
po s’u bëmë, na hëngrën krokodilët me kollare.
Mua më vjen turp të takoj Hiqmetin në Vlorë,
Dhe malin, dhe lumin sikur mbaj mbi supe,
Djali i tij pastron qytetin nga mbeturinat, kur ca të gjorë
Të paturpët hanë bukën e ditës me turpe…
SERVILËT
I
Nga të parët na ka ardhë
Nëpër paqe nëpër luftë,
Nëpër halle, nëpër dallgë
Si kujtesë fjala e urtë:
“Qëngji i urtë pi dy nëna,
qëngj’ i egër s’ pi as t’ ëmën,
servili pi gjithë kopenë
dhe pastaj të shikon vrëngër…
[Regjistroi: Kujtesa Sociale; Somitkë, Tërbaç, 20. 03.1960]
II
Zot, o Zot, ç’më zuri koka nga servilët
Më keq se në det notarin zën’ kandilët.
Me servilë, me rrezilë, të tillë bandillë,
Zvarrë- zvarrë, pa skelet, si kërmill.
Duke u lëpirë e ngjitur prapa shefit
Cipëplasur rrojn’ e bëjn’ kokrrën e qejfit.
Ta pështirin të paburrët pa fytyrë
Si s’e lanë një dit’ të shkretë pa bërë mynxyrë?!
Derdimenë qenë e mbenë, dallkaukë
Ha aty e nduk këtu palo kopukë…
Të shpëlarët ia fëlliqën cipën jetës
Por jo shtyllën vertebrore së vërtetës…
Lepuj bëhen me eprorin për në tavë
Si bisha i turren vartësit, gjallë ta hanë…
Zullumqarëve me shtatë maska, (sa të varfër!)
I ngrohtë u vjen zullumi, që ka taksiratin afër.
Ngjyrat e servilëve ndryshkin dhe sahanët që lëpijnë
Zbehur e ndotur si leckë kur këpucët shefit fshijnë…
Sa të shtirë, aq të shpifur dhe të shëmtuar…Për Zotin!
Që me ngjyrat lajkatare mbrapa lenë kameleonin.
Janë më të liq se armiku, bëjnë qivure
Veçse s’kanë bajoneta, janë kobure…
Gjithë trupi, e ç’trup lumi? është veç gjuhë
Gërmojnë si urith e s’bëjnë as ah, as uh!…
Të fusin në dhe të gjallë, gjetën anën
Me gjallesa si ata mos ma derdhni fjalën…
Nga servilët veç të zeza prit çdo ditë
Dinjiteti i tyre është hale, qelb dhe pikë.
DATËLINDJA: 64 APO 46?!
20 Marsi është datëlindja ime
Që nis si ditë e rëndomtë pranverore,
Por, Universi i Mirësisë me urime
Më merr në fluturime princore.
Për mua, nuk është vetëm mosha
Që më bën të shpërfillshëm ndaj vetes,
Shpirtit me nipër e mbesa i mbushet shporta
E këto festa sikur më veniten e treten.
Pastaj, njeriu sado i fortë që të duket
Është në çaste të tilla qenie e brishtë,
Përkedhelja e prindit me fjalë nuk thuhet
Kur mungon, s’ka gjë më të trishtë…
Melankoli, mërzitje, mallëngjim
Hedh krahëve me pelerinën e moshës,
Kur vijnë mbesat e nipi me gëzim
Kam tortën më të ëmbël të botës.
Dhe i flak tutje pezmatimet
Si veten më bëjnë zogjtë e pranverës sot,
Shkallëve të bardha të jetës ngjitem
Dhe zemrën e bëj fole për zogjtë.
Po miqtë e mirë si bredha me frymë,
Si me magji ma hoqën tisin gri,
Dinjitetit të tyre u puth synë
Vijoj Udhëtimin krah tyre përsëri.
Bilbila të fjalës dhe këngës si ata
Janë thesar dhe fat që i kam si yje,
Shporta e shpirtit fjalët e mëdha
S’i mban dot, se ka urimet e tyre.
Po më skuq faqen Piro Bregu
Tek më nis ato fjalë me shtatë drita,
Po Hiqmet Mehmetaj për lirikat strategu
Po flamuri në furtunë Kristo Çipa?!
Sa shumë lule çelën urimet e tyre
Po ashtu dhe një turbullim të ëmbël,
Sa shumë u mbush shporta me yje
Në datëlindjen time, si një ëndërr.
LËNDINË E BUKUR
Shqiptarit londinez, mikut tim, gjyshit Fatmir Terziu me princeshën Elize
Sa i pashë në foto bashkë të dy
Sinqerisht u bëra lëndinë me lule,
Ai gjysh mbretëror me mbesën,… ata sy
Nga kujtesa ime nuk mund të shkulen …
Rri e vështroj fotografinë, po s’ ngopem,
Hej, ç’mrekulli i fal Zoti njeriut!
Mbushem me frymë, me shpirt i gëzohem
Dhuratës më të çmuar të Fatmir Terziut.
E kam mik, po mik me dritë të ngrohtë
Mësuesin, poetin, të mirin Fatmir,
Gjyshin më të lumtur në këtë botë
Që mban në krah një gonxhe erëmirë.
Unë nuk ha me sy, o gjysh Fatmiri,
Se jam syulli, po jam edhe gjysh,
Lumsi ti për atë mëllë floriri…
Para princeshës s’ka si e qysh!?…
E si mos të bëhem lulishte e bukur
Që të fluturojë mëngjesit mbi vesë,
Princesha Elize e ëndërrt si flutur
Si engjëllushe e agimeve me shpresë.
Ata sytë e saj, ajo buzëqeshje bujare
Që s’i pikturon dot asnjë piktor,
E kuptoni që gjysh Fatmirin e çmendin fare
E bëjnë këngëtar, e bëjnë kompozitor.
Në jetë ka dhembje koke nga shtërngatat
Tek mjalti i mjaltit gjejmë shërim,
Ty mirësia të shpërblehet me dhurata
Të ta falë zoti ëmbëlsirën, miku im!
KUJTESË NË DITËLINDJEN E EDËS
Një vashëz e qetë Vlore, bilë çame,
Një dritë e ndezur në shtëpinë time,
Çdo prill, në lulëzim të bajames
Qetësisht si sot kalon ditëlindjen.
Një ditë para ditëlindjes së saj
Eda kujton nënën që i iku shpejt,
Shpirtin e Detes, që fluturon skaj më skaj
E ka ëngjëllin e fatit në jetë.
Ndoshta çdo nënë si Detja për të bijën
Do t’i bënte sfidë çdo llohe,
Koha qe e ligë dhe t’i hapte vendin
Doli në pension para kohe.
Dhe Eda me Nikun u rritën si dy zogj
Ndërtuan familjen e thurën ëndrra,
Lule lumturie mbjellin çdo ditë tok,
Nga gëzimi më fluturon zemra.
Të dy në sy e kanë jetën
Jam me fat: Dy gonxhe më dhanë,
Kur jam me to, hallet treten
Të dyja – mjalti i ëmbël në filxhan.
Ato janë mësueset e mia
Unë jam një nxënës i zellshëm,
Kur lëviz, më bërtasin të dyja:
“Qenke fëmijë i pandreqshëm”…
Për Gjyshin dhe Nënën si Perla dhe Ami
Jo, në këtë botë, askund s’gjenden,
Një ditë po s’i takuam, bëhet nami
Jemi ushtarë para tyre vetëm.
Se më rrëmbyen princeshat në botën e tyre
Tek uroj nusen e djalit të mesëm
Po kot i ngatërrojmë fjalët me yje
Sidomos kur dalin nga shpirti vetëm.
Po një herë si nuk e ngrysi ballin,
Vetëm buzagaze, e urtë e syqeshur,
Jemi krenarë për sjelljen, moralin
Në thelb dhe në shfaqje me virtyte veshur.
Po kaq vjet si nuk e ngriti zërin
Apo të bënte një ankesë, të paktën…
Eda me Nikun, si sorkadhja me drërin
Nga ne, si prindër e kanë uratën.
Se nusja e shtëpisë është fat
Por Eda për ne është dhe si bijë,
E uroj me Mejon: Jetë të gjatë
Dhe dita iu bëftë një mijë!
NJË VJERSHË E VJETËR PËR KADARENË[1]
E shkruar te hyrja e mbyllur e I. Kadaresë
Trokita tri herë në derë,
Thashë, mos erdhe nga Parisi
Të njihte Kulla Eifel
Një gjethe të gjelbër lisi.
Akoma nuk qenke kthyer,
Të të takoj s’qenka fat,
Një zarf po hedh sipër derës,
Kuptohet që s’është trakt.
Duke ngjitur shkallët lart
Drejt demonit Dritëro,
Të mendoja si një makth,
Si Eskil, (si humbës, jo).
Ç’domethënë Kadare,
Fenomen i Universit,
Nga shqipja ka dalë mbi rè,
Diçka mes fatit dhe tersit.
Përulet me krenari
Para teje Çmimi “Nobël”.
Pranoma, o Madhëri
Këtë dhuratëz të vogël!…
Libërthin me poezi
Me emrin “Nata me hënë”,
Nga racioni yt, pak mora
Posaçërisht për mua lënë…
Tiranë, 10.08.1996
Kjo vjershë është shkruar si autograf, në vend të një tufe me lule të freskëta vargjesh për Shkrimtarin e Madh I. Kadare në librin tim me poezi “Nata me hënë”, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1996.
[1]Botuar në vëllimin poetik “Buzëqeshje të grisura”, Vlorë, “Adjona”, 1999, f. 47-48.