Poezi nga Maria Grazia Vai,përktheu Irma Kurti


Maria Grazia Vai ka lindur në gusht 1964 dhe jeton në një provincë të vogël të Pavias, brenda parkut Ticino. Prej vitesh është anëtare e jurisë së konkurseve të rëndësishme letrare dhe interpretuese e poezive fituese.
Në shtator të vitit 2011 organizon tre edicione të konkursit kombëtar “Poezia nën yje”, ngjarje kulturore e organizuar dhe e prezantuar para publikut në një skenar alternativ dhe sugjestionues: në plazh në perëndim të diellit në buzë të detit. Në vitin 2012 organizon konkursin kombëtar në prozë artistike “Nuanca në muzikën Xhaz”. Që nga marsi 2016 është themeluese dhe presidente e Konkursit Ndërkombëtar të Artit “La Couleur d’un Poème”: një ngjarje kulturore e promovuar nga etiketa e saj ImmagineArte, në mbështetje të projekteve të solidaritetit në favor të shoqatave për mbrojtjen e fëmijëve jetimë, qendrave kundër dhunës dhe fondacioneve në mbështetje të grave në situata delikate. Poezitë e saj janë përkthyer në frëngjisht, spanjisht, anglisht dhe janë botuar në revista ndërkombëtare duke përfshirë CaliforniaQuarterly (Shoqatë e poetëve në Kaliforni). Në vitin 2020 i jepet titulli Presidente Nderi e Enciklopedisë Poetike dhe në 2022 ai i Themelueses dhe Qytetares së Republikës së Poetëve.

HESHTJA E TRENDAFILAVE

nuk ka peshë hija e erës:
përkulet mes trëndafilash e hendeqesh
nuk ka zë [ti, e ke parë ndonjëherë?]

më zbulon kështu: me ndrojë

në prehrin e borës së fundit
për të ngushëlluar – sikur të ishte
bija ime – melankolinë tënde

PEIZAZHE DASHURORE

të mbaj në xhepin
e veshjes sime me lule
për ta mbledhur të plotë
parfumin tënd – të gjallë

në lartësinë e ijeve
në buzët e ditës
… ndërsa mbrëmja bie

HIJE TË UJIT TË ËMBËL

kthjellime të shkurtra dhe në mes orët:
dashuria që pas dimrit mbërrin.

  • pas gjithë heshtjes sonë në agim –
    që, asnjë ëndërr jetën mos e shqetësojë.
    E mbrojtur nga një brinjë arre:
    fle, rrëzë një shelgu – zemra

MARIA GRAZIA VAI

PËRKTHEU NGA ITALISHTJA: IRMA KURTI