Poezi nga Mike Turner -Përktheu Irma Kurti


HIJE DHE GENJESHTRA

Vegime fantazmë e ndjekin kujtesën time

Ndërsa sjell ndër mend një dashuri përtej kohe dhe hapësire

Çaste kënaqësie dhe ekstaze

Intervale paqeje dhe qetësie

Idile pushimi dhe përtëritjeje

Fusha me lule pranverore

Që rriteshin kundrejt pamjeve të arta të stinës së verës

Qiej të kaltër dhe re të fildishta

Derisa mbërritën stuhitë

Pikla uji si predha çeliku

Bombat që lulëzonin përmes stepave

Fusha e betejës e mbushur me yje të rënë

Që vëzhgonin se ç’do të ndodhte më pas

Degëzime tymi dhe mjegulle që ngrihen nga hiri

Gjithçka që ka mbetur nga një vuajtje e pranishme qysh më fillim

Nga errësira tek dielli

Nga e keqja tek e mira

Unë veten e pyes tani:

Cilat ishin hije

Dhe cilat gënjeshtra?

NJË NOTË

Secili nga ne ka një notë

Që dridhet në frekuencën e shpirtit tonë

Një kryqëzim i tonit perfekt

Intonacion

Dridhje

Timbër

Që tingëllon brenda qendrës së qenies sonë

duke shprehur mall, dëshirë, dhembje të zemrës, emocion

Tragjedi, triumf, ngazëllim

Që kërkohet si një dhuratë e mrekullueshme e jetës

Ne i biem kësaj note

Me familjarë, miq

Bashkëpunëtorë, të njohur

Edhe me ata që janë anonimë

Sepse secili prej nesh ka një notë

E cila, duke u ndarë së bashku

Muzikën e hidhërimeve, gëzimeve të përbashkëta

Shpresave dhe endrrave krijon

Të gjitha të djeshmet tona dhe të nesërmet

Në këtë simfoni madhështore

Të jetës.

NGUSHËLLIM NË DËSHPËRIM

Kur përballesh me një kohë nostalgjie

Pa shpresë, plot dëshpërim

Kur je hije në errësirën e natës

I zhytur në shqetësim.

Do ta gjesh megjithatë shpresën që të pret

Besimin se çfarë është e gabuar do të ndreqet

dhe dashuria botën do ta pushtojë sërish

Kur gjithçka ikën dhe tretet

Pranoje pikëllimin dhe dhembjen

Duke duruar gjithçka që vjen pas

Dhe ndonëse i lodhur vazhdo të luftosh

Kjo është forca dhe ngushëllimi kur je i dëshpëruar

Ti do të gjesh forcën dhe ngushëllimin në dëshpërim.