Poezi nga Nilavronill Shoovro – Përktheu Irma Kurti


Poeti indian, i cili shkruan me pseudonimin NilavroNill Shoovro është themeluesi, redaktori dhe botuesi i revistës mujore në internet Our Poetry Archive (Arkivi ynë i Poezisë). Poezitë e tij janë përkthyer gjerësisht në shumë gjuhë evropiane. Ai është gjithashtu eseist dhe shkruan artikuj mbi çështjet sociale, aktualitetin dhe letërsinë.

200 DITË GJENOCID

Nuk ka më lot për të derdhur
Nuk ka shpresë për të ndërtuar
Asnjë ëndërr për të mbajtur
Nuk ka turp për t’u fshehur
200 ditë Gjenocid

Të destinuar për t’u vrarë
Të destinuar për të vuajtur
Të destinuar për t’u bombarduar
Të destinuar për të mos qenë krenarë!
200 ditë Gjenocid!

Askush për t’u besuar
Askush për t’u mbështetur
Askënd për të pritur
Askënd për të gjetur pranë vetes
200 ditë Gjenocid!

Të destinuar për t’u sulmuar
Të destinuar për t’u pushtuar
Të destinuar për t’u shtypur
Të destinuar për t’u dëbuar
200 ditë Gjenocid!

©NilavroNill 24 prill 2024

E PASHMANGSHME

Një moment i shkurtër hezitimi!
I një mendjeje të pushtuar
Plot dyshime dhe mosbesim

Ai i vëzhgoi të gjitha këto, me
Një buzëqeshje të zbehtë si
Rrezet e para që shkëlqejnë vetëm

Një moment i shkurtër hezitimi!
I përvojave të gjata, përreth
Kujtimeve të humbura dhe kohëve moderne

Ai i dinte të gjitha këto që më parë
Ashtu si shkrimtari që luan me
Personazhet dhe fatet e tyre

Një moment i shkurtër hezitimi!
I gabimeve njerëzore, mëkateve njerëzore
Epsheve dhe tundimeve pa limit

Ai e vëzhgoi njerëzimin kaq gjatë!
Ai nuk kishte as shpresë dhe as dëshpërim
Ai nuk kishte as dhimbje as pikëllim

Një moment i shkurtër hezitimi!
I egos sime, i arrogancës sime
I krenarisë time, i paragjykimit tim

Ai e dinte, Ai dështoi pa masë
Ai e dinte, instinktet e Tij nuk funksiononin
Ai e dinte, gjithçka ishte e pashmangshme!

©NilavroNill Shoovro

Përktheu nga anglishtja: IRMA KURTI