Poezi nga Rosy Gallace, përkthyer nga Irma Kurti
Rosy Gallace ka lindur në Guardavalle, në provincën Katanxaro të Kalabrisë dhe jeton në Reskaldina të Milanos. Që në rini ka kultivuar pasionin për të shkruar poezi e tregime. Nga 2011 filloi të merrte pjesë në konkurse letrare kombëtare e ndërkombëtare, ku u vlerësua me çmime të shumta dhe prestigjioze, përfshirë Çmimin e Kulturës në vitin 2014. Rosy Gallace është ideatore, organizatore dhe presidente e disa konkurseve letrare. Organizon lexime poetike dhe prezantime librash, si dhe është anëtare jurie në konkurse të ndryshme letrare. Ka botuar librat me poezi: “Fragmente të vogla”, “Ditët që mbeten”, “Fjalët e pathëna”, “Gjurmë kujtese”, “Përtej fjalëve” dhe “Transparencë e dritë “. Veprat e saj janë përkthyer dhe botuar në gjuhën angleze, shqipe dhe rumune. Në vitin 2021, në logon e Shtëpisë Botuese ADA, dhe me përkthimin e Irma Kurtit botoi përmbledhjen poetike “Përtej fjalëve”. Poezitë janë shkëputur nga libri i saj i fundit i titulluar “Transparencë e dritë”.

Ditë e pavlerë
Qielli është gri këtë mëngjes,
gri si shpirti im
si mendimet, si një shpresë.
Unë endem e përhumbur
duke kërkuar kuptimin e orëve
që rrjedhin ngadalë dhe bosh.
E hap dollapin në stinën e verës
dhe vesh fustanin me lule
të bruzta si qielli i dikurshëm.
Duke u parë në pasqyrë zbuloj
ledhatimet e fshehura nga rrudhat,
kështu, papritmas gjej kuptimin
e ditës sime të pavlerë.
Nënës sime
Të shoh përsëri
me fustanin ngjyrë blu
duke u mbajtur tek një bastun.
Më mirëpret me buzëqeshjen
e zakonshme, ke akoma forcë
të me bësh nje kafe dhe një nga
biskotat e tua të sapopjekura
të më ofrosh.
Nuk bën pyetje, por i përgjigjesh
të gjitha heshtjeve të mia dhe më
tregon ëndrrën e fundit për babain.
Pastaj më përcjell tek më pëshpërit
në vesh: “Gjithçka do të sistemohet”.
Nga dritarja mes barbarozave ma bën me dorë.
Barbarozat janë ende atje. Edhe ti je ende
pas dritares dhe i përgjigjesh të gjitha heshtjeve të mia.
ROSY GALLACE
Përktheu në shqip: IRMA KURTI