

Vesna Andrejevic është përkthyese, shkrimtare, poete dhe mësuese e Gjuhës dhe Letërsisë italiane, serbe dhe ndërkombëtare. Ajo jeton dhe punon në Serbi dhe merr pjesë vazhdimisht në iniciativa dhe ngjarje të ndryshme kulturore, konkurse e çmime në Itali dhe në Evropë. Bashkëpunon me revista të ndryshme online duke botuar tregime dhe ese me tema letrare së bashku me përkthimet e saj (Satisfiction, Faranews, Euterpe, Irisnews etj).
Krijimet e saj në prozë dhe poezi janë vlerësuar rreth tridhjetë herë dhe janë botuar në antologji të ndryshme si në versionin e shtypur, ashtu edhe në atë elektronik në Itali, Zvicër dhe Serbi. Vesna Andrejevic merret gjithashtu me organizimin e veprimtarive kulturore si pjesë e projektit ndërkulturor Ura – ylber midis Italisë dhe Serbisë në bashkëpunim me shtëpinë botuese FaraEditore në Rimini, Itali.
BALERINAT
Cilat janë ato balerina të dëborës
që vallëzojnë pa pushim nën qiell
nga shpirti derdhin gëzimin e butë
tek ëndërrojnë të ardhmen me diell.
Ku vrapojnë ku e bëjnë vallë folenë
me erën psherëtijnë e marrin frymë
hapa të mëndafshtë, jetë prej fluture
mbajnë nën fre heshtjen që në fillim.
Me shpresë i lyejnë gjurmët e tyre,
janë ëndrra të strehuara në dritë
nga bardhësia e shpirtit të verbuara
frymën e fundit në vargje e shkrijnë.
Marrë nga përmbledhja poetike dygjuhëshe “La miracolina-Mrekullibërësja” me autore VESNA ANDREJEVIC, botuar nga Youcanprint, Itali, 2023. Përkthyer në gjuhën shqipe nga IRMA KURTI.