NDËRMJET LIRIZMIT DHE EROTIZMIT

– Refleksione rreth poezisë “Qielli pa ty”, të poetit Ndue Marku.
(Publikuar nga autori në portalin “Global Poet and Poetry”, më 21 janar 2021)
Nga Llesh Gjoka
Poeti lezhjan Ndue Marku, autor i nëntë librave me poezi, është tashmë mjaft i njohur për lexuesin.
Duke lexuar poezitë e tij, ajo që të bie në sy menjëherë, është lirshmëria dhe ngrohtësia me anë të së cilës poeti i qaset temës së dashurisë.
Femrës, të dashurës, në mënyrë të drejtëpërdrejtë, i atribuohet vetë ekzistenca e jetës.
“Qielli pa ty nuk është qiell
por rrasë varri”.
Poeti e sublimon ndjenjën e tij në kufijtë e universales dhe legjendës.
E dashura si figurë poetike, lëviz si shëmbëlltyrë, si hije duke qënë e pakapshme jetësisht.
Kështu ajo kthehet në një drithërime shpirti që mund ta ketë vetëm një vuajtës në grahmat e fundit të jetës.
Dashuria e thellë projekton veprime dhe fantazi që e tundojnë së tepërmi poetin:
“Sonte do të duhej të isha atje patjetër
Sonte do të duhej të të kisha dhënë
një puthje prilli”.
Fataliteti i një dashurie të munguar ndjehet qartazi me vargje që të rrënqethin:
“Oh sa fort më përgjak
tehu i mungesës tënde”.
Dashuria, kjo ndjenjë universale, duket se pluskon bukur ndërmjet lirizmit dhe erotizmit duke i shkrirë kufijtë ndërmjet tyre.
Shprehje poetike të tilla si: “puthje prilli” “afshi i gojës” etj. e argumentojnë mendimin sa më sipër.
Ndër mjetet stilistike mbizotëron krahasimi: “rrasë varri”, “si hije” etj; epitetet: ” drithëruese” etj; simbolizmi: “qielli” et; metaforat: “tehu i mungesës tënde” etj.
Poezia “Qielli pa ty” ngjan si një qershi kuqëluese mbi tortën e ëmbël të poezive liriko erotike të poetit të njohur Ndue Marku.
Më poshtë ju ftoj të lexoni poezinë:
“Qielli pa ty”, autori: Ndue Marku
QIELLI PA TY
Qielli pa ty nuk është qiell,
por rrasë varri
Qielli pa ty nuk është qiell,
por saç përvëlues.
Sonte do duhej të isha atje,
pranë teje.
Sonte do duhej të të kisha dhënë
një puthje prilli.
Sonte do të kisha dëgjuar
afshin e gojës tënde.
Sonte duhej të ta kisha dëgjuar
aromën e sqetullave të tua.
Sonte do të doja të dehesha me ty.
Oh, sa fort më përgjak
tehu i mungesës tënde
kur më shfaqesh mbështetur
në bërryl, përmbi dheun e varrit.
Kur më shfaqesh si hije
përtej dritës drithëruese të qiririt.
O e bukura ime e pikturuar nxitimthi
mbi shuplakën e dorës sime të humbur !

Të gjitha reagimet:
1Gori Stafa