Poezi-Zoica Gjolla Popi


(Marrë nga libri im i parë me poezi” “E larë me yjet”.
Të gjitha të drejtat i përkasin autores).

SA E DESHA DHJETORIN

Sa e desha Dhjetorin
nëpër mesnatë po vinte
në qiellin e errët
në dyndje resh
të përhimëta në zbardhje
në lëkundje shtrojash.

Rendnin … sa rendnin…

Dy yje u zbuluan
mes bardhësisë në zhdukje
farfuritnin
dridheshin.

Qeshnin … sa qeshnin…

Në profeci figurash
që s’donin ta besonin
hëna u fsheh e turpëruar
nga lakuriqësia e pemëve
plotësisht të zhveshura.

Mërdhinin … sa mërdhinin..

Një melodi e largët
e pazakontë
e trishtë
e përmallshme
e magjishme
shkriu ujin e ngrirë
të një burimi.

Etje … sa etje…

Nga dy buzë
në formën e puthjes
më të ëmblës puthje
mbetur në dëshirën e shpirtit
Sa e desha Dhjetorin
në zjarrin e ndezur.

Erdhi… sapo erdhi..