Poezia e Kudret Kokoshit këndon duke qarë…Zyba Hysen Hysa


Poezia e Kudret Kokoshit këndon duke qarë…

Poezia është shpirt, ndaj poeti kur shkruan provon një orgazëm shpirti, sikur vdes dhe rilind brenda një çasti që vjen si vetëtimë dhe ikën si erë me stuhi duke lënë mbi letër vargje poezie… Poezia është ajo pjesë e shpirtit që del nga poeti pak nga pak për të shpëtuar vdekjen e tij, për të ndriçuar sytë e pa dritë dhe për të ndezur shpirtrat e fikur të njerëzve.

Kur marr në dorë një libër (nuk di pse e kam këtë ndjesi, të cilën e kam dëgjuar edhe nga Novelisti turk Orhan Pamuk), që në prekjen e parë të krijohet përshtypja se çfarë karati do të ketë ai libër. Mbase kjo është mistike, mollëzat e gishtave “lexojnë” duke prekur librin, mbase aty janë grimca energjie të shpirtit të autorit, që shkenca i quan kuante, të cilat veprojnë pa vetëdijen tonë mbi ne, japin e marrin sinjale, ne vetëm provojmë ndjesi, ashtu siç ndodh në dashuritë e vërteta, ku mendja e logjika jonë kurrë nuk i japin të drejtë zemrës, ndjenjën e luftojnë pamëshirshëm, por nuk ka deri më sot asnjë tru njerëzor të shpikë shigjeta aq të holla që të ekzekutojë kuantet, të cilat janë grimca energjie, që as shihen dhe as preken, ato janë përherë në lëvizje, aq sa hyjnë në trupin e njeriut, po aq dalin e shpërndahen në Univers, ashtu si bletët në zgjoin e tyre, derisa, po si bleta, që vjen një ditë dhe e braktis zgjoin e strehohet diku tjetër, edhe këto grimca energjie që ne i quajmë shpirt, vjen një ditë dhe dalin përfundimisht nga trupi i njeriut drejt universit për të gjetur “zgjoin” tjetër për të bërë ripërtëritjen…

Siç e shohim, tek ne ndikojnë energji që flasin pa fjalë, na sjellin ndjesi nga më të ndryshmet dhe më të habitshmet, ndaj duke menduar kështu u bindem ndjesive të mia në shumë aspekte të jetës, unë veç i shijoj ato…

Dua të them, se kur mora në dorë vëllimin poetik “Drithmë Jete” të Kudret Kokoshit, poet që unë kurrë nuk kam mundur ta takoj dhe ta njoh fizikisht, pa e hapur librin, preka cilësinë e lartë të poezisë së tij, ndjeva aromën e poezisë së tij, ndjeva peshën e lotit dhe dridhmat e shpirtit të tij pushtuan edhe shpirtin tim.

Kur ndërroi jetë poeti Ali Podrimja, kur ende nuk ishte gjetur trupi i tij, shkrova poezinë: “Në lumin e Lumit shkoi”, ku vargjet rridhnin mes lotësh. Ç’na shtynë të kemi këto ndjesi? “Një dridhmë athëtime më pushtoi shpirtin/ Mornica – mornica, dhembja trupin pulsoi/ Zemra papandehur u mbyt… ndryshoi ritmin/ Poet – poeti në lumin e Lumit të tij shkoi…/ Si vallë më ndodhi kjo gjendje kaq tronditëse/ Asnjëherë se kisha parë nga afër, poetin kosovar/ Mos vallë poezia mes poetësh bëhet lidhëse/ Muza mike e përbashkët, të bashkuar na mban…/ S’di, çfarë u shkëput nga brenda qenies sime/ Ndjej një dhembje që dhemb thikë më thikë/ Lotët më vërshojnë… qaj… gjer në klithje/ Lot rrjedhin nga librat e tij poezitë…”

Mes njerëzve ka lidhje mistike, e pse e shpjegova më lart, por shpjegim nuk kanë, se cfarë më shtyn mua të dergjem mbi poezinë e Kudret Kokoshit dhe të rri gjatë në kompjuter të hedh refleksionet e shpirtit tim?? Atëherë them se më e veçantë, më e thellë, më hyjnore, kjo lidhje është midis poetëve, sa shpesh ata ndikohen dhe në krijimtarinë e tyre, pa kuptuar.

Unë kam qenë me fat që përveç Naim Frashërit që më ka ngjallur dëshirën për të shkruar poezi që fëmijë dhe kurrë nuk munda të shkruaja atëherë, saqë edhe sot e ndjej atë rëndesë mbi shpirt , e cila më bëri që unë ta urreja poezinë dhe poetët e kurrë nuk lexova poezi, nuk doja të njihja jetën e tyre, kurrë nuk u afrova një poeti për të biseduar. Mbase tek unë ishte krijuar “urrejtje” e kjo bëri që unë dashje pa dashje u dashurova me poezinë, këtu mbase ka vend thënia e popullit: “Atë që urren, të behet fat.” Ishte një fat që për fat unë nuk u ndikova nga asnjë poet në shkrimin e poezisë sime, ajo është imja, krejtësisht imja.

Vitet që pasuan më kanë bërë që të trokas në vepra brilante poetike botërore dhe po kaq të mrekullueshme do të veçoja poetët e shekullit XX, poetët e ndaluar, të cilët kohët e fundit më kanë thithur me poezinë e tyre sikur duan të më plotësojnë atë kohë që unë nuk kam lexuar poezi.

Ardhja ime për të jetuar në Vlorë, më ka bërë të njihem me poezinë vlonjate të Ali Asllanit, Fatos Arapit, Hyqmet Meços, të poetëve të ndaluar nga diktatura, babë e bir, Isuf e Dalan Luzajt, Miliano Stefa… e shumë tjerë të rinj e të vjetër e më në fund kam në dorë poezinë e Kudret Kokoshit, autor që e kam ndeshur gjatë studimeve të ndryshme, kur shkrova librin “Sharrajt në Jetën e Kombit”, në dokumente që vërtetojnë fillimin e vëllavrasjes me ekzekutimin e të riut Hazis Sharra, ku njëri nga ekzekutorët e Sharrës, ndër të tjera deklaron: “Aty u bë një debat i gjatë nëse duhej vrarë Kudret Kokoshi, i cili ishte anëtar i Qarkorit të Ballit, apo Haziz Sharra që ishte përfaqësues i Rinisë së Ballit. Pas shumë diskutimeve fituan ata që mbështesnin vrasjen e Haziz Sharrës, duke arsyetuar se po të vritej Kudret Kokoshi, Hazizi si njeri i aksioneve, do të merrte hak duke vrarë krerët kryesorë të Qarkorit komunist, kurse po të vritej Kudreti, e shumta do të shkruante disa poezi si njeri i penës që ishte…”

Ashtu siç më rrinte në mendje Isuf Luzaj, që edhe atë e kam ndeshur po në këtë studim, ashtu më rrinte si hije mbi kokë imazhi i tij prej një patrioti, ndër më intelektualët e kohës, poeti zemërbeharë, që të paktën, poezia i shpëtoi jetën për ta dënuar atë me vite internim deri në Austri e më pas me vite burgim në diktaturë, e gjer kur vdiq me një xixëllim të mekët pas vitit ’90, ku nga shtëpia e tij dëgjonte thirrjet e popullit në shesh “Liri – Demokraci”.

Kudreti u bë pjesë e bisedave të mia me miq e shokë. Një ditë tek bisedoja me Fari Shaskën, ish i internuar, në lidhje me poetin kujtonte: “Në vitin 1970 erdhi në Kocul bashkë me dy tjerë të persekutuar, Dino Alemin dhe Guriun e në bisedat tona, veç tjerash ai recitonte poezitë e tij. Aty ai tha se shumë poezi i mbante mend përmendësh, ai dinte përmendësh “Komedinë Hyjnore” të Dantes, ku fillonte e recitonte me pathops të madh…”

Kështu Kudreti, një ndër poetët misionar të asaj kohe, edhe pse krijonte shumë poezi, në dorëshkrime janë gjetur pak, pra vetëm një vëllim poetik, të tjerat, ose ia kanë sekuestruar, ose nuk ka mundur t’i hedhë në letër. Bah! Sa fatkeq poeti, edhe me shpirtin e tyre nuk mund të bëjë çfarë të dojë, por Kudreti ishte nga ata poetë që dinte ta ndrydhte shpirtin e tij, por kurrë t’ia përdornin të tjerët, siç bënë disa “figura” që shkelën me dy këmbët mbi shpirt për t’u bërë vegël e komunizmit e për fat të keq, ato “figura” akoma bëjnë “figurë” në fushën e letërsisë shqiptare, ku mjaft poetë e shkrimtarë të dënuar e persekutuar, vetëm përmenden ngandonjëherë, për të maskuar komunizmin e ri që lindi pas viteve ’90, një komunizëm, që zhveshi petkun “hyjnor” dhe doli me gjithë dhëmbët e fshehur prej vampiri dhe që prej 23 vjetësh thithi e thithi gjakun dhe mundin e shqiptarëve pa mëshirë, pa pyetur nëse ekziston popull, veç kush mund të hajë më shumë, kush mund të vjedhë më shumë… o Zot i madh, se çfarë është bërë këtu!

Të flasësh për figura të ndritura që i rezistuan furtunës komuniste me dinjitet, siç është dhe Kudret Kokoshi, është në nderin e gjithsecilit, se në radhë të parë u lehtësojmë pllakën e mermerte të varrit, ua çelim sytë pasardhësve për tu ndjerë krenarë dhe në radhë të tretë, por që ka rëndësi parësore, është detyrë patriotike me rëndësi kombëtare që brezat ta dinë të vërtetën e hidhur të Kombit tonë e të hapin sytë për të çuar në vend aspiratat e tyre për pavarësi dhe bashkim kombëtar.

Vëllimi poetik “Drithmë jetë” të fut dridhma në shpirt, por edhe të bën të ndjehesh krenar për pena të tilla që shkruajnë jo vetëm për të kaluar kohën, siç bëjnë shumica e poetëve të facebuku – t, por pena që lënë shenja të vyera për brezat.

Të shkruash për Vlorën, do të thotë t’i thërrasësh historisë, të shkruash për Vlorën, do të thotë t’i këndosh himn Flamurit, të shkruash Vlorës, do të thotë se i ke ndritur ballin Kombit…

Në një intervistë, thënë gazetarit Murat Gecaj, ndër të tjera jam shprehur: “Në Vlorë, ndjehem si në ndonjë vend të shenjtë… “, se vetë Vlora ka veti që të pajis me një lloj energjie, që ne e quajmë muzë, pa e kuptuar se nga vjen; nga Kanina, apo nga deti, nga shekujt, apo nga e ardhmja… Unë për Vlorën kam shkruar më shumë se për vendlindjen time, më shumë se për dashurinë, se Vlora është tempulli i Kombit tonë… këtu ka nisur udha… këtu është prerë kjo udhë… këtu duhet të rinisë për të mbërritur në triumfin e kombit. “Pasqyrë e stërmadhe, ku historia e Kombit shihet/ Nga përplasja e dallgëve/ Stërkala gjaku ngrihen…”, kam shkruar këto vargje në vitin 2002.

Çdo shqiptar duhet të vijë, të paktën 3 herë në jetën e tij në Vlorë, ashtu siç shkojnë besimtarët myslimanë në Mekë, Vlora është Meka e shqiptarisë. Cili erdhi në Vlorë e nuk u ndje krenar, cili lindi në Vlorë e nuk luftoi me zjarr…? “O Vlorë, Vlorë! Flamur, krenari/ Zemër e gjak e kombit heroik/ Ti që thyen pranga e shuan robëri/ Përherë më shfaqesh në vegim magjik!” do shkruante poeti Kokoshi të fillim të librit poezinë “Vlorës”

T’i shkruash Vlorës, t’i kujtosh heronjtë, se më shumë se Vlora asnjë vend nuk i ndjeu thikat e dhembjes, ndaj me shkrimet, poezitë i mjekojmë plagët me krenari shqiptari. “Të pashë atje, në Vlorë!/ Një flakë ta digjte zemrën/ Një këngë kishe në gojë:/ Unë fli do ta bëj jetën/ Që Komnbi i lir’ të rrojë.”, shkruan tek poezia “Luftëtarët e Kombit”, apo tek poezia “Epos” Me djersë e gjak për shekuj je vaditur/ Me djersë e gjak të bijve tu, Atdhe!/ Mbi ty rrebeshet shpesh jan’ përsëritur/ Po kurrë ti përkulur nuk u je… Ti, qe gjithnjë me llavë e shkreptima/ Si vullkan pate shfryrë për liri.”Dhe vargjet himn, do të thosha të poetit “Fuqinë ia rrëmbeva unë stuhisë/ Dhe me të mbrujta vargje për Atdhenë/ Prej zjarrit kur u dogja të lirisë/ Dhe Vlorës i këndova epopenë.”

Kurrë kombin ynë nuk ka pasur mundësi të mjekojë plagët deri në shërim e pse plagë mbi plagë, kombi ynë nuk u shua, me plagë të hapura ai është ngritur në këmbë e ka mbijetuar. Ai është si një lis që shekujt e kanë qëlluar me sopat pa mëshirë, i kanë prerë nga trungu krahët, por duke i prerë krahët, nuk kanë mundur të presin degëzën e majës që sheh drejt lirisë dhe të shkulin rrënjët e lëshuara në tabanin shekullor.

“Dhe kur shpatën mishrave ta futën/ Në re, sërish u ngrite më krenar…/ U turrën bijtë e tu Shqipëri kreshnike/ Në krye, shpatën zhveshur, Skënderbeu!” shkruan tek poezia “Epos”. Në pak vargje një histori e gjatë, një histori e madhe, sa e lavdishme, aq e dhimbshme, ku betejat përfundonin me fitore, ku fitoret prisnin beteja pa fund gjer në atë vjeshtë të tretë, që si thotë autori në poezinë “Një ditë në vjeshtë” në disa vargje: “Unë pashë një ditë vjeshte një flamur bërë çika – çika/ Një flamur me shkabë të zezë, që qe prerë me njëmijë thika…/ Oh, than’ zemrat, oh, sa bukur mbi Vlorë shkaba valon!/ Unë pashë një ditë vjeshte epopenë e kombit tonë”.

Një pavarësi e brishtë “flamuri çika – çika” pra vetëm në një copë Shqipëri, por që vendosi atë pak fat për të mos u fshirë nga harta e botës e bëri Lufta e Vlorës së 1920 – ën, ku bijtë e Vlorës dhe të mbarë Shqipërisë luftuan duke kënduar, duke rënkuar, se lufta është një këngë e dhimbshme, por mort është robëria. “Kush lufton mbi ata brigje? Oh, kush vdes duke kënduar?/ Kush tha – Rroftë Shqipëria? Kush këndon duke rënkuar?/ Kan’ vendosur a të shuhen, a të hyjn’ doemos në Vlorë!” thuhet në poezinë “Epope”

Figurën e Neronit, perandorit romak, nga më mizorët, ashtu siç e ka përdorur edhe Isf Luzaj, për të cilën dhe u burgos, që simbolizon mbretin zog, edhe Kudreti Kokoshi, sigurisht me atë simbol e ka dhënë, por shumë mirë do t’i shkonte më për shtat Enver Hoxhës, se më mizor se ai nuk ka parë “Neron” tjetër ky vend, një Neron që fliste shqip, një Neron që vërtet e ktheu Shqipërinë në ferr, ku Dantes nuk do i duhej shumë rrugë për të bërë në botën e përtejme, se ajo botë kishte ardhur ndër ne. “Zjarri shpërthen e skuq natën e qetë…!/ Në frenezin’ e egër prej mizori/ Romaku perandor ndihet poet…”

Historikisht në shekujt e robërisë më të robëruarat kanë qenë gratë shqiptare. Ato e dinin që kur lindnin foshnjën se djemtë e tyre, kur të rriteshin do të ishin kurban të lirisë e ato me këtë i ushqenin qysh në djep parmes ninullave; “Fli… bir’ i nënës, fli… / Të më rritesh për Shqipëri…” Të rralla nëna i këndojnë fëmijëve ninulla të tilla, të rralla gra e përballojnë dhembjen e garave shqiptare. Sa nëna shqiptare kanë parë djemtë e vrarë, sa nëna janë përdhunuar në sy të fëmijëve, sa vajza janë masakruar e më pas janë vrarë, sa e sa ka duruar gruaja shqiptare e sa trimëri ka shpalosur duke luftuar përkrah burrave… Nuk llogaritet… sikur veç mallin të peshojnë nga rrëmbimi i bijve dhe syrgjynosja e tyre në kampe e burgje nëpër botë, vite e vite e së fundmi nga bijtë e zhdukur nga Serbi gjakatar, ku nuk kanë dhe një pllakë varri të shkojnë t’i qajnë bijtë e tyre… malli shtresohej dhe loti terte sytë, shpirti errësirë e frikshme për të jetuar, pa gëzime, pa këngë, veç vaj e lot, ku veç shpresa xixëllonte mekët, ajo shpresë që i mbante gjallë, ndaj poeti do shkruante në poezinë “Gruas shqiptare” vargje adhuruese: “E bukur je dhe trime, o e pandara/ Shoq’ e shqiptarit, nër gëzime e vdekje… Në syt’ e tu të thellë, si shpirti i Kombit/ Vrejtoj pavdekshmërinë e fisit tonë… /O perëndesh’ e Shqipërisë, o trime/ Grua shqiptare që s’pranon kurrë zgjedhë!”

Një shoqëri e zhvilluar njihet te respekti dhe dashuria për femrën, si pjesa më e brishtë e shoqërisë, si pjesa që shpalos bindshëm humanizëm dhe dashuri njerëzore të mbrujtura natyrshëm në zemrën e saj. Ajo shoqëri, ai komb që nuk e ruan këtë respekt, kurrë nuk ka zhvillim, kurrë nuk ka mirësi, se çdo gjë fillon nga respekti ndaj vetes dhe të respektosh veten, në radhë të parë duhet respektuar ajo që të lindi e që të rriti, më pas respekti dhe dashuria shpërndahet kudo, pa dashuri dhe respekt, nuk ka zhvillim shoqëror, duhet të duash, që të sakrifikosh mundin e djersën tënde për hir të dashurisë, se dashuria është përkushtim ndaj asaj që do, por në një shoqëri siç është shoqëria shqiptare, ku asnjëherë nuk ka mundur të jetë vetvetja e jo më të dojë vetveten. Kohërat herë na vishnin, herë na zhvishnin kostumet e tyre e gjatë kësaj veshje e zhveshje, u ftohëm, u mardhëm, na ngrinë tiparet tona shqiptare dhe kjo bëri që ne të mos njohin vetveten.

Vetëm të mençurit dinë të vlerësojnë femrën, të adhurojnë nënën, motrën, gruan, miken… vetëm të mençurit u këndojnë himn që të gjithë të çelin sytë e të ngrohin shtatin e mardhur nga veshjet e zhveshjet e kohëve antikohë për shqiptarët. E nuk mund të rrish pa lotuar nga vargjet e Kudret Kokoshit për nënën, për motrën, për gruan, për dashurinë… saqë them me ngazëllim “Sa mirë që jam grua, jam nënë, jam motër, jam mike…!”

“Një fat mizor prej vitesh na ka ndarë/ Dhe dergjemi në mall që s’ka të thënë/ Oh, ku të kam, oh, ku të kam, o nënë/ Të fshi’ me buzë lotët që ke qarë!… Nënë, sa ty tjetër krijesë s’dua!/ Të jem vetë plak e ti gjithmonë e re/ Sa dëshiroj të marr rrudhat e tua!”

Seç më kujtohet një këngë popullore e Librazhdit, që këndohej shpesh nëpër odat tona: “Qaje moj lule beharë/ Siç qanë motra të vëllanë…” teksa lexoj poezinë “Motra “ të këtij poeti dhe më vjen mirë që një vëlla e ka shprehur me dufin e shpirtit dashurinë dhe lidhjen e pazgjidhshme motër – vëlla, por e them me bindje që shpeshherë vëllai nuk e kupton marrëzinë e dashurisë së motrës, se për vetë faktin që ai jeton gjatë në gjirin e familjes e motra ndërron vatër e mallohet për kujtimet e saj, të cilat nuk mund ti zëvendësojë as me një jetë nga më të bukurat që mund të kalojë në familjen e burrit, por si duket largimi i autorit nga familja, larg, në internim e në burg, i dha shkas ta kuptonte më mirë motrën, ta vlerësonte me vlerën që ka dashuria e saj e veç kësaj, ai ka qenë një njeri intelektual dhe me një shpirt të ndjeshëm poetik.

Po kështu më vijnë në mend vargjet e poetit vlonjat, Dalan Luzaj, ku në katër vargje kushtuar motrës, ai jo vetëm që shpreh dashurinë, por dhe vlerësimin e saj: “Motra ka krahë e të vjen/ Motra, pas nënës na bëhet nënë/ Motra, ka zemër e të ndjen/ Motra brenda shpirtit të gjen.” Ndërsa poeti Kudret Kokoshi, jo vetëm i thur vargje kujtimeve të fëmijërisë, por bisedon me të parmes vargjeve duke kaluar ditët, netët e vitet e burgut të egër komunist në Burrel e kjo është provë e madhe e dashurisë së tyre njerëzore. “Motër! Sa lehtë/ Sa ëmbël udhëton në zemrën time/ Ky emër drithëronjës porsi fletë/ Që përkëdhel puhia/ Në të mermet agime/ Ky emër i dlirë/ Si rreze dielli që s’përlyhet kurrë!… Edhe të mitur ishim/ Në lodra gjithë gaz kohën kalonim/ Pa brenga e pa mendime/ Dhe vraponim e vraponim/ Në kaltërsinë e qiellit!… Me ngashërim në shpirt e lot’ në sy/ Të thirra në vetmin’ e dëshpëruar!…/ Ca pika loti, ( jo i dëshpërimit) është çlodhës/ I ëmbël, përkëdhelës për çdo zemër…” dhe më poshtë pasi kalon si një film lodrimet fëminore, edhe grindjet mes tyre i duken mjaltë e për t’i dhënë zemër motrës, për ta qetësuar atë dhe veten, ai përshkruan pranverën, shpresën e jetës, se një ditë do të ishte i lirë dhe vendi do çlirohej nga gaforrja komuniste. “E bukur është jeta, motra ime!/ Shiko si qesh natyra me pyjet që këndojnë/ Me lulet ngjyra – ngjyra/ Është pranvera, është pranvera motër!…/ Është jeta motër! Mua m’ep t’ëmbla ndjesi/ Edhe tash që jam me thinja dhe rrudha…/ Motër!/ Ky emër i dëlirë/ Si rreze dielli që s’përlyhet kurrë!”

Nëna, motra ishin për të ngushëllim, bisedë në vetmi, dy dashuri që kurrë nuk veniten, ato janë po aq të gjalla dhe te pastra edhe kur nuk i kemi pranë, edhe kur i harrojmë të përfshirë në vorbullën e kënaqësisë, apo të dhembjeve të jetës, pak të trokasësh në portën e mallit shpërthen dashuria e tyre, një dashur pa shpërblim, një dashuri që kurrë nuk konsumohet, nuk ndryshket, “s’përlyhet”, thotë autori. Kështu poeti me forcën e imagjinatës së tij shpërthen dyert e blinduara të burgut, sa më shumë e burgosin poetin, aq më e lirë bëhet zemra e tij, shpirti i tij prej dallëndysheje fluturon folezës së kujtimeve dhe në ato vende që asnjë nuk i di. Poeti qesh duke qarë e qanë duke qeshur, poeti është i lirë edhe në burg, poeti është më shumë i pasur në varfëri, poeti dallon dritë dhe në errësirë, shikon errësirë dhe në dritë, poeti është gjallë dhe i vdekur, poeti është i vdekur edhe në mes të gjallëve… poeti është poet dhe kështu ka qenë dhe Kudreti…

Burgosja, internimi, persekutimi i inteligjencës shqiptare prej armiqve të kombit e lanë kombin pa frymë, pa dritë, në errësirë, ku lakuriqët e natës fluturonin të lirë e dihet, lakuriqët nuk e durojnë dritën, ndaj dritën e burgosën e një dritë e burgosur shton dritë që kur të vijë koha e dritës, lakuriqët jo vetëm nuk dalin të fluturojnë më, por do të ngujohen nëpër shpellat e tyre.

Me gjithë këtë shkëlqim të dritës së shpirti të tyre, ata burra shqiptarë, për hir të së ardhmes së Kombit, humbën familjet, fëmijët, humbën dashuritë, ku njerëzit lakuriqë ngritën kurthe, bënë shantazhe duke gënjyet dhe mashtruar për nderin e grave në një anë dhe për “krimin”e të burgosurve nga ana tjetër dhe sa familje u shkatërruan, sa fëmijë mbetën jetimë, gjë që do i përjetonte dhe poeti intelektual i Vlorës martire. Dhembjet e ndarjes nga e shoqja, unë nuk ia shoh të plotë në poezi, ai nuk ka pas gjetur fjalë për t’i shprehur ato, apo ndarjes nga fëmijët. A ka fjalë fjalori? Jo, as unë nuk i gjej dot, se poshtërsia e njerëzve që ndërhyjnë për të shkatërruar një familje, gjuha shqipe nuk ka fjalë të përshtatshme për të dhënë vërtetësish ligësinë e tyre, e për pasojë nuk ka edhe për të përshkruar dhembjen e ndarjes, megjithatë, në momente “prehjeje”, poeti shkruan: “Në zemrën time akoma/ E dashur, më jehojnë/ Fjalët që ti më the:? ‘Unë agimin e parë/ e përshëndes e lumtur/ Me zemrën që më rreh për ty!’/ Kujtoj ata dy sy/ Ata dy sytë e tu/ Që s’janë as të bruztë, as blu/ Por kanë nga çdo ngjyrë diçka/ Dhe më kumbon në zemër/ Emri yt, Esma.”, do shkruante në poezinë “Kujtoj”, apo vargjet e poezisë “Përgjigje një letrës” ku thotë me gaz e dëshpërim: “ Kaq thellë në zemrën time, kaq thellë më je futur/ O ti, që ke një emër me tingull të këputur.”

Në poezinë “Ishte një mbrëmje vere” jepet thellësisht i dashuruar edhe në ndarje… “U ndamë/ Si dy të huaj/ Ti bashkë me “atë” shkove krahë për krah/ Unë fill vetëm mbeta/ Dhe zemra ime t’thirri/ “Esma… Esma!…/ Ishte një mbrëmje vere në Tiranë.” Dhe në poezinë “Nuk të urrej” poeti shprehet i sinqertë: “Vetëm një kujtim të hidhur…/ Ja se ç’je ti sot për mua!/ Nuk të urrej/ Po… as të dua/ Në shpirt thellë ndoshta ndjej/ Pak keqardhje… Vetëm kaq.”

Për fëmijët është e vështirë të shkruhet, se fëmijët janë vetë poezi, sa herë mundohem të skalit fëmijët e mi nëpër vargje, zemra m’i përqesh ato, shpirti gajaset, e unë hedh lapsin tej dhe ndjej ritmin e zemrës e këngën e shpirtit për fëmijët e mi. Oh, çfarë fati është për femrën të bëhet nënë! Nuk ka ndjesi më të bukur se të qenit nënë! Një dashuri mes çiftit mund të mbarojë, por dashuria për fëmijën kurrë, ndaj vetëm ata që kuptojnë dashurinë njerëzore, edhe pas ndarjeve të çiftit, fëmijët mbeten të përbashkët. Nuk kish si të mos fliste parme vargjeve për fëmijët që ishin larg… “Oh, fjala s’mjafton për të thënë/ Atë që në shpirt unë ndjej…Oh vogëlush!/ Unë fjalë nuk gjej të them ngrohtësirën/ e zemrës që më rreh me furi…”

Shekulli i kaluar shkoi i mbytur nga dhembja e plagës së hapur prej djallit të veshur me vel engjëlli, prej një djalli që për shpirt kishte Luciferin. Të gjithë e ndjejnë këtë dhembje edhe sot, shumë më shumë poetët.

Poeti vuan edhe nga lumturia, por nga mizoria ai vdes e ngjallet për ditë dhe nga këto shndërrime kaq të shpeshta e të shpejta krijohen fërkime, ashtu si urori me strallin, ku shkëndijat e rrufeshme, ashtu si eshkë ia ndezin shpirtin flakë që ndriçon e përvëlon njëherësh, një flakë që e shkrin poetin si qiri për të ndriçuar pasardhësit ku të shohin qartas të kaluarën, të vlerësojnë të tashmen dhe ta mendojnë mirë të ardhmen.

Në poezinë e tij, autori prek realen për të dhënë universalen, se ndjenjat njerëzore një janë në gjithë globin, vetëm mënyra e të shprehurit me shkrim, na i shpalos qartazi bukuritë e tyre, vlerën dhe mrekullia e të qenit njeri. Në poezinë “Kthimi”, të cilën e shkruan kur kthehet pas 20 vjetësh nga burgu, vetëm një që ka vuajtur Burrelin me vite e vite mund ta kuptojë më mirë këtë poezi. “Tashti që thell’ shënuar ma kanë rrudhat ballin;/ Tashti që më në zemër s’më qesh vegim’ i parë/ Tek ti, shtëpi, që ndezur në shpirt ma ruajte mallin/ Po vij me hap të heshtur i mjerë prej vitesh ndarë./ Po vij ashtu siç isha, sado që dukem tjetër/ Me flokë që jan’ thinjur dhe sytë që s’kanë lot…/ Pas vitesh kthehem tek ti, shtëpizë e vjetër/ Me vrullin e dikurshëm që nuk e përmbaj dot…/ O ëmbëlsi kujtimesh në zemrën e trishtuar!? O mall prej vitesh ndrydhur në fund të shpirtit tim!”

Por krahas dramës së tij shpirtërore, ai kurrë nuk ra në pesimizëm, i mbushur me shpresë dhe me besim që do vijë koha që brezat do i japin të drejtë dhe do vijë koha e lirisë, koha e shqiptarisë… “Mendime e shpresa hapat me vrull i shoqërojnë/ Dhe buza që s’më qeshi tashti çelet në gaz.” Dhe në vuajtje, dhe kur shpresa nuk shihet as në horizont, ai përsëri jeton me shpresën të mbrujtur me plot dashuri njerëzore. “Jetova jetën pak e vuajta shumë/ Por dhe në vuajtje prapë dashurova/ Dhe kur të bie të fle të fundit gjumë/ Oh! Mos pandehni jo se unë pushova/ Ju mos pandehni jo, se do hesht fare/ Në varr të zi kur eshtrat të treten/ Sepse në vargun tim shkreptimtare/ Të rrahjes zemrës time do të mbeten.”

Vlorë, 26. 10. 2013.