Poezia e Lefter Duraj,origjinale në letërsinë shqipe të kohës-Nga Bernard Zotaj-Mjeshtër i Madh


Bernard Zotaj

Mjeshtër i Madh

Bernard Zotaj-Mjeshtër i Madh

Poezia prek dhe trajton dukuri të jetës së përditshme

Poezia shqipe ka kaluar nëpër një rrugë të vështirë, por të bukur. Në ditët tona ajo vjen më e pasur, me përfaqësues të rinj dhe të përkushtuar, por dhe me një të ardhme më të arrirë. Libri që më ra në dorë i përgatitur për t’u botuar “Të qeshësh dua” i autorit Lefter Duraj, i cili ka dalë si një poet i veçantë, tërheqës dhe i pëlqyeshëm. Ai ka hyrë vonë në poezi, por me botimin e librit të katërt, të parin me fabula dhe tre të tjerët me poezi, kanë tërhequr vëmendjen e lexuesit dhe dashamirësve të tij.

Duke vërejtur me kujdes poezinë e tij, ajo vjen si një poezi e disiplinuar dhe bashkëkohore, ku prek dhe trajton dukuri të jetës së përditshme të shoqërisë sonë. Lefter Duraj, poet nga Mallakastra, ka sjellë risi në vargun shumëdimensional, të ndjeshëm, por të rrallë. Studiues dhe kritikë e kanë theksuar se “përcjell mesazhin e dritës” nga Viron Kola në librin “Djali dhe xixëllonja”, ndërsa shkrimtari Xhevdet Shehu në kritikën për librin “Lulet e natyrës” ka vërejtur se autori “na befason” dhe në librin “Iki dhe vij” shfaqet “më ambicioz, më pretendues”. Fillimisht poeti Lefter Duraj e ka nisur me fabula, pastaj ka vazhduar me poezi, duke u treguar një burr i fortë dhe që rrezaton me forcën e poezive të tij. Forca dhe shkëlqimi në poezitë e tij janë tipare të produktit të veçantë letrar që e dallon thuajse në të gjitha poezitë e shkruara prej Lefterit. Vargu i tij është i spikatur, ku shfaqet një figuracion mbresëlënës letrar, ka përmbajtje filozofike, ka gërshetim ndjenjash dhe e ka bërë poezinë e tij të thjeshtë dhe të pëlqyer nga publiku.

Nga vjen poeti Lefter Duraj

Lefter Duraj ka lindur në vitin 1954 në qytetin e Ballshit, në një familje të thjeshtë e patriote të Mallakastrës. Ka kryer studimet në Shkollën e Lartë Ushtarake në vitin 1977. Ka përfunduar Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm në vitet 1991-1993. Ai ka kryer detyra të ndryshme në disa reparte dhe njësi ushtarake. Për shumë vite ka punuar në sektorë administrativë të rinisë, si dhe ka kryer për disa vite detyrën e komandantit të vullnetarëve në hekurudhën Milot-Rrëshen-Klos. Mbas daljes në reformë nga ushtria, në vitet 1996-2019 ka punuar në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Ka shkruar poezi që herët, por ato u shfaqën në vitet e fundit. Kështu në vitin 2021 mori guximin dhe botoi librin e parë me fabula dhe vjersha për fëmijë “Djali dhe xixëllonja”, i cili u pëlqye nga dashamirësit dhe lexuesit e tij. Më tej, pas botimit të librit të parë që i dha forcë dhe guxim, do të ndiqej në vazhdim edhe nga tre libra të tjerë me poezi e fabula e konkretisht “Lulet e natyrës”, “Iki dhe vij” në vitin 2022 e së fundi “Të qeshësh dua”, që përmbajnë poezi me një origjinalitet befasues të kohës.

Dukuria e frymës përmbajtësore të poezive

Për vlerat e fabulës dhe të poezisë së Lefter Duraj kanë folur dhe shkruar shkrimtarë e pasionant të poezisë, por po theksoj disa dukuri të kësaj poezie, duke bërë një analizë të shkurtër të librit dhe vargut që përcjell në rreshtat e poezisë së tij. Librat e këtij poeti kanë të veçantë dhe dukuri të re shikimin dhe qëndrimin kritik ndaj problemeve të shumta të kohës në të cilën jetojmë. Gjithë pasion në poezinë e tij, ai futet plot dinjitet dhe me kurajo në literaturën poetike shqiptare. Poezitë e tij janë të vlerësuara nga lexuesi dhe kritika letrare e kohës, sepse të gjitha poezitë në këtë vëllim të fundit përshkohen nga ndjenja e lartë, e njerëzores dhe e dashurisë për njerëzit. Në to përshkruhet rrugëtimi i gjatë i poetit dhe i shoqërisë tonë në këtë periudhë tepër komplekse, të vështirë dhe plot drama të shoqërisë shqiptare. Ndoshta këto dukuri të kohës i kanë dhënë atij brumin e duhur për të bërë poezi të arrira, poezi me nivel të pëlqyeshëm, që pa pretendime mund të futen si burime shtesë në tekstet shkollore, duke shërbyer si shembull në larminë e elementëve letrarë, cilësi kjo që shfaqet shumë në poezitë e tij.

Ka një dukuri në poezitë e tij, ajo është origjinal dhe vetvetja e tij. Poezitë ja kushton jetës dhe dritëhijeve të tij, ua kushton njerëzve të thjeshtë, natyrës, shoqërisë dhe bukurisë së vendit. Mbi të gjitha poezitë e tij ka qeshje dhe buzëqeshje, këtë dhunti që e dëshiron shumë autori. Pikërisht për këtë, poezia e Lefter Duraj arrin stadin më të lartë, prezantuar bukur e me një titull domethënës në librin e tij të fundit, “Të qeshësh dua”. Pena e tij na ka prurë nëpërmjet këtij libri mrekulli të artit të fjalës sepse autori jo vetëm e “punon” bukur fjalën, por i ka dhënë asaj forcën e duhur për të depërtuar në zemrën e çdo njeriu. Rruga që ndjek poezia e tij ka formën e një përroi të vrullshëm, të rrëmbyeshëm, të gjatë, ku herë-herë me zhurmë dhe herë-herë i qetë e i fjetur, por gjithmonë në lëvizje dhe me gjëmime, gjithmonë i freskët dhe i pastërt.

Një stil unik që e shpreh…

Poezia e tij dallohet për përmbajtjen e thellë shpirtërore dhe njerëzore të çdo vargut. Kjo përmbajtje është e nxitur nga fenomenet e kohës që jetojmë. Autori herë shfaqet si një rebel, në stilin e tij unik dhe e shpreh këtë. Ndoshta ky është dhe arti i fjalës së tij. Ai prek në poezitë e tij një vargësi me fenomene dhe figura, nuk qëndron në vend për qetësinë e shoqërisë ndaj fenomeneve dhe vështirësive me të cilat përballet sot rinia e vendit. Në shumë poezi autori përshkruar rrugëtimin e jetës së tij, stërmundimin për t’u përballur me jetën dhe natyrën e saj. Vështirësitë e jetës së rinisë në përgjithësi, vijnë në vargun e poezive të tij në formën e një peshe të rëndë ku shpërthen “sikur unë u mbaj në krah”. Nga ana tjetër, nëpërmjet lotit dhe të qeshurës, kapërcen në një tjetër dimension, duke parë me shpresë nga e ardhmja ku “të buzëqeshësh dua”.

Në poezitë e tij ne gjejmë metafora e gjetje letrare mjaft të spikatura si “në harmoni me natyrën të jesh”, “përse fjalën “pleqëri” shton për veten tënde?”, “i tërë i veshur, si me margaritar!”, “gëzohu jetës, gëzohu, asaj në çast”, “e dua vendin tim, si një vend i rrallë”, etj., që të gërshetuara me përmbajtjen e vargut e fusin lexuesin në mendime, në reflektime për kohën dhe për vullnetin e treguar nga autori që lufton se “bota aty qeshte e qante, s’dinte ç’ndodhte aty”!