Poezia e Lentiana Lutajt-Nga Zymer Mehani


Zymer Mehani

Poezia e Lentiana Lutajt

Lemtiana Lutaj është poetja që po nis të krijojë poezi lirike. Ajo i kushton vëmendje të bukurës, të përjetshmes, prandaj pa dyshim se është tejet e kujdesshme në përdorim të fjalorit, duke përdorur një gjuhë të rrjedhshme, të kuptueshme dhe të pastër. Tekstet e saj shquhen nga psikologjia e thellë, nga pjekuria dhe gjithashtu ato janë të pasura edhe për nga figuracioni letrar. Poezitë e saj janë plot me imazhe të qarta që tregojnë ndjenjat dhe përvojat e autores, zbulojnë bukurinë e shpirtit njerëzor etj. Kur krijon poezi, kjo poete përdor teknika të ndryshme artistike. Vargjet e saj karakterizohen si nga origjinaliteti i formës, ashtu edhe nga risia e përmbajtjes. Duke lexuar poezinë e saj, ndjejmë emocione, ngase mendimet e saj kombinohen këtu me imazhe metaforike.
Ndjenja e shqetësimit tingëllon në shumë prej poezive të saj, ngase ato shqetësime paraqesin edhe dromca të jetës personale dhe forcën shpirtërore të një personi plot vrull, që nuk i jep rast pesimizmit për asnjë çast.
Përmes vargjeve të Lentiana Lutajt zbulohet gjendja komplekse psikologjike e saj. Këtu në vargje shihet qartë malli i autores për diçka që ka kaluar, për ditët e shkuara.
Në këtë vëllim poetik ajo përdor elemente të një vargu melodioz: përsëritje të shpeshta tingujsh, përdorimi fjalish pyetëse dhe pasthirrmash, që nga ana tjetër krijojnë intonacione të caktuara, një strukturë rrethore strofash etj. Shpesh, poezitë e thjeshta kombinohen me përbërës kompleksë që mbajnë ngarkesën kryesore semantike.
Dashuria për një poet është një mrekulli e pashpjegueshme dhe e lehtë, ngase ajo është një ndjenjë e mrekullueshme, sipas poetes, dhe mund të shërojë çdo shpirt, qoftë edhe të zhgënjyer.
Tekstet lirike te Lentiana Lutajt janë të mbushura me një sërë emocionesh. Ky është gëzimi i një takimi të ri, dhe një impuls, dhe trishtimi dhe dëshira për një takim me të dashurin apo të dashurën dhe ndoshta edhe dëshpërim.
Lumturia dhe dashuria sipas poetes janë të mundshme vetëm në vendlindje, në rrethin e njerëzve të afërm dhe të dashur.
Poezia e shkëput poten nga andrallat e jetës, por shpirti i saj derdh mu në vargje butësi, mëshirë, ashtu siç është edhe në realitet, në jetën e përditshme kundrejt të tjerëve. Prandaj poezia e saj është e mbushur me sinqeritet maksimal, me mirësi, me ndjenja shqetësimi të vazhdueshëm, ngase ajo ndriçohet nga drita e pashuar e dashurisë së vërtetë për të gjitha gjallesat në botë dhe në të njëjtën kohë pranë të gjithëve. Poezitë e saj prekin problemet më themelore, më të vërteta të kohës sonë; me shpresë dhe besim të ndritur, ajo mendon për të ardhmen.
Për autoren Lentiana Lutaj, natyra është bukuria dhe harmonia e përjetshme e botës, sepse ajo shëron shpirtrat njerëzorë me butësi dhe kujdes.
Gama e mendimeve dhe ndjenjave që përmbajnë poezitë e poetes Lutaj, janë kuptimplote, të fuqishme dhe në shkallë të gjerë në mendime, ngase mund të perceptohen edhe si një histori personale rrëfimtare e poetes duke emocionuar të tjerët.

Zymer Mehani, 22 shkurt 2023