Poezia pa kufij: “Kënga e parë”, përktheu Irma Kurti


Poezia pa kufij: “Kënga e parë”, përktheu Irma Kurti

KËNGA E PARË

Fusha është tërhequr

përballë sulmit

tronditës të njeriut.

Oh, ç’humnerë është zbuluar

midis pemës së ullirit e njeriut!

Kafsha që këndon:

kafsha që mund

të qajë e të hedhë shtat

kujton kthetrat e saj.

Kthetrat që i mbulonte

me lule e butësi,

por që, në fund, i nxjerr në pah

me të tyren mizori.

Ato kërcasin në duart e mia.

Qëndro larg tyre, djalosh.

Unë jam gati t’i ngul

në mishin tënd të butë.

Jam shndërruar në tigër.

Largohu, përndryshe do të t’copëtoj.

Sot dashuria është baraz me vdekje,

dhe njeriu në pritë për njeriun qëndron.

MIGUEL HERNÁNDEZ, Spanjë, 1910 – 28.3.1942

Përktheu: Irma Kurti

Bashkëpunoi: Germain Droogenbroodt