Poezi:Leonard Pipa


Mund të shitesh, mund të blihesh,

Nga halli a nga babëzia!

Edhe ligjit mund t’i fshihesh,

Po s’ke turp nga njerëzia!

Mund të zhvatësh,mund të vjedhësh,

Çdo kafshatë varfanjaku,

Mund të lindësh e të vdesësh,

Duke ngrënë gjithnjë nga haku!

Mund të presësh e të matësh,

Veç me kutin e makutit,

Shok e shoqe mund të kapësh,

Të gjithë bijtë e tartakutit!

Mund të vrasësh e të presësh,

Gjemb në këmbë pa të hyrë!

Mund të shtypësh e të shkelësh,

Si kushdo i pafytyrë!

Mund të bësh dhe ti saraje,

Si në kohën e sulltanit,

Duke vjedhur jashtë belaje,

Të gjithë mundin e vatanit!

Mund ta bësh zyrën e shtetit,

Shesh pazaresh e orgjish,

Me paratë e miletit,

Hap e mbyll alishverish!

Mund ta bësh! Çdo gjë të kapësh,

Për sa kohë shqiptarët flenë,

Ju një grusht matrapazësh,

Shqiptarisë “t’i luni fenë”!

Po ka zot, ka perëndi,

Kapi mediat, botën bli,

Gjindja që është vënë në gjumë,

Do të zgjohet gjithsesi!

Sepse djersa e shqiptarëve,

Që kanë shekuj hiqni zvarrë,

Nuk është haku i të marrëve,

E do ngelet i pa marrë!

Sepse gjaku i shqiptarit

Mijëra herë më i shtrenjtë prej arit,

Nuk është rrësku i kusarit,

Mashtruesit e të përdalit!

O të mjerë pse nuk kuptoni?!

Popullit dot nuk i shpëtoni!

Mos jetoni kot me shpresa,

Freskët është dyzet e pesa!

Freskët është, freskët si nata,

Kur të gjithë me sëpata,

U lëshuan mbi kusarët,

Hajdutët tradhëtarët!

Kur ashtu si s’do, beson,

U ngrit populli si gjithmonë!

E përdori diktatura…

Por e shtrenjtë qe fatura!

Ti e di, se s’kam ç’të bëj!

Mall i keq që në shpërgëj!

Shqiptaria është si grami,

Po s’u korr nuk bëhet nami!