Politikomania-Llesh Gjoka


Fëmijës që lind pafajësisht

ia lidhin një nyje në qafë

e paisin me një çertifikatë

një zyrë të gjendjes civile

si shtetasin e radhës në rreshtim.

Por ka edhe njē regjistër tjetër të fshehtë, me ngjyrë

që fle diku në një zyrë partie

që e bën anëtar të fjetur

që ia pret rrobën, kostumin pas vetes

që ia bën gati vulën, siglën, flamurin.

Dhe kur ai të rritet sakaq

ia bëjnë edhe një vaksinë politike

që të ketë imunitet ndaj kundërshtarit

që ka lindur

në të njëjtën një kohë me të

në të njëjtën kohë politikomanie.

Përballë në të njëjtën skakierë

ku fitorja duhet luajtur me çdo kusht dhe çmim.

E bëjnë të aftë, ushtar

të bërtasë, të shajë edhe perëndinë

këdo që tenton të godasë

nderin e partisë, flamurin e saj.

Dhe ky është tribuni i ri

që magjeps të tjerët

me llomotitje premtimesh në ajër

kandidati i nesërm për post të lartë

duke mbushur thasë me vota partie

duke u pajisur me merita të larta

për shërbime që i duhen vetëm një fitoreje.

Për idhuj e flamuj të sajuar enkas

për luftën në një llogore.

Fëmijën që lind pafajësisht

e pagëzojnë me gjak partie

për një fushatë që ka filluar që me lindjen e tij

dhe frymëzimi i tij do të jetë i sigurt

në ndeshje gladiatorësh për një fitore

vetëm në një anë, për një palë.

Flamuj të përdhosun nga kundërshtarët

atë do ta dehin

si coha e kuqe demin.

Dhe toreadori fërkon duart

për fitoren e radhës.

Vetëm qëllimi, mbi gjithçka qëllimi

duke shkelur mbi nder, moral dhe cilësi të larta

Vetëm pushteti i tyre të lulëzojë

zullumi, paraja, pasuria të trashet bindshëm.

Deri sa të rrokulliset dhe t’i vërë poshtë

dhe paç t’ua zërë frymën…