Sadik Përvetica – profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, poet, shkrimtar, publicist-Breznicë, Prishtinë.
PORTRETE SHKRIMTARËSH” – NJË VEPËR ENCIKLOPEDIKE QË I KA MUNGUAR KULTURËS SONË KOMBËTARE
E përgëzoj nga zemra studiuesin dhe shkrimtarin erudit, Zekerija Idrizi për nxjerrjen në dritë të këtij libri enciklopedi për shumë krijues shqiptarë: studiues, poetë e shkrimtarë nga gjitha trojet tona arbërore dhe nga e mbarë mëgata shqiptare kudo në botë! Një libër ky, çfarë i ka munguar shumë kulturës sonë deri më sot. Urime dhe falënderime edhe botuesit Fatmir Halimi – editor i Shtëpisë Botuese “Prokultpress”, si dhe gjithë stafit të tij punues për kontributin kulturor kombëtar, i cili, me këtë rast, pasqyroi humanitetin dhe dinjitetin e vet, por edhe përmbushjen e idealeve tona të përbashkëta në nxjerrjen në dritë të një libri kaq interesant e me kaq vlerë e peshë studimore për të gjithë lexuesit dhe krijuesit shqiptarë, por edhe për të huajt si ndihmesë e madhe për t’u njohur me biografitë dhe me veprimtaritë e shumë krijuesve shqiptarë.
Në këtë projekt të vlertë libror, z. Idrizi jo vetëm ka prezantuar jetëshkrimet e krijuesve, por edhe i ka ndriçuar në mënyrë të përimtësuar, me një metodologji studimore kritiko-letrare, edhe veprat e tyre të përbotësuara. Së këndejmi dhe ky libër fiton aq më shumë në vlerë e peshë në analet e letërsisë sonë kombëtare.
Njëkohësisht, autorit i uroj suksese edhe në realizimin e vëllimit të dytë të këtij libri, si dhe në dorëshkrimet tjera që i ka në proces dorëshkrimi, si: “Përsiatje letrare”, “Në botën mediale shqiptare” dhe “Portrete artistësh e piktorësh”!
Uroj lexim të këndshëm të gjithë lexuesit dashamirë të librit e të letërsisë, të cilët mezi presin ta kenë në duar këtë vepër madhore enciklopedike!
Një punë të shkëlqyer ka bërë edhe përkthyesja – Valentina Muka, e cila me një shpejtësi të jashtëzakonshme, ka përkthyer në vëllimin e parë PORTRETE SHKRIMTARËSH, në gjuhën angleze
Me respekt dhe konsideratë të thellë për autorin Zekerija Idrizi si dhe për përkthyesen Valentina Muka!