Poshtë jastëkut tënd fshihet dashuria-Bilbil Murataj


fshihet dashuria

Të erdhi një zarf,

Brenda tij një letër,

S’harrohet aq lehtë

Dashuri e vjetër,

E gdhendur në vargje

Me fjalë të bukura,

Brenda zarfit bashkë

Qëndisur dy flutura,

Njera ish për ty,

Tjetra ish për djalin,

T’i mbash poshtë jastëkut

Që të shuash mallin,

Në letër janë thënë

Gjithë ëndrrat e tija,

Poshtë jastëkut tënd

Fshihet dashuria,

Se vajzat e reja

Të gjitha sekretet

I mbajnë poshtë jastëkut,

Kyçur në sepetet,

Sepse poshtë tij

Flenë ëndrrat rinore,

Ato shkojnë e vijnë

Si bleta punëtore,

Ato shkojnë e vijnë

Siç shkon e vjen bleta,

Ato sjellin mjaltë,

Kur janë të sinqerta.