Postoj dy poezi për njeriun më të mirë në botë,për Babanë tim


VIKTORIA XHAKO

Postoj dy poezi për njeriun më të mirë në botë,
për
Babanë tim.
Ata që e kanë njohur vërtetojnë fjalët e mia.
MË FAL, BABÁ!
Fluturojnë vitet me krahë!
…………………………………….
Atëherë…
Një fletë informacion më zgjate…
Një fjali shtove…
Po sytë e tu, baba,
Trishtimin mbyllën,
Dhe çelësi humbi,
Për të mos u gjetur kurrë.
Atëherë…
Edhe më vonë…
Gjer në mesditën e ngrohtë fund tetori,
Kur i mbylli gjumi i përjetësisë.
Më fal, baba, për atëherë…
Edhe për më vonë, më fal…
Më fal,
Që ta prisha edhe fjetjen e gjatë,
Me brengat, dëshpërimin tim!
Më fal, baba,
Për të fundit herë!
Trokas sot në tënden përjetësi,
Ta puth rrudhën e ballit,
Ta puth thinjën e hallit.
Lotët e mi,
Një fletë informacion të zgjasin,
Një fjali të thonë:
-Jam e lumtur, baba,
Si nuk kam qenë kurrë! –
Me krahë fluturuan vitet,
Ma fshinë dëshpërimin sot.
Unë nxitoj drejt teje,
Të vetmit,
Që kuptove, heshte, e mbajte hapur zemrën,
Gjer atë mesditë të ngrohtë fund tetori,
Babai im, i miri!
E martë 25 tetor 2011 ora 23:55
VIKTORIA XHAKO
(ZHORZH SAND)
“TAKOHEMI NË QIELL” botuar në maj 2012
EH, BABÁ!
Eh, baba!
Pranë teje po e pi atë kafé,
Që nga dora ime të pëlqente aq shumë.
Në stolin e vogël të vjetër jam ulur pranë mermerit të heshtur.
Një zog cicërin vajtueshëm në degën e thyer të pemës mbi ne.
Hapi fletët e syve të tu, baba,
Lejomë ta lexoj atë, që kurrë nuk ma tregove.
Ta kthejmë përmbys kohën mbushur me ligësi,
Të mos vritemi më nga e keqja e saj,
Të jesh i qetë edhe ti, baba,
Nga ajo gënjeshtër që fjalën ta lidhi,
E jetët tona i syrgjynosi në zezonë.
Fol, baba, për atë fjalë, që unë zbulova sot,
Që ty shpirtin ta vrau, të bukurin, të vlefshmin,
Që jetën time e theu në tri pjesë, të trija të gjalla…
Sa keq, baba!
Sa keq, baba!
Sot, tani, ta hapim zemrën tonë të bardhë,
T’i falim fajtorët ashtu butë siç ne dimë,
Unë ta mbaroj këtë kafé, që nga dora ime të pëlqente,
Që balta mbi ty të vijë aromë qetësie,
Për zemrën tënde të munduar kaq gjatë.
O i miri, Baba!
E shtunë 29 qershor 2013 ora 11:00

(ZHORZH SAND)
“BUKË E HIDHUR” botuar në maj 2014

About Post Author