Unë linda prift pa kryq ndër duar,
në fushë të pambarim
Ku diell nuk kish të perënduar,
por kish vetëm agim.
Ku baltë në pluhur kthehej shpesh,
kur vdiste mbrëmjes pranë
Në grurë të mbirë bëja një meshë,
nën yjë me temjan.
Le të më thonë s’jam shënjtëruar,
s’më bëhet vonë për fjalë
Me Myzeqenë jam dashuruar,
qëkurse isha djalë.
Tashmë jam bërë burrë i thjeshtë,
me flokë të bardhë e mjekërr
Në stinë të moshës jam në vjeshtë, paçka s’dukem i vjetër.
Por mbaj në dorë bibël të shkruar,
e gjithë me poezi
Unë linda prift pa kryq ndër duar,
jam prift për dashuri.
