Procesi i leximit tek unë!Eva Gjoni 


Eva Gjoni 

Eva Gjoni

Procesi i leximit tek unë! 

Unë jam një lexuese e vëmendshme. Si çdo njeri kam preferencat e mija në atë që lexoj. E kam të vështirë të lexoj diçka që nuk më tërheq që në fillim. Lexoj me shumë kujdes ,lexoj ngadalë, më duhet të kuptoj .Gjithmonë mundohem te shikoj njeriun  që e ka shkruar, futem në mendjen e tij\saj.

Në qoftëse mendësia  e shkruesit nuk më pëlqen, nuk e lexoj. Mund të  jenë shkrimtarë të mëdhenj që vet koha i ka klasifikuar. Por unë lexoj me mendjen e shpirtit dhe tërhiqem nga mendimi, mënyra si shprehet. Vlerësoj momentin e shkrimit dhe mbledh momentet për te krijuar shkruesin. Kur një shkrim më godet që në fillim aty hyj në atë zhbirilim të ndjenjës, gjendjes, perceptimit .Dhe kur tërhiqem nga kjo mendje atëherë lexoj me dëshirë çdo gjë, është si një proces zbulimi, tërhiqem nga natyra njerëzorë, jam vëzhguese e kujdesshme deri në detaje.

Lexoj me shumë pasion, kuptoj kur  shkrimtari shkruan se diçka e fortë e ka ngacmuar, kurr shkruan se diçka ka zënë rrënjë në mendjen e tij dhe tani I duhet ta nxjerre jashtë si një shpërthim, kur është i lënduar apo shumë i lumtur, por edhe kur është i detyruar të prononcohet apo i fiksuar për ta dëgjuar, këtu shkrimi, fjala, dëmtohet se duke I dhënë rëndësi mesazhit shkrimi kthehet në një detyrim, shkronjat nuk lodrojnë por marrin komanda, nuk ka rrjedhshmëri, shkruhet me mëndje jo me shpirt. Mua këto shkrime sa do të përsosura të jenë në formë nuk më tërheqin.

Ju ndodh të gjithëve të shkruajnë kështu për arsye të ndryshme. Kam lexuar vargje të  poetëve me emër që nuk më kanë dhënë asgjë, jam ndier  konfuze, ose më  kanë transmetuar konfuzitetin e tyre. Mëndje të rrëmujshme të mbingarkuara që të lodhin. Unë dua të kem paqe me shkrimin edhe kur më bën të qaj. Por e di poezia është një gjendje midis realitetit dhe magjisë, është një gjendje që nuk mund ta krijosh, ajo vjen dhe ti nuk i bën dot ballë, nuk mund ta lësh për më vonë se nuk mund ta kesh të njëjtën gjendje asnjëherë për herë të dytë. Në qoftëse gjatë leximit njeriu që shkruan nuk është në perceptimin tim i kuptueshëm në atë që thotë, të më krijoj pështjellim, të më bëj të mendoj, të vazhdoj mendimin, nuk lexoj më. Kjo ndodh se shijet e mija janë krijuar nga ajo që unë jam, çfarë unë dua, çfarë unë kërkoj, shijet e mija është bota ime.

Ndaj nuk mund të lexoj dhe të pëlqej  çdo  gjë të mirë që mund të ketë në treg. Kur nuk është në shijet e mija nuk e ndjej nuk e kuptoj ,më duket e ngurtë, e thatë, vrastare për trurin, dua te jem  e lirë kur lexoj. Kjo, jam unë si lexuese.