Prof. Behram Hoti- shkrimtari i etnisë:NgaZymer Mehani


Zymer Mehani
PROF. BEHRAM HOTI- SHKRIMTARI I ETNISË
1.

Behram Hoti është shkrimtar (poet e publicist) i shquar, që u lind dhe u rrit në truallin e Drenicës e u burrnua në kullën e babë Hasan Jasharit, në Likofcin e krenarisë dhe të bujarisë, të qëndresës dhe të besës shqiptare. Me këtë poet e publicist të zellshëm lexuesi ynë njihet prej kohësh, kur ai i nisi “cicërimat” e para poetike nëpër faqet e gazetave e të revistave shqipe të Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të Zi e më gjerë që nga vitet ’60 të shekullit XX e gjer më sot. Ky zë krijues erdh e kumboi në horizontet e letërsisë shqipe, veçanërisht të poezisë, duke lënë gjurmë edhe si autor i parë nga Drenica. Siç e dëshmon edhe shkrimtari dhe romancieri i shquar, Mehmet Kajtazi, në analizën e tij letrare për vëllimin poetik “Mos ma mbyll derën”, të poetit Behram Hoti, “Ai varg i gjatë tregon se “Ligjërimet e mia” është vepra e parë letrare e shkruar nga një autor që ka lindur në Drenicë. Pra, është vepra e parë në Drenicë e botuar pas Luftës së Dytë Botërore. Me këtë çështje sigurisht se do të merren më shumë kritikët letrarë…
Behram Hoti ka shkruar mjaft vepra të rëndësishme fushash të ndryshme (poezi, prozë, publicistikë etj.) por përfundimisht, ai në letrat shqipe identifikohet si poet me plot kuptimin e fjalës.
2.
I tillë shkrimtari Behram Hoti do të paraqitet edhe në librin publicistiko-letrar të autorit Fadil H. Curri “Prof. Behram Hoti-qëndrestar, ushtar, pajtimtar dhe veprimtar i devotshëm i kombit shqiptar”, në të cilin përfshihet shkrimet e hershme të Behram Hotit që nga viti 1961, kur ai e boton punimin e parë letrar dhe disa libra me poezi, prozë e romane… (kapitulli i parë).
Në kapitullin e dytë përfshihen kronikat, intervistat, reportazhet ku edhe janë të skenuara disa nga ato, mandej nga terrenet dhe trevat e luftës, si dhe në kapitullin e tretë përfshihet një pjesë e mirë e aktiviteteve të aksionit mbarëkombëtar për pajtimin e gjaqeve, plagëve dhe ngatërresave, të prirë nga prof. Anton Çetta, Don Lush Gjergji, Hoxhë Idriz Kosova, Muhamet Pirraku e shumë e shumë të tjerë, ku edhe prof. Behram Hoti ishte kontribues…
Librit në fund i shtohet edhe një album autentik historiko-fotografik , që ia shton vlerën edhe më tepër.
Përvoja e gjatë shkrimore, njohuritë e mjaftueshme dhe shkathtësia e penës së autorit Behram Hoti janë dëshmuar denjësisht në hulumtimin, në lidhjen, në absorbimin dhe në prezantimin e të dhënave nga periudha e Pajtimit të Gjaqeve, ku edhe ai vetë ishte protagonist i atyre zhvillimeve. Prandaj, z. Fadil H. Curri në librin e tij na ka sjellë burime arkivore, publicistike, statistikore, historiografike dhe të kujtesës së tij dhe të të tjerëve, që ishin pjesëmarrës të ngjarjeve, siç ishte edhe prof. Hoti, që z. Curri i paraqet me realizëm dhe korrektësi në faqet e librit.
Thamë se sy libër është publicistik, por për lexuesit është me interes polidimensional, ngase shkrimtari Behram Hoti është njohës i zhvillimeve të asaj periudhe, i terrenit, i kulturës, i etnografisë, i folklorit, i dokeve dhe zakoneve dhe përgjithësisht i traditës shqiptare, prandaj pasqyrimin e ngjarjeve dhe portretizimin e figurave të personaliteteve e ka lidhur fuqimisht me ambientin jetësor, me terrenin, duke pasqyruar edhe shumë momente psikologjike (emocionale) tepër të ndieshme për një paraqitje reale të ngjarjeve.
Objektiviteti, maturia në shkrime, argumentimi i çdo gjëje me fakte e me kujtimin historik, pastaj me faksimile e fotografi, me artikuj gazetash e revistash etj., ka bërë që libri i shkrimtarit Fadil H. Curri për prof. Behram Hotin t’i kalojë caqet e një vepre publicistike, duke u ngritur në një monument të historisë dhe të kulturës sonë kombëtare. Prandaj, me përgjegjësi të plotë morale e intelektuale ne këtë vepër të z. Curri do ta quajmë pasqyrë të ndërgjegjes sonë kombëtare, që është një dokumentim me fakte për periudhën e viteve’90 të shekullit XX. Nga kjo konstatojmë se libri i z Curri është një korpus dokumentesh, intervistash, artikujsh, fotosh e faksimilesh, të shkrimtarit Behram Hoti, një kombinim i kronikës dhe i historisë, me interes për shumë disiplina të albanologjisë dhe të artit, për historinë, etnografinë, kulturën, traditën dhe për artin letrar.
Burim frymëzimi për çdo shkrim, qoftë ai letrar, historik a publicistik, i autorit Behram Hoti, që autori Fadil H. Curri i ka paraqitur në librin e tij është ambienti shqiptar, shpirti i kombit i cfilitur e i drobitur, i trazuar e i lënduar, i ndarë e i vrarë shpeshherë gjatë historisë; shpirt ky, kryengritës për liri përgjatë shekujsh, por kurrë i nënshtruar as i mundur nga tufane e rrebeshe armiqsh të pamëshirshëm. Burim frymëzimi i autorit Hoti është pra trualli amtar, gjithshqiptar gjithandej kah shtrihet Shqipëria Natyrale: Kosovë, Iliridë. Luginë e Preshevës, Hot, Grudë, Plavë e Guci dhe Çamëri.
Libri publicistik “PROF. BEHRAM HOTI- QËNDRESTAR, USHTAR, PAJTIMTAR DHE VEPRIMTAR I DEVOTSHËM I KOMBIT SHQIPTAR” i shkrimtarit Fadil H. Curri në strukturë të vet përmban intervista, reportazhe, kronika, rrëfime historike nga e kaluara e lavdishme e popullit tonë, ku kronologjikisht do të gjejmë shkrime të profesor Behram Hotit me dromca vuajtjeje, dhembjeje, por edhe heroizmi e krenarie, siç është e ravijëzuar me vullnet dhe me admirim edhe figura e Sulejman Drinit, veteran dhe pishtar i arsimit dhe i kulturës sonë mbarëkombëtare.
Pena e artë e prof. Behram Hoti do të na e sjellë të ravijëzuar si është më së miri edhe portretin e dëshmorit të kombit, Isa Kastrati nga Hogoshti i Anamoravës, karakterin atdhetar e luftarak të tij, gjaku i të cilit u ngjit në flamur te shqipja dykrenore. Autori Hoti na ka sjellë të dhëna biografike të bollshme të dëshmorit Isa Kastrati, për veprimtarinë e tij patriotike dhe për humanizmin që ai tregoi ndaj familjeve të Drenicës, kur plasi lufta në Likoshan, e në fund, me dhembje, por krenar prof. Hoti e përshkruan edhe rënien e trimit, më 21 prill 1999, më malet e Marevcit, kur ishte duke deportuar shokët luftëtarë: Sokol Sopin e Afrim Vitinë për në Spitalin Ushtarak të UÇK-së në Llapashticë të Llapit.
Autori Fadil H. Curri librin në fjalë e pasuron me një kaptinë të veçantë, në të cilën do të gjejmë shkrimet e të tjerëve për profesorin, publicistin, humanistin, poetin e shkrimtarin z Behram Hoti. Më i angazhuari me shkrimet e veta për prof. Hoti është prof. Nexhat Mustafë Ballanca-Dibra, i cili shkruan për veprimtarinë letrare të Behram Hotit nga koha e luftës dhe e pasluftës, për shkrimet e Hotit pas Pavarësisë së Kosovës etj. Po ky autor do të shkruajë në vazhdime me rastin e 55-vjetorit të veprimtarisë atdhetare të poetit, prozatorit, romancierit e publicistit Behram Hoti në gazetën EPOKA E RE. Aty do të gjendet edhe vështrimi për krijimtarinë e poetit Behram Hoti i shkrimtarit e romancierit, Mehmet Kajtazi, sikurse edhe vështrimet e persiatjet e publicistit Zymer Mehani për librat e z. Behram Hotit: “Pajtimi i gjaqeve”, “Dashuria për vatër e atdhe nuk shuhet kurrë”, Pesëmbëdhjetë poema për Kosovën”, “Elegji për Adrianin”, si dhe “Ditari Hasan Hotit” (babai i poetit Behram Hoti).
E themi me admirim se prof. Behram Hoti si me laps, por edhe me pushkë dhe me aktivitete të pareshtura ishte dhe është përherë në shërbim të atdheut dhe të kombit. Prandaj ky burrë drenicas i takon mbarë kombit shqiptar, që me krenari e mban emrin profesor Behram Hoti-Mal Drenica i Pamposhtur. Ky uragan i pandërprerë gjatë pëeriudhës 1990- 1997, iu përgjigj kushtrimit të atdheut duke u rreshtuar në radhët e Tri ushtrive Çlirimtare (UÇK, UÇPMB, UÇK) dhe së fundi duke u zgjedhur delegat i Kongresit të Parë të Republikës së Çamërisë.
Zotëriun Fadil H. Curri e përgëzojmë për punën e tij të palodhshme për realizimin e këtij libri, ndërsa profesorit e poetit behram Hoti i urojmë nga zemra jetë të gjatë e të lumtur.
Zoti ju bekoftë miqtë e mi: z. Curri e z. Hoti!

Besianë, më 29 mars 2023, Zymer Mehani