Prof. dr. Sadri Rexhepi:Kosova- shtet i paqes dhe i stabilitetit në rajon dhe më gjerë


Prof. dr. Sadri Rexhepi

Kosova- shtet i paqes dhe i stabilitetit në rajon dhe më gjerë

(Në 15-vjetorin e pavarësisë së Kosovës)

Të nderuar kolegë!

Pavarësia e Kosovës  në këto 15 vjet  ishte objekt i trajtimeve në shkrimet  e historiografisë së re shqiptare. Rreth kësaj teme me interes të veçantë për historiografinë shqiptare, për ndriçimin e njërës prej etapave të rëndësishme nëpër të cilat kaloi Kosova, janë  bërë studime me qëllim që të bëhet një hap më tej në hulumtimin shkencor të temës në fjalë. Në fakt, edhe ato pak shkrime, studime, apo më mirë të themi, ato trajtesa lidhur me temën e lartcekur, kryesisht kishin karakter publicistik, memoaristik, madje edhe gazetaresk, se sa shkencor. Kjo e vërtetë, pa dyshim na bën për të  kuptuar dhe na obligon se në të ardhmen duhet të angazhohemi më tepër në trajtimin  shkencor të kësaj  teme, që është një ngjarje historike, kombëtare, tejet e rëndësishme për historiografinë e sotme bashkëkohore. Madje, kjo duhet të ndodhë sa më parë, kur dihen rrethanat që i paraprinë shpalljes së pavarësisë së Kosovës, sepse është e ditur se sipas pikëvështrimit të historiografisë së periudhës së Pasluftës së Dytë Botërore, kur po shkruhej një historiografi krejtësisht e ideologjizuar, e që rezistencën e armatosur shqiptare për bashkimin e tokave shqiptare në ish-Jugosllavinë titiste  apo  bashkimin e Kosovës me shtetin amë- Shqipërinë, ajo e konsideronte, e cilësonte, etiketonte, paragjykonte dhe e kualifikonte si veprimtari armiqësore, kurse personalitetet udhëheqëse të asaj rezistence, të betejave e të kryengritjeve konsideroheshin si kontrarevoluvionare, prandaj sistematikisht përndiqeshin si armiq të shtetit serbo-jugosllav.

Mbi këtë temë duhet të bëjmë përpjekje që të  hedhim dritë shkencore edhe më tutje, për të parë se çfarë kishte ndodhur në Kosovë dhe në viset e tjera të banuara me shqiptarë nga viti 1912; si kishte ndodhur dhe si ishte zbatuar politika shtetërore serbo-sllave gjenocidale, të cilën po e zbatonte mbi atë pjesë të popullsisë shqiptare, të pafajshme dhe të pambrojtur. Natyrisht, duhet të bëjmë përpjekje të ndriçojmë edhe qëndrimin e diplomacisë evropiane të kohës, e cila, si reflektim edhe i Luftës së Ftohtë deri në vitin 1990, i ndarjes së sferave të interesit, siç dihet nuk e kishte në fokus të saj çështjen shqiptare, dhe aq më pak çështjen e Kosovës.

 Së këndejmi, fundshekulli XX për kombin shqiptar ishte dhe do të mbetet një ndër epokat e civilizimit bashkëkohor, kur çështja e pozitës së tij u ngrit për t’u trajtuar për zgjidhje në ballafaqimet e diplomacisë botërore. Gjithsesi, shembja e komunizmit, si projekt botëror, ekonomik, politik dhe veçmas si doktrinë ideologjike paralajmëroi rastin e madh historik edhe për kombin tonë. Kombi shqiptar në ato zhvillime dhe ndryshime kolosale të epokave u rreshtua kah orbita perëndimore, pikërisht kah e ardhmja e përbashkët evropiane, me përqafimin e vendosur të frymës së lirisë, të demokracisë, pra të vlerave të shoqërisë perëndimore, duke marrë udhën e faktorizimit në rajon. Realisht, me rreshtimin e faktorit shqiptar, gjithnjë nën udhëheqjen e shtetit shqiptar, kah vlerat sublime përendimore, kah civilizimet demokratike, ne përfundimisht u ndamë nga epoka e moslirisë, e robërimit jo vetëm të mendjes, por edhe të robërimit të gjysmës së kombit tonë të ndarë, që në fundshekullin XX lëngonte nën pushtimin serbo-jugosllav.

Kombi shqiptar, në radhë të parë shteti shqiptar, i cili gjithnjë ishte dhe do të jetë trungu i qenies sonë kombëtare, i ecjeve tona drejt civilizimeve të reja perëndimore, ishte gjetur para thirrjes së papërsëritshme të historisë, jo vetëm të historisë sonë kombëtare, por edhe thirrjeve të historisë së re botërore, e cila po ngrihej mbi themelet e filozofisë së rendit të ri botëror, me në krye SHBA-të.

Këto thirrje ishin edhe më sfiduese, kur dihej se në prag të përmbylljes së shekullit  XX, kur po ndodhte rirreshtimi i madh i kombeve të rajonit tonë, përkatësisht të Evropës Juglindore, duhej menduar, vepruar dhe punuar për çlirimin e pjesës së ndarë të popullit tonë nga sundimi dhe robëria serbo-sllave.

Në vorbullën e gjithë këtyre rrethanave dhe zhvillimeve, për shumëçka dramatike, kombi ynë, si tërësi ka ditur të ndërtojë strategjinë e rrugës sonë kombëtare çlirimtare dhe prosperuese, duke u renditur në krahun e demokracisë botërore dhe ecjeve krahpërkrah me ndërtuesit e Rendit të Ri Botëror. Populli ynë pa përjashtim, e flaku ideologjinë e errësirës, të robërisë e të vetizolimit dhe shpërtheu drejt demokracisë e të lirisë, si vlerë universal; drejt çlirimit të vet dhe shikimit të së ardhmes së sigurt.

Në të gjitha këto situata, shumë sfiduese, Kosova ishte një ndër ballafaqimet më të vështira, që kombi ynë i kishte me sunduesit sllavë dhe me përkrahësit e tyre historikë, në raport me Kosovën. Duke vepruar si një trung kombëtar dhe duke mos pranuar kurrë ndarjet e padrejta historike me dhunë, ballkanike, evropiane dhe botërore, si dhe duke mos rënë asnjëherë në kurthet e shumta të diplomacisë ish-jugosllave, në radhë të parë serbe, por edhe ruse, shpirti i kombit arriti të ndërtojë dhe të mbajë gjallë edhe në kohërat më të vështira për Kosovën dhe kombin, qëndrimin e vendosur, të padiskutueshëm e të pakthyeshëm për domosdoshmërinë e çlirimit të Kosovës nga sundimi jugosllav dhe serb.

Diplomacia shqiptare dhe vetë prijësit e Kosovës, gjithnjë dhe gjithmonë, edhe në kohërat më të vështira të luftës heroike të popullit të Kosovës, me në krye UÇK-në, çështjen e çlirimit të Kosovës dhe pavarësinë e saj e shikuan, e avancuan dhe e ngritën në përmasat e kornizave të diplomacisë moderne perëndimore. Prandaj, çështja e Kosovës ishte çështje fundamentale e paqes, jo vetëm për kombin shqiptar, por edhe kusht për paqen në rajon.

Të nderuar të pranishëm,

Shikuar nga këndvështrimi shqiptar, çlirimi dhe pavarësia e Kosovës shihej dhe vazhdon të shihet si nyja kyçe e faktorizimit të kombit tonë në fillimet e shekullit  XXI. Nuk ishte e mundur fare që kombi ynë të bëhej faktor në rajon, derisa Kosova të mos çlirohej dhe të mos shpallej e pavarur, për arsye se ecja e kombit tonë drejt ts ardhmes evropiane, drejt NATO-s dhe Rendit të Ri Botëror nuk do të mund të realizohet me parcionalizimin e çështjes sonë kombëtare.

Çështja shqiptare është një dhe si e tërë, që do të thotë se pavarësia e Kosovës ishte dhe është kusht i fuqizimit dhe faktorizimit të mëtejshëm të mbarë kombit tonë. Nga ana tjetër, pavarësia e Kosovës ishte dhe është gurthemel i paqes, i stabilitetit dhe prosperitetit në rajon. Ajo nuk e cenon lirinë e Serbisë, nuk prek integritetin dhe sovranitetin e saj dhe të asnjë prej vendeve fqinje slave që janë në kufijtë me shtetin e Kosovës. Përkundrazi, pavarësia e Kosovës është faktor i stabilitetit dhe i forcimit të paqes në rajon. Prandaj, veçmas për këtë fakt, Serbia jo vetëm që ende nuk e njeh shtetin e Kosovës, por edhe bën gjithçka që ta nxisë situatën konfliktuoze në raportet ndëretnike. Kjo luftë politike e Serbisë kundër Kosovës ndodh për arsye se pikërisht ajo vetëa nuk është e interesuar për paqe në rajon, por përkundrazi për destabilitet. Serbia edhe sot e kësaj dite, pesëmbëdhetë vjet pas themelimit të shtetit të Kosovës, është kundër frymës së Rendit të Ri Botëror, që është në kornizat e strategjisë së rreshtimeve të reja jo vetëm shqiptare, por edhe atyre ndërkombëtare të shekullit XXI, të cilave u prijnë SHBA-të dhe NATO. Serbia duhet ta kuptojë se pavarësia e Kosovës, duke qenë pjesë e projektit perëndimor, pra e Rendit të Ri Botëror, detyrimisht dhe në mënyrë të padiskutueshme është faktor paqeje në rajon. Prandaj, duke qenë thellë të bindur se pavarësia e Kosovës e ndihmon stabilizimin e zhvillimeve në rajonin, përherë të trazuar të Ballkanit Perëndimor edhe në prag të shënimit dhe festimit të 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, ritheksojmë se Kosova gjithmonë do të jetë faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon. Ajo do të jetë vend demokratik, me marrëdhënie të mira fqinjësore dhe me bashkëpunim miqësor dhe civilizues në rajon, edhe në raportet dhe bashkëpunimin fqinjësor ndërshtetëror me Serbinë fqinje. Këtë fakt e dëshmon edhe e dhëna se pavarësia e Kosovës, integriteti dhe sovraniteti i saj i plotë dhe i garantuar ndërkombëtarisht, tashmë është njohur zyrtarisht nga rreth 100 shtete të botës demokratike, ndërkohë që pritet të kemi edhe njohje të reja. E tërë kjo na bën të themi me mburrje se ndërkombëtarizimi i shtetësisë së Kosovës nga shkurti i vitit 2008 e deri më tash, për 15 vjet me radhë, ka shënuar progres të rëndësishëm, duke dhënë edhe një dëshmi të fuqishme se pavarësia e Kosovës është realitet, jo vetëm i padiskutueshëm, por edhe realitet i ri ndërkombëtar, që faktorizon paqen në rajon. Mbi të gjitha, Perëndimi, bota demokratike, aleatët tanë në Uashington, Nju- Jork dhe në Bruksel, janë të interesuar që të forcohen themelet e shtetit demokratik të Kosovës, sepse shteti ynë paraqet faktor kyç për paqen, sigurinë dhe të ardhmen prosperuese të rajonit.

Para mbi  tri dekadave, konkretisht në vitin 1989, të dy shtetet gjermane, Gjermania Perëndimore dhe Gjermania Lindore u bashkuan dhe u bë një shtet unik. Kombi  gjerman u bashkua në një  atdhe të njësuar, që do të thotë  u bë  bashkimi i shtetit etnik gjerman.  Andaj,  shtrohet pyetja: pse të mos lejohet edhe  bashkimi i shqiptarëve  dhe  formimi i Shqipërisë  natyrale, për çka u derdh gjaku shqiptar në qytete e fshatra të viseve të  banuara me shiptarë  në  rreth mbi 22 shekuj?  Së këndejmi, ne duhet t’i shfaqim mirëseardhje bashkimit kombëtar shqiptar dhe formimit të Shqipërisë natyrale.