Prof. Sabit Abdyli:Feri Arifi Gjurmues rrënjësh tona


SHKRUAN: Prof. Sabit Abdyli-Portrete:

FERI ARIFI GJURMUES RRËNJËSH TONA

Ka vite që ndjek veprat monografike të Feri Arifit në lidhje me origjinën, ardhjet, vendbanimet, lashtësinë e shtrirjen e popullatës në fshatrat e Moravës së Epërme. Më ka entuziazmuar puna e tij hulumtuese në mbledhjen e të dhënave materiale e gojore gjithandej rajonit për ta nxjerr në dritë të vërtetën dhe rrenat e teorive shoviniste të historianëve argatë të politikës së regjimeve famëkeqe të okupatorit, të cilët paturpësisht mbuluan e falsifikuan të vërtetën. Në studion e tij të punës ka me dhjeta faqe shënimesh, dëshmish, dokumentesh, fotografish, harta, incizime, gur varrezash me mbishkrime (simbole) ilire e vepra të mbledhura me dekada në të cilat mbështetet kur shkruan. Cep më cep fshatrave të Kradakut, komunës së Vitisë, Kaçanikut, Ferizajt, Kumanovës e përtej tyre i ka ecur në këmbë për të parë e marrë shënime, qëmtuar me zell studiuesi të mirëfilltë të kaluarën përmes gjithçkaje që flet nëpër kohë, siç janë tumat ilire, gurët e varrezave të vjetra, mbishkrimet, toponimet, vetitë antropologjike të racës sonë etj. S’ka dyshim se veprat historike të Ferit kanë zbardhur e dokumentuar se popullsia e Kosovës është shqiptare që kur ka nisur jeta në këto anë, ka zbardhur të bëmat, luftën e sakrificën luftëtarëve të UÇK-ës, në luftën e viteve 1999-2001. Feri Arifi u lind në fshatin Tanush në vitin 1959, fshat ky që tashmë ka hy në histori për kontributin e dhënë gjatë luftës çlirimtare të UÇK-ës në Kosovë 1999 dhe luftës në Maqedoni në vitin 2001. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, gjimnazin në Viti, kurse SHLP, dega; histori-gjeografi në Shkup. Me të mbaruar studimet kthehet me punë në shkollën e fshatit ku u lind. Me fillimin e luftës në Kosovë 1999, Arifi inkuadrohet në logjistikën e UÇK-ës. Në vitet e shpërthimit të luftës në Maqedoni 2001 ai prapë vesh uniformën e UÇK-ës dhe ishte përgjegjësi kryesor në furnizimin e luftëtarëve shqiptarë në Tanushë, Haraçinë e Kumanovë. Historiani Arifi nuk rresht së shkruari e hulumtuari edhe sot. Është anëtar i Shoqatës së shkrimtarëve “Ramadan Musliu” në Viti.

About Post Author