Profesoreshë Lili Sula më kujtoi me postimin e saj “takimin” e parë me Konicën më 1988-Entela Komnino


Entela Komnino

Profesoreshë Lili Sula më kujtoi me postimin e saj “takimin” e parë me Konicën më 1988. Profesor Nasho Jorgaqi na ngarkoi bashkë me shoqen e kursit, Etleva Shiroka, që të zbardhnim prozën e shkurtër të Konicës që, pavarësisht se bëhej duke e kopjuar me shkrim dore siç ishte në gazetën “Albania”, ishim me fat që e lexonim, pasi vinte nga fondi i ndaluar për lexuesit e tjerë. Duke abstenuar nga fakti se si kjo punë pa emrin tonë u çua për botim në përmbledhjen e parë të veprës së Konicës së botuar në Shqipërinë e pas ’90-s, takimi fatlum u vazhdua edhe me temën e diplomës më 1991, kur Konica ishte në inercinë e mosnjohjes dhe sidomos të ekzistencës në dorëshkrim, që përsëri m’u ofrua nga Profesor Nasho Jorgaqi dhe pikërisht “Shqipëria kopshti shkëmbor i Europës Juglindore” dhe “Doktor Gjilpëra”. Dikur pashë një shok kursi që e nisi suksesin e ardhshëm duke treguar për veten në një libër me dy autorë se kishte mbrojtur diplomën me Faik Konicën. Dukej që s’ia kishte idenë as se në çfarë kushtesh mund ta ndeshje Konicën në atë kohë dhe se dorëshkrimet e tij ishin ekskluzivitet i Nasho Jorgaqit! Ndjeshmëria letrare ndryshoi kryekëput kur redaksia në Tiranë e “Rilindja”-s së famshme të Kosovës me Mehmet KrajaSkender ZogajSaba Krasniqi e botoi gjithë punimin e diplomës si rubrikë në numrat e saj. Shumë shokë të letrave i kam nga ajo kohë, mes të cilëve Arbër Ahmetaj në Ministrinë e Jashtme asokohe, që pyeste se kush isha unë që shkruaja te”Rilindja”, ndërkohë që më njihte si fytyrë🙂. Më poshtë Dita shqiptare e Verës që zbret “si në pikturë të Botiçellit”. Do të duhej të ishte teksti më i rrahur në programet e shkollave shqiptare! Apo jo Linda MënikuTeuta Toska ? @kryesoret

DITA E VERËS

Ç’është Dita e Verës? Ësht dita në të cilën stërgjyshërit tanë, kur s’kish lindur edhe krishtërimi, kremtonin bashkë me romakët dhe me grekët e vjetër, perënditë e lulevet, të shelgjevet. Kur shkrin dimri, kur qaset vera buzëqeshur, e hollë dhe e gjatë si në pikturë të Botiçelit, zemra e njeriut shkarkohet nga një barrë, shijon një qetësi, një lumtësi të ëmbël. Në këtë gëzim, stërgjyshërit tanë ndienin një detyrë t’u falen perëndivet që sjellin këto mirësira. Dhe ashtu leu festa hiroshe që e quajnë Dita e Verës.

Në pak ditë në Shqipëri, besnikët e fundmë të paganizmit, besnikët pa dashur dhe pa ditur, do të rrethojnë me verore degët e thanave, të dëllinjavet, të dafinavet, të gjithë shelgjevet të nderuara. Do të këputin degë të gjelbra dhe do t’i vënë përmbi kryet e shtëpivet.

Të mos i lëmë të humbasin këto festa të vjetra të racës sonë. Nuk i bëjnë dëm njeriut. Sjellin një gëzim të kulluar në shtëpi. Një vend ku jeta e të vegjëlvet është aq e trishtuar, djelmuria dhe vajzat kanë një rasë të rrallë për të dëfryer. Për të mëdhenjtë, Dita e Verës ka një shije poetike të hollë e të rrallë.

F. Konica, 1911