Profili ndryshe i Margarita Xhepës-Nga Halil Rama


Mbretëresha e skenës dhe ekranit festoi me madhështi 90 vjetorin e lindjes

Halil Rama – Mjeshtër i Madh

90 vjet

Margarita Xhepa

⦁ Në sfidë me moshën, kjo margaritare e skenës shqiptare është dhe një veprimtare shembullore e Shoqërisë Civile. Si Presidente Nderi e “Jehona Shqiptare” i ka dhënë kësaj shoqate prestigjin që meriton ky emër, qoftë në konkurset e fjalës poetike që ajo organizon (duke ndarë çmime për zërat e rinj), qoftë në veprimtari me karakter humanitar, kur shpërndahen ndihma për fëmijët autikë e për persona të kategorisë vulnerabël.

“Nderi i kombit” Margarita Xhepa, një nga Zonjat e Mëdha të teatrit dhe filmit shqiptar më 2 prill 2024 festoi me madhështi 90 vjetorin e ditëlindjes.
Diva e skenës dhe kinematografisë, në 64 vjet ka skalitur në memorien e publikut shqiptar role brilante që prej fillimit të jetës së saj artistike, në vitet 60 dhe deri më tani.
Si margaritar, me shkëlqim vezullues erdhi ajo në këtë ditëlindje jubilare.
Sa kënaqësi e veçantë të ndodhesh pranë saj! Unë kam patur fatin ta ndjej këtë kënaqësi në dhjetra promovime librash e dokumentarësh, jo vetëm në sallat moderne të Tiranës, por edhe në mjedisë të hapura në Bulqizë, Maqellarë, Lushnjë, Berat….
Profili artistik i saj është skalitur në mbi 150 role në teatër dhe 32 role në kinematografi, por unë këtë radhë po veçoj shpirtin fisnik dhe human në profilin ndryshe të mbretëreshës së skenës dhe ekranit.
Dy vjet më parë, në dokumentarin “ADNJ-ja e pandryshuar e Shefki Karadakut”, (sipas skenarit tim dhe regji të Bledar Linzës), do të interpretonte me mjeshtri të rrallë artistike dhjetë poezi të zgjedhura nga libri “FENIKS” i këtij autori mjaftë produktiv e cilësor që i la lexuesit si testament 35 vepra letrare në poezi dhe në prozë. Dhe jo vetëm me interpretimin, por ajo na mahniti edhe me peshën e fjalës artistike në vlerësimin e krijimtarisë së Karadakut.
Në Bulqizë, po para dy vitesh ku dhe ju dhurua simboli i qytetit minator do na mahniste me interpretimin plot ndjenjë të poezive të autorit dibran Demir Rusi. Kështu, të thjeshtë por gjer në madhështi, e kemi parë aktoren e madhe edhe në promovimin e librave të Barie Çupit e Setki Jasharit, duke interpretuar poezitë e tyre.
Vjet në ditën e të moshurave, nuk do të nguronte të ndodhej në Qendrën Rezidenciale “Strehë dhe Shpresë” në Tiranë mes 116 të moshuarve të braktisur. Nëse moderatori i mirënjohur i eventeve kulturore e artistike Defrim Methasani do ta konsideronte këtë si shtëpinë e çdo njeriu në nevojë, e madhja Margarita Xhepa do t’i jepte asaj madhështinë e duhur duke shprehur kënaqësi të veçantë. Kështu, kur ajo u shpreh: “Ndjej kënaqësi të veçantë sot në festën tonë, e juaja dhe e imja”, duatrokitjet e të pranishmëve qenë të fuqishme. Më tej ajo e ndezi atmosferën festive me interpretimin e poezive “Mall” të Kadaresë dhe “Atdheu” të Podrimjes. Sepse malli për njerëzit e kësaj shtrese është magjiplotë. Mall për njerëzit që na kanë humbur, mall për njerëzit që s’i kemi më. Ndaj dhe kjo ikonë e aktrimit shprehet se “Kemi kënaqësinë që kemi punuar me dashuri, që kemi lënë dhe lëmë kujtimet më të mira edhe në ditë të tilla” . Dhe duke vlerësuar punën e shpirtin fisnik e human të këtyre njerëzve që shërbejnë në këtë rezidencë komode, ku në 26 dhoma u shërbehet më së miri 116 të moshuarve të braktisur, Margarita Xhepa vlerëson se çdo njeri në punën e vetë është artist, i shërben shoqërisë…
Në sfidë me moshën, kjo margaritare e skenës shqiptare është dhe një veprimtare shembullore e Shoqërisë Civile. Si Presidente Nderi e “Jehona Shqiptare” i ka dhënë kësaj shoqate prestigjin që meriton ky emër, qoftë në konkurset e fjalës poetike që ajo organizon (duke ndarë çmime për zërat e rinj), qoftë në veprimtari me karakter humanitar, kur shpërndahen ndihma për fëmijët autikë e për persona të kategorisë vulnerabël.
Me energji të pashtershme krijuese dhe interpretuese u shfaq kjo zonjë fisnike e me inteligjencë të rrallë edhe para një muaj në një nga sallat e Hotel Tirana “Interanational” në promovimin e dokumentarit “Dilaver Kurti – ikonë e kulturës sonë kombëtare” dhe tre librave të këtij autori me thesare arkeologjike e etnokulturore të rrethit të Matit, ku para një publiku të zgjedhur, mbi 100 personaliteteve të artit, kulturës e letrave, interpretoi mjaf bukur poezinë e poetit Rakib Lasku, kushtuar këtij personaliteti me rrezatim mbarëkombëtar.
Vetëm një Zonjë e Madhe si Ajo, që s’e ndjen peshën e viteve bën aq shumë për promovimin e vlerave tona më të mira kombëtare. letrare dhe artistike.
Në memorien e saj është gjithshka i ka dhënë skenës dhe ekranit në 64 vite. Dhe nuk nguron të thotë se në diktaturë ishim të varfër, por bëmë art që ka lënë gjurmë.
Mbretëresha e skenës, aktorja e madhe, Margarita Xhepa, është një nga figurat ikonë të Teatrit dhe Kinematografisë shqiptare. Artistja shumë e dashur nga shqiptarët u aktivizua fillimisht në Estradën e Shtetit dhe më pas në Teatrin Popullor.
Bashkëkohësit kujtojnë kohën kur ajo spikati në interpretimin e rolit të Ofelisë të tragjedisë shekspiriane “Hamleti”, vënë në skenë në vitin 1960 prej regjisorit rus Bortko.
Në skenën e teatrit, Xhepa ka luajtur mbi 150 role, mes të cilave veçojmë: Ledi Milfordin në dramën “Intrigë e dashuri” (F. Shiler), Melën në dramën “Morali i zonjës Dulska” (G. Zapolska), Dafinën në dramatizimin e romanit “Lumi i vdekur” (J. Xoxa) dhe nënën në inskenimin e romanit të Kadaresë, “Kush e solli Doruntinën”.
Disa prej personazheve që ka interpretuar mjeshtërisht janë Zyraka te “Vitet e para” (1965), Shano te “Dimri i fundit” (1976), pianistja te “Koncert në vitin 1936 (1978) dhe Lena te “Tokë e përgjakur” (1976).
Në rolet e tjera nga dramaturgjia botërore spikasin Klea te “Dhelpra dhe rrushtë” (Figereido), Lena te “Xhaxha Vanja” (Çehov), Ledi Milford te “Luiza Miler” (Shiler), Zonja Berling te “Vizita e inspektorit” (Pristli), Zonja Lomen te “Vdekja e një komisioneri” (A. Miller), Ana Andrejevna te “Revizori” (Gogol), Marsela te “Qeni i kopshtarit” (De Vega), Mashenka te “Mashenka” (Afigenov), Shejla te “Morali i zonjes Dulska” (Zapolska), apo Dado tek “Elektra” e Sofokliut, nën drejtimin e regjisorit grek Dhimitri Mavriqis, në Teatrin Kombëtar të Greqisë, në Athinë.
Veç roleve në teatër, ka realizuar edhe 32 role në kinematografi, duke punuar me shumicën e regjisorëve shqiptarë. Me K. Dhamon xhiron “Vitet e para” dhe “Gjurmët”, me I. Muçajn e K. Mitron “Dimri i fundit”, “Tokë e përgjakur”, “Një djalë edhe një vajzë” dhe “Apasionata”, me Viktor Gjikën, “Gjeneral gramafoni”, me E. Musliun, “Rrethi i kujtesës” dhe “Vitet e pritjes” (E. Musliu), me Kujtim Çashkun, “Dora e ngrohtë”, me Dhimitër Anagnostin, “Gurët e shtëpisë sime”, me P. Milkanin, “Pranvera s’erdhi vetëm”, me S. Kumbaron, “Koncert në vitin 1936”, me Gj. Xhuvanian “E diela e fundit” dhe “I dashur armik”.
Në maj 2004 u rikthye në skenën e Teatrit Kombëtar, për të shkëlqyer në dramën “Streha e të harruarve”, një tjetër sukses në karrierën e saj 60-vjeçare.
Në vitin 2007 iu dha “Çmimi i Karrierës” për rolin e Nadjezhnës në monodramën “Kënga e mjellmës” së Çehovit.
Krahas teatrit, Xhepa është shfaqur në ekranin e filmit me një galeri të larmishme prej 32 rolesh.
Para katër vitesh, në mars 2019 aktorja e roleve të spikatura iu nënshtrua një operacioni të rëndësishëm dhe çdo gjë shkoi me sukses. Gjithsesi, pas katër vitesh, ndonëse disi e rënduar nga mosha ajo shfaqet para publikut plot vitalitet e shpirt krijues.
Lushnja, qyteti ku ajo lindi 90 vjet më parë dhe ku mori formimin bazë arsimor është dashuria e saj e madhe, ndaj edhe në këtë moshë ajo sa herë gjendet mes lushnjarëve në evente festive.
Këtë 2 Prill, në nder të saj, ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit organizoi një aktivitet, ku të ftuar ishin figura të njohura kulturore. I pranishëm ishte edhe ministri Blendi Gonxhja. Artisë, kolege dhe miq të Margaita Xhepës kanë marrë pjesë në këtë event, ku kanë përcjellë dhe mesazhe për aktoren e madhe.
Teksa shprehu falenderimet, aktorja tha se kjo është ditëlindja e parë që feston në moshë madhore. Ajo thotë se ndihet keq kur mendon se ka humbur njerëz të dashur dhe kolegë pune në moshë të re.
“Në qytetin tim të lindjes, ishte një zakon që nuk i festonin datëlindjet e vajzave. Dhe djemtë e mi donin të ma festonin datëlindjen, por unë iu thoja nuk jam mësuar. Kështu që është datëlindja ime e parë që festoj në këtë moshë madhore. E them këtë sepse më ka pikuar loti që më janë larguar njerëzit e mi të dashur në një moshë të re, po ashtu edhe kolegët e teatrit që kam punuar një jetë të tërë, janë larguar nga jeta dhe pa dalë në pension. Po kështu është jeta, me dhimbjet që të gërshetohen edhe gëzimet e punës.”, tha mes të tjerash aktorja gjatë fjalës së saj në aktivitet.
Aktorja e mrekullueshme, magjia e skenës dhe Teatrit shqiptar, Margarita Xhepa, mban titujt “Artiste e Popullit”, “Nderi i Kombit”, dhe Urdhri i Lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.