Prova e dashurisë-Suzana Rama


Shtrihu dhe mbylli sytë dashuri,

direkt në tokë pa batanie shtruar,

ta ndjesh safi atë që mbyllur rri,

nën koracën nga bari i thatë mbuluar.

Mos ki ftohtë të lutem, mos u dridh,

e di këto netë dimri janë të ftohta,

vëri veshin zhurmave që do të vijnë,

të mësosh sekretin e lidhjeve të forta.

Oh jo, jo as vetullat ti mos i ngrys,

ndokush edhe mundet të të përçmojë,

të të thotë qesëndisur ligjërata kuturu,

se dëshiron të ikësh, të të largojë.

Edhe brazdat në ballëkur ti i krijon,

kuptoj duke të parë që është vështirë,

se ke përballë ndonjë kameleon,

tip të mëzitshëm, lodhës e të pështirë.

Duro dashuri, qetsohu pak dhe fli,

e ndjej që para teje tani natë ka,

por mos i mbyll të lutem, sytë të dy,

sepse nata e keqe vetëm gracka ka.

Mbasi të kesh dëgjuar, mbledhur e fiksuar,

gjithçka që nga nëntoka ata të thanë,

mendoj që do të jesh lodhur, e stresuar,

por ke fituar nga përvoja një arsenal.

Rri i qetë mos u nxito, me vrik mos u ngri,

ndokush patjetër që do të jetë i vonuar,

ai që pikat di dhe do të vendosë mbi i,

peripecitë e jetës për të të treguar.

Kur të kuptosh se rrëfenjat mbaruan,

ngrihu dalëngadalë dhe shiko poshtë,

kurmin tënd delikat të ravijëzuar,

në vëndin ku fillimisht u shtrive, në tokë.

Atje do të gjesh një shprehje të shkruar,

që unë ta lashë enkas dhe pse anonim,

nëse je gati me mua për të fluturuar,

dashuri të ngelesh e praruar,e jo dështim….