Qarrishta i strehoi hebrenjtë, po në Qarrishtë kush i dërgoi?Nga Gani Xh. LLoshi


Ngjarje panjohur e Luftës së II Botërore në Shqipëri
Qarrishta i strehoi hebrenjtë, po në Qarrishtë kush i dërgoi ?
(Roli i Ibrahim Bej Bicakut, ish kryeministrit të kohës)
Nga Gani Xh. LLoshi
Ngjarja që po u tregoj është shkruar në librin tim me kujtime:”Jetë dhe njerëz që nuk duhen harruar” , por meqenëse libri ishtë për përdorim familjar dhe miqësor, mendova ta publikoj për një publik më të gjërë, pasi për strehimin e hebrenjve në Shqipëri dhe vecanërisht për ato të Qarrishtës, ka të pathëna që do të përpiqem tua tregoj nëpërmjet një njeriu që ka urdhëruar, shoqëruar dhe paguar për dërgimin e tyre në Qarrishtë të Elbasanit tek njerëzit e fisit të tij.
Ky është Ibrahim Bej Bicaku, ish kryeministër dy herë nga një muaj e gjysëm në vitin 1943 dhe 1944, djali i vetëm i Aqif Pashë Elbasanit, studiuar në Austri për agronomi, krijues i fermave të Cërrikut dhe Peqinit.
Ibrahim Beun (kështu e thirrnin të gjithë njerëzit në moshë në qytetin e Elbasanit), e kam patur komshi në lagjen Spahikore. Jetonte me gruan e tij, një bijë nga bejlerët e Vlorës. Ibrahimi kishte lidhje farefisnore me Qamil e Xhafer Cifte, familje ku ishte rritur gjyshja jonë.
Pas lirimit nga burgu i Burrelit në vitin 1962 ai punoi si punëtor komunalje në Elbasan.
Kur familja jonë humbi vëllain tim Xhaferin, në një aksident në Kombinatin Metalurgjik, Ibrahim Bej erdhi për ngushëllim në ditën e tretë, pasi njerëzit ishin rralluar. Nëna doli dhe e priti në hajat duke i puthur dorën.
-Ndoshta kam ardhur në kohë të papërshtashme, por kisha hall që të mos u besdisja dhe mos u prishja punë.
-Cfarë thua Ibrahim Bej, i tha nëna, dera jonë për ju ka qenë dhe është e hapur.

  • E di, Mili, e di, ju drejtua momës tonë, ma ka thënë edhe Nashifer Sejdini që vetëm Xhemali Lloshi ma hapte derën kur ma pushkatuan Zijanë.
    Ime shoqe, Beatricja e pyeti se si e donte kafenë.
    -Kjo është nusja e Ganiut ? pyeti për Beatricen.
    -Po, i tha nëna, është goca e Nuredin Gices, Nuredinit që ka patur dyqanin te porta e kalasë.
    -Më kujtohet vëllai yt, kur mbylli restorantin afër shtëpisë së Sejdinëve dhe vajti guzhinjer te shtëpia e Bahollëve, te Shtabi i Përgjithshëm.
    Ibrahim Bej la në tabaka një kartëmonedhë 100 lekëshe, shumë e madhe për kohën.
    -Xhemali, ju drejtua babait, djalin, Ganiun e ke shumë të mirë. Ka punuar me Jashar Menzelxhiun, apo jo ? Jashari më ka heq një siklet dhe turp nga kurrizi, më largoi nga grumbullimi i plehrave në ndërmarrjen Komunale dhe më dërgoi roje varrezash. Rastësisht më pa te dyqani i Xhepës te hyrja e kalasë, i shoqëruar me Ganiun dhe ngarkoi Ganiun që t’i thoshte Dinit, drejtorit të Komunales që t’i gjente një punë tjetër Ibrahimit, qoftë edhe roje te varrezat, por jo këtu te plehrat. Dhe kështu u bë.
    Më pas ju drejtua babit tim Xhemaliut:
    ”Po nënën nga Qarrishta e ke ? Keni lidhje me Hazis Bicakun ?
    -Jo i tha lala Xhemali.
    Ibrahimi vazhdoi të tregonte për Qarrishtën dhe bicakcinjtë. Një mik imi më kërkoi që të siguroja jetën e 26 hebrenjve që ishin strehuar përkohësisht në Tiranë dhe në Durrës, që të mos binin në duart e gjermanëve.
    -Vend më të sigurtë se te bicakët e tu në Qarrishtë nuk ka, më tha.
    Thirra Hazis Bicakun e Qarrishtës, që ishte me punë në Tiranë dhe që ishte i lidhur me Ballin Kombëtar.
    -Hazis, ti i ke rrugët të hapura nga Balli dhe nga gjermanët, prandaj në besën tënde dhe në besën time do të marrësh disa familje në Tiranë dhe në Durrës dhe do t’i dërgosh në Qarrishtë te bicakët e tu dhe të mitë. Shpenzimet e rrugës janë të mijat, i thashë. I tregova edhe personin me të cilin do të lidhej.
    Mbas dy ditësh, Hazisi më tha se kjo punë u krye. Gjatë gjithë kohës së pushtimit gjerman hebrenjve nuk u ndodhi asgjë. Gjermanët nuk donin ta prishnin as me mua dhe as me Hazisin e Ballin Kombëtar, për të mos thënë se në ndonjë rast luajti edhe paraja, se edhe gjermanët e hanin paranë.
    As Mehmet Shehu nuk i ngacmoi hebrenjtë megjithse e dinte. Me Mehmet Shehu njihesha nëpërmjet Myslym Pezës. Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut.

Si njihej Ibrahim Bicaku në Elbasan?
Ibrahim Bej Bicaku, pinjoll i Biçakçinjve, ishte djali i vetëm i Aqif pashë Elbasanit e Ifete hanëm Vrionit dhe gëzonte popullaritet në Elbasan.
Arsimin fillor e kreu në qytetin e lindjes. Më pas ndoqi ne Vjenë, të mesmen dhe studioi në dy fakultete, atë të në Akademinë Tregtare të Vjenës për Agronomi dhe për Shkenca Politike. Zotëronte gjuhët Gjermanisht, Italisht, Turqisht, Anglisht.
-Po përse jua fali jetën Enver Hoxha, e pyes, nga dënim i përjetshëm në dënim me 30 vjet dhe më pas me 17 vjet ?
-Unë pata bërë shumë edhe për partizanët sepse shumë prej tyre i kisha miq. Me Myslym Pezën kisha lidhje të forta. Në fermat e mija në Cërrik me porosi të Babë Myslymit strehoheshin Hysmi Kapo, Mehmet Shehu, Bilbil Klosi e shumë të tjerë. Pse pa lejen time i strehonte Beqir Dervina dhe Petri Hakani ?
Lirimin para kohe prej burgu ja dedikon Myslym Pezës dhe 3000 bashkëqytetarëve të tij elbasanas që i shkruan Sami Bahollit, ish sekretar i Presidiumit të Kuvendit popullor.
Për dy muaj u strehua në shtëpinë e Myslym Pezës pas clirimit të vendit. U arrestua në Shkodër sepse ai nuk donte të largohej nga Shqipëria, të cilës i ishte përkushtuar gjatë gjithë jetës, edhe në kohën e Luftës së II Botërore.
Pas dorëheqjes së Fiqiri Dines, Myslym Peza i dërgoi fjalë me Petrit Hakanin, që të mos e pranonte detyrën e kryeministrit dhe të mos e formonte qeverinë. Por Ibrahimi e kishte formuar qeverinë shqiptare sepse në botkuptimin e tij Shqipëria duhet ta kishte qeverinë e vet.
-U thuaj miqve të Nacional Clirimtares se jeni vonë, se unë e formova qeverinë, i tha Petrit Hakanit.
Dhe këto të vërteta i dinte Jashar Menzelxhiu ish sekretar i parë i Elbasanit, prandaj kur e pa, tha se Ibrahim Bej Bicaku nuk mund të punonte te plehrat e Komunales.
Pra 26 hebrenjtë u strehuan në shtëpinë e Mefail dhe Njazi Bicakut me dijeninë dhe mbrojtjen e Ibrahim Bej Bicakut dhe të Hazis Bicakut.
Shteti izraelit dhe familjet hebreje që u strehuan u janë mirënjohës përjetësisht.