Qazim Muska-PËR ADELËN


Qazim Muska

  · 

PËR ADELËN

– vajzës në ditëlindje –

Qe ditë e zakonshme,

Por nuk është më.

Erdhe ti dhe e mbushe me shenjti.

Mëngjesit skalite emrin

Dhe ne

Kolonat e tempullit më të ri

Nisëm të ngrehim.

Fillove të rriteshe.

Ne të bëheshim fëmijë mësuam.

Shndrroheshim për ditë në ujra të pastra,

Në kambana me tinguj hareje,

Në det e në brigje e në shpresë të re.

Pastaj bëheshim lisa të moçëm,

Male të lartë,

Qiej të pafundmë

Për harbimin prej lastari.

Nën shenjtërinë tënde prej qumshti

Pemët ngritën zogjtë në fluturim

Dhe zëri yt u bë cicërimë,

Këngë perëndie u bë

E na dehu si pjalm.

Na shterri dalëngadalë

Rrembat e mykët,

Mendësitë bestyte.

Rrëzonte,

Heshtur,

Dromca zhgënjimesh,

Mosaprovimesh,

Tundimesh

E gozhdë pendimesh na shponin në gjoks.

Erdhe ti

Dhe një tjetër dashuri gjetëm

Që na u fut indeve, gjakut, zemrës

E motiv të ri na dha për të kuptuar jetën.

MUSKA@

About Post Author