Që e nesërmja të vijë më e bukur-Rudina Muharremi Beja


Rudina Muharremi Beja



Trëndafilat s’ kundërmojnë si më parë,
dhe zogjtë, fjalët i kanë ngatërruar
ndërsa honet, thellohen…

Thellohen e ngrenë re mjegullash
kujtesat drithshëm për t’ i përmbysur
ndoshta,
për të na bërë më të padukshëm…

Mërzia pushton tërë skutat e mendimeve,
krejt skutat e shpirtit, pamjet m’i zbeh
kujtimin e largët të shkëlqimit të syve
teksa bota
me taka të larta,
ngut hapin mbi dhimbjet e të tjerëve
shpërfillëse ndaj kohërave të rrëzuara.

Numëroj ditët që hapin s’ e ndalin
gris nga kalendari dhe një tjetër fletë,
që e nesërmja, të vijë më e bukur,
që trëndafilët të shfaqen sërish plot diell
dhe flakërima e buzëqeshjes, plot jetë.