Qemal Q. Sinanaj-Netët andej nga Vjosa


Qemal Q. Sinanaj

  · 

*Netët andej nga Vjosa

Si janë netët andej nga Vjosa…

Oh, si janë , si janë, si janë !

Fillimisht, ulen fshehtas muzgjet

Pastaj nata , e mesnata e tejmesnata

Nëpër ujëra , diku bëhen copa copa

Edhe lëre tani, që sa ka ardhur vjeshta !..

Dhe netët andej janë ndryshe shumë…

Me që s’gjej dot fjalën më të mirë

Them, se ato janë si Enigma

Në se një tjetër e gjen fjalën e duhur

Unë e mirëpres me ankth e dëshirë

Se kështu , edhe tek unë zgjidhet Enigma !..

Netët andej nuk janë të qeta kurrë

Se dallgët s’i lënë të jenë në gjumë

Edhe andej ka netë me hënë e me yje

Siç ka edhe netë tjera me ngjyra të murrme

Po netëve me dritë , lumit lëvizin figura

Është kështu vërtetë a duken në ujëra !..

Si janë netët andej nga Vjosa…

Oh, si janë , si janë, si janë !

Janë sharm , edhe joshje habije

Janë si ëndërrimet në yllësije

Oh, si janë , si janë , si janë …

Edhe unë pas tyre mbetem në hije !

Si janë netët andej nëpër Vjosë

Askush nuk mund të thotë të vërtetën

Edhe sa vjen agu i mëngjesit , herët

Sikur dëgjoj të thonë : “Prit ,mos, mos, mos !

Se unë largohem bashkë me hënëzën

Unë të gjithë ju dua , ju shëroj plagët ! “…

Kur shfaqen brerimet në majat e maleve

Nëpër Vjosë ,oh , si lëshohen pulëbardhat

Shtyhen edhe humbin ca bishta të hijeve

Ngjashëm, janë përzënë edhe baladat

Në shtratin e lumit, shihni gurë e zaje

Nata iku , mbi Vjosë hapen ngjyrë bardhat !…

Si janë netët andej nga lumi Vjosa

Oh, si janë , si janë, si janë…

Fillimisht ulen fshehtas muzgjet

Pastaj nata , e mesnata e tejmesnata

Nëpër ujëra sikur bëhen copa copa

Edhe lëre tani, që sa ka ardhur vjeshta !..

Vlorë, më 26.09.2022

About Post Author