Qëndruat ashtu si malet-Lutfi Mema


Nga hekurat kryqëzuar në qeli,

ju copa-copa e shikonit botën,

tortura, lagështirë dhe uri,

por ju mëkuar me erë të barotit…

Kërcënon gardiani midis territ,

por ju të dya syrin kishit pishë,

qelia brenda ishte aq e errët,

po ëndrra juaj kishte shumë dritë…

* * *

Ju e ngjeshët pushkën dhe gjerdanin

në vitet e bukura të rinisë,

në lulen e moshës dolët malit,

ngjitët shkallët e pavdekësisë.

Ju qëndruat kryelartë si malet,

për pranverë të bukur të lirisë,

ju u kthyet si legjendë e gjallë,

se ishit bija të trimërisë.

Edhe ju kishit ëndërruar

me fustan të bardhë të nusëronit…

Mbi ju derdhej uji i valuar,

cigaret në gushë ju përvëlonin.

—Tërhiqij nga lufta dhe firmosni!-

-vinte në qeli një zë i egër.

—Ne kemi firmosë me gjak shokësh

për lirinë që kemi në zemër!…

—S’keni frikë?! Ne ju mëshirojmë!-

-shfryn, godet xhelati sypërgjumur…

—Frikë të keni ju, të poshtër, që jetoni

në këto ditë çastet e fundit!…

Ju do t’ju dërrmojë këmbë e kohës

toka jonë kudo do t’ju djegë

ju të nëmur, mallkim i botës,

Shqipëria si zjarr është ndezë.

—Mbroje, nënë, çdo vajzë partizane,-

-i thotë Bulja,- siç më mbroje mua,

armiku në qafë e ka litarin,

zjarr i pushkës sonë i ka verbuar…

Në ballë rrudha-vija pentagrami,

në zemrën tuaj këngë edhe zjarr…

Me kokën lart ju shkuat drej litarit,

hapat gjëmuan në tokën e përgjaktë…

Me litarin qafës Persefoni

nuk e përfill fare këtë gjëmë,

xhelati afrohet t’i heqë stolin,

Ajo stolit i bie me këmbë…

Shikimin hodhët tutje lartësive,

zemra rrihte si kambanë kushtrimi…

Ju si dy shqiponja kaltërsive,

shikonit, po vinte agimi…

LUTFI MEMA

Personalitet i Shquar i Arsimit Kombëtar

Komente:

“Profesor Lutfi MEMA, as hekurat e kryqëzuara, as torturat çnjerëzore nuk mund të shuanin ëndrrën e madhe dhe vizionin për një Shqipëri të lirë të dy vajzave labe! Profesor Lutfiu i bën të pavdekshme Bulen dhe Persefonin, thua se ato janë akoma gjallë, ngadhnjyer mbi vdekjen dhe thonë: Përpara rini, ecni, arrini fitore! Mjeshtri Lutfi MEMA di të gdhendë bukur vargjet, vargje që të japin kurajo në jetë. Respekte për ju profesor Lutfiu!” (Harilla Bombaj)

“Lavdi të gjitha vajzave dhe grave që morën pjesë në çlirimin e vendit! Lavdi gjithë djemve që dhanë jetën për liri! Të lumtë dora dhe ty, Lutfi Mema, që shkruan dhe ngre në vargje atë epope të lavdishme të popullit tonë!” (mësuese Meshtane Hodaj)

“Bravo për vargjet e bukura! Ju e ngjeshët pushkën dhe gjerdanin,/në vitet e bukura të rinisë,/në lulen e moshës dolët malit, ngjitët shkallët e pavdekësisë! Përjetë të pavdekshme do jenë. Lavdi vajzave dhe djemve të Shqipërisë, që nuk kursyen as jetën e tyre për një Shqipëri të lirë!

Poeti ka përdorur krahasimet, si: “Ju qëndruat kryelartë si malet,/ju të dyja syrin kishit pishë!” Por dy heroinat, që e dinin se do t’i varnin, s’kërkuan mëshirë, sepse, siç thotë edhe poeti, lirinë e kishin firmosur me gjakun e shokëve. Gjithmonë poezia mbaron me një shpresë:” Shikimin hodhët tutje lartësive,/zemra rrihte si kambanë kushrimi,/ju si dy shqiponja kaltërsive/shikonit, po vinte agimi…”Respekt për ju! Urime, profesor! Mos shteroftë mendja dhe pena juaj e artë!” (Raimonda Meksi)

“Edhe pse s’më pëlqen të shkruaj, profesor, në stilin e atyre viteve të asaj lloj letërsie, që erdhi pas letërsisë kritike, për mua ata do të jenë pena më e fuqishme dhe plot cilësi të asaj plejade autorësh, që të linin me libra në dorë, nga të cilët u frymëzuam për më tutje…Lexoj këtë baladë të thurur shumë bukur dhe të gjej në mesin e atyre autorëve gjigandë, që me meritën tuaj u bënë aq të afërt për ne…Urime, profesor i nderuar dhe shikoj që rruga juaj do të jetë shumë e gjatë në krijimtari!…Të përshëndes, edhe pse erdha buzë detit, e shihja që s’do të shihja…Të jeni mirë përherë!” (Jani Shametaj)

“Jo vetëm për vargjet, por aq më tepër për vlerësimin dinjitoz të historisë nëpërmjet figurës së heroinave. Të lumtë pena!” (Noke Abilekaj)

“Lavdi dhe kujtim i paharruar për heroinat! Koha dhe dekada do të kalojnë, nëpërmjet krijimtarisë suaj të veçantë, jo vetëm që i rikujtojmë, por mbeten në pavdekësi…

Respekt dhe mirënjohje për ju, profesor!” (Aleksandra Saliou)

“I përjetshëm emri i tyre!” (Gjinovefa Bregu Ferko)