Qesha dhe këndova-Suzana Rama


E ftohtë kjo natë dhjetori,

ndërkohë që jam e okupuar,

përpara kam pemën e vitit të ri,

e lodra plot për ta rregulluar.

E më erdhi në sy fëmijëria,

këngët fëminore në vesh,

fillova ngadalë të përdridhem ,

e pastaj me të madhe të qesh.

Atëhere pemë në treg nuk kishte,

po shkurre dëllinjash kishte mali,

një të tillë shkonte dhe e merrte,

me një sakicë në dorë vëllai.

S’kishte lodra e toptha shumëngjyrësh,

që lehtësisht i gjen në treg tani,

por imagjinata mirë na punonte,

e improvizonim me punëdore.

Për ngjitës kishim brumin e hollë

që mami na vinte në dispozicion,

kujdes mos e derdhni na thoshte

mos u bëni pis si gjithmonë .

Uleshim në shesh, zë nuk pipëtinte,

ishim të zënë me punë që të tre.

e tek qeshte babi na ngacmonte,

hajde shpejt se do shkoj të fle.

Dy apo tre fletore punëdore,

bëheshin shirita të gjatë,

e babi na duhej të mos shkonte ,

sa të vinte shiritat në tavan.

Pastaj fillonim me kubat

e turlilloj trupash gjeometrike,

që i vendosnim me pambukun

mbi degët e dëllinjes me frikë.

Do hani bukë thoshte mami,

keni shkollë nesër, vajti vonë,

po ne s’donim të dëgjonim,

e duke punuar këndonim.

Ja këto m’u kujtuan sonte ,

teksa pemën rregulloja ngadalë,

e zëmra donte të këndonte,

si atëherë në fëmijërinë e parë.

Ja na erdhi viti i ri, nisa me dëshirë,

edhe pse zëri i ngjirur nuk kumbonte,

këndoja dhe vehten shikoja fëmijë,

teksa dhe pema bukur lulëzonte,

Kur mbarova iku dhe magjija,

nisa të qesh me kujtimet e mija,

dhe u ula buzagas dhe e qetë,

ti hedh kujtimet në këtë fletë.