Qiell i grisur


Vaso Papaj

Këmbë e urës, ballë shtrati,
Si jastek një fabrikat
As nuk di se ç’është mëkati,
Për dyshek, pak bar të thatë.

Hije netëve i vërtiten.
Japin marrin kënaqësi.
Herë ngjiten e herë shqiten,
Po vogëlushi nga këto s’di.

S’kish nga dinte ç’ishin dhelet.
Njomështi s’i kish lëkura.
E mbuluar krejt nga zhelet,
Shtëpi e tij ish kjo nën ura.

E në ndodhtë, dikush t’ia shembte
Gardhin ngrehur me kartona.
Lusja Zotin mos ta trembte,
Era vuuu… netëve të vona.

Për mbulojë një qiell të zi.
Grisur, shqyer mijëra yje.
Ëndrra sheh, si një fëmijë.
Ëndrrat grykën zënë si nyje.

E në paftë të tjera hije,
Që harxhojnë epshe nën urë.
Pa jetuar kohë rinie,
Para kohe bëhet burrë.

Ze zbret nata, minj tërë brymë,
Qentë pazot i merr në duar.
E gëzon ngrohur me frymë.
Natë e ditë bashkë të mësuar.

S’mbante mend ta thirrnin n’emër.
E ç’emër!?Ngjizur me dhimbje.
Shelg – lotues mbi të rri shtrembër,
Gjethe vjeshte që në lindje.

Dhe përsërit me mijëra herë,
T’vetmet fjalë që mirë i di,
Që nga dita kur kish lerë:
“Send, ndoj send na fal, Zotni…”

About Post Author