Qiparisi në shtëpizën e tij-Angela Kosta


(Vëllait tim të vetëm e të shtrenjtë Rolandit)

Në ballin tënd të ftohtë

ngrinë buzët e mia dhe buzëqeshjet tona

strukur brenda shtëpizës tënde të kuqe

strehë përjetësisht gjete

me tokën e zezë njësh u bëre.

Syve të tu në gjumin e thellë

lamtumirë kurrë nuk munda t’u them

17 vitet e tua në hapësirë mbetën

në klithjen vajtuese e shpirtit të përvëluar.

Nga lotët e pashtershëm

një qiparis mbi varrin tënd mbiu, u vadit

çdo ditë drejt qiellit lartësohet

mes engjëjsh me siguri e përqafon.

Asnjë nuk flet më me zërin tënd të ëmbël

askush nuk u përgjigjet vegimeve mallëngjyse

enigmës të së përtejmes botë

aty ku Shpirti gjen prehje në kaltërsi

e me flatrat e mallit tek unë mbërrin…