Qoshk i harruar-Vladimir Muça


Në at’ qiri ndezur në dritare
Loti ndizet
Diku tretet
Diku ikën.

Përdredhja e tymit mbi oxhak
Tej horizontit, diku kapërdihet;
Shporet i ndezur, pa flakë
Ngado e ndjen mërdhitjen.

Hija e fisit zgjuar përqark
Trandet ngahera si heroglife,
Masha shkund hirin nga pak
Me dorën që lëviz në dridhje.

Mbi dritare një rrjetë merimange
Thur makthet e ditëve mbytëse;
Diku nën neonë e semaforë
Hijenë mund të jetë, shqyese.

Që lëviz anë murit, në qoshe,
Nën qiellin e hirtë të verbimit,
Veshur me rrobën e frikëshme,
Arnuar me copën e trishtimit.

Nga ky qoshk qorruar vështrimi
Nuk shoh një shkëndij të vetme,
Asnjë përgjumje të agimit
Të thyer sadopak nëpër lente.

Mos më pyet se ç’ditë paskëtaj
Do vi në këtë qiell të përzhitur,
Zemra gjëmën s’do e mbajë,
Do rrekëllehet çuditërisht e venitur.

Do përpëlitemi në kujtimin e shkrirë,
Si mbi një pellg gjaku të verdhë,
S’do kemi më asnjë dëshirë
Për qoshkun tonë, ku kemi lerë.

VETJA

Para vitëve ’90 pata shumë shokë e miq.
Dikush shpërtheu hambarët e kohës,
Një syresh u zhyt në udhën e krimit.

Unë ndenja i veçuar.
Urreva bukën e pa shenjtëruar;
Tek dritë e pezmët kërkova veten.
Eca mbi të vështirën për të jetuar,
Mes erërave të kohës,
Punës të amëshuar.

PISHAT E PRERA

Trungjet e tyre
Nxorën lotët e florinjtë
Në muzgun e jetës.

Në zjarrin e syve të mi
Piqen boçat e tyre
E shpirti ngopet me stika.

Nga vëllimi”Pegasiane”