Qyteti prej zjarri-Elvira Zeneli


Elvira Zeneli

QYTETI PREJ ZJARRI

Është një qytet prej zjarri

Diku në një breglumi!

Valet e tij rrjedhin përtej

E ne çuçurisim nën zë të dy,

Pa pikë e presje,

Të njëjtën melodi,

Refren i bardhë

Që e dimë veç Unë e Ti!

Shpirti grimcohet në lotë

E, për shumë çaste

Unë bëhem e çmendura jote,

Kur lumi del përtej shtratit

E Qytetin e Zjarrit e shuan për pak,

Deri në ndezjen e re

Kur ai rindizet më egër-

Flakadan!

Mos e kërko Vajzën e valëve

Në rrjedhën e pamatë të lumit!

Ajo është njëherësh

Në flakën e Qytetit të Zjarrtë

E shkrumbuar për ty,

Për të gjetur shpëtim

Në lumin që i rrjedh te këmbët

Ku gjen amshim!

… Një Qytet i Zjarrtë

Dhe një lumë në këmbët e tij

Ku digjemi e ringjallemi

Në pafundësi!

Jo…!

S’është Troja e përflakur

Nga një dashuri!

Është Qyteti ynë prej zjarri

Që një lumë s’e lë të bëhet hi!