Rajmonda Qose Shkopi
Ëndrra rebele
Ëndrra rebele,
Dalë prej sirtareve të kohës,
Luftojnë në mari me frymëra erërash,
Përplasen në shkulme dallgësh,
Duke rendur drejt krahëve të qiellit.
Ëndrra që zgjojnë dhimbje brigjesh,
Gërryer nga kripa lotësh,
Netëve që nuk mbaronin kurrë.
Rinisë së luleve të thara,
Kur liria mbahej peng nga hije shtrigash,
T’u rikthejnë buzëqeshjen.
Ëndrra që zgjojnë vetveten,
Duke u lutur me përgjërim,
Të ndërtojnë ylbere
Në qiejt ku shirat s’kanë mbarim
