Rajmonda Qose

Te bregu i lumit më prit
Më prit te bregu i lumit
Ku netëve hëna shtrihet e fle
Ku plepat përreth lartësohen
E shtegtarët mbi to ngrenë fole.
Mos u habit kur të shohësh
Ndonjë lule të çelur që buzëqesh
Me vete do thuash: Nga ky dimër i ftohtë,
si mund të mbijetojë kjo lule mes nesh?
Ndoshta ti s’e njeh forcën e saj
Që me jetën kaq shumë është dashuruar
Dhe pse dimri i hedh ca fjolla acar
Zjarri i zemrës e mban mbuluar
Aty më prit te bregu i lumit
Ku era me këngë i shpërndan retë
Ndërsa vala lazdron me rrezet e diellit
E lulja rri çelur për ty dhe pret.